Parlamenti i Maqedonisë së Veriut nis procedurën për shtyrjen e censusit

Shkup, 2 prill 2021 – Parlamenti i Maqedonisë së Veriut e filloi procedurën për miratimin e ligjit për shtyrjen e regjistrimit të popullsisë, teksa opozita shqiptare po përpiqet ta pengojë shtyrjen, duke vlerësuar se kjo shkon në dëm të interesave të shqiptarëve.

Kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi, e ndërpreu seancën për t’u lënë mundësi komisioneve parlamentare për çështje evropiane dhe për sistemin politik që të debatojnë mbi këtë çështje.

Shtyrja e censusit u arrit me kompromis midis dy drejtuesve të partive më të mëdha maqedonase, Zoran Zaev (LSDM) dhe Hristijan Mickovski (VMRO-DPMNE), ndërkohë që operacioni më i madh statistikor nuk mbeti pa u politizuar.

Vendi nuk ka bërë regjistrimine popullsisë që nga viti 2002 dhe mungesa e të dhënave mbi numrin e cilësinë e profesionistëve ka bërë, sipas ekspertëve, që një numër investitorësh të huaj ta anashkalojnë Maqedoninë e Veriut.

Koalicioni midis Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës (ASH-AA) ka paraqitur dyqind propozim-amendamente ndaj ligjit të pritshëm për ta zvarritur në këtë mënyrë seancën. Sipas ligjeve, censusi duhej të fillonte të enjten, 1 prill, pasi që Paramenti nuk arriti deri në mesnatën midis 31 marsit dhe 1 prillit ta miratojë ligjin për shtyrjen e censusit dhe ASH-AA i kërkojnë prokurorisë që të ndërhyjë tek Enti Shtetëror i Statistikave, i cili nuk po e zbaton ligjin, sipas opozitës shqiptare. ASH-AA druajnë se i gjithë procesi i regjistrimit do të ndërpritet për shkak të interesimit të madh të shqiptarëve në diasporë dhe mosinteresimit të mërgatës maqedonase për t’u regjistruar. Koalicioni opozitar shqiptar do të mund të hiqte dorë nga përpjekjet për bllokim nëse pranohet kërkesa për miratimin e shpejtë të ligjit të nënshtetësisë, sepse “qindra e mijëra shqiptarë, sipas ASH-AA, janë diskriminuar prej vitesh, ndërsa kanë lindur këtu, madje dhe janë plakur këtu e nuk u jipet shtetësia”.

Ndërkohë, ambasadorja amerikane në Maqedoninë e Veriut, Kate Mary Byrnes, në një bisedë me zotërinjtë Ziadin Sela dhe Afrim Gashi, ka theskuar nevojën që Aleanca dhe Alternativa të jenë opozitë konstruktive dhe e angazhuar.

Sipas njoftimit të Ambasadës amerikane në Shkup, Ambasadorja Byrnes i ka inkurajuar ata që të punojnë së bashku me të tjerët për zgjidhjen e sfidave me të cilat përballet Maqedonia e Veriut.

Nga ana tjetër, partia Bashkimi Demokratik për Integrim, e cila i ka dhënë mbështetje kompromisit midis Zaevit dhe Mickovskit, vlerëson se diaspora shqiptare do të ketë shumë më tepër kohë për t’u regjistruar dhe se procesi i regjistrimit të diasporës, i filluar më 1 mars, nuk do të ndërpritet.

Censusi që duhet të zhvillohej nga 1 deri më 21 pril, do të shtyhet për në vjeshtë, më saktë prej 5 deri më 30 shtator.

Dy partitë më të mëdha maqedonase e arsyetojnë nevojën për shtyrje me përkeqësimin e situatës epidemiologjike të  koronavirusit në javët e fundit.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*