Parti të reja dhe histori të vjetra

Nga Ruben Avxhiu

Megjithë pretendimet për krahët ideologjikë që përfaqësojnë, Partia Socialiste dhe ajo Demokratike e Shqipërisë kanë lënë një lumë pakënaqësish e të zhgënjyerish, në rrugën që kanë ndjekur në këtë çerekshekullin e fundit.
PS dhe qeveria e Ramës mund të kenë afruar fëmijët e nipër e mbesa të njerëzve të nomeklaturës komuniste, po në politikën e përditshme kjo forcë politike është më e afërt me oligarkë të pasur e biznesin e madh sesa me pjesën e pafat e të varfëruar të shoqërisë.
Në vend të shtetëzimeve, privati i fuqishëm e shkel shtetin me këmbë sa herë që ka nevojë.
Në llogoret e opozitës, ish-të persekutuarit, ish-pronarët, e pasardhësit e familjeve të mëdha e nacionaliste janë zhgënjyer e braktisur aq shumë herë sa askush në selinë blu, nuk e ndjen të nevojshme as që të justifikohet më.
Ngjarja më simbolike ishte sot në mëngjes kur pashë disa militantë të opozitës t’i citonin vargjet e komunistit Shefqet Musaraj, Ballit Kombëtar Demokrat dhe kryetarit të tij Artur Roshi. Roshi dhe partia e tij kanë qenë pjesëmarrës në të gjitha protestat e opozitës të kryesuar nga Basha e Kryemadhi, po mjafton mospajtimi për djegien e mandatave që vargjet e një komunisti të jenë më të pranueshëm sesa aleanca me partinë e parë antikomuniste shqiptare.
Një tjetër ngjarje simbolike ishte shkrimi nga Nebil Çika, që është kthyer në zëdhënësin më të mirë të ndërgjegjes së klasës së ish-të përndjekurve politikë, me titullin “Basha ta ndajë mendjen, o me ne, o me ata”, pas pjesëmarrjes të disa figurave të larta të PD-së në nderimin e gjeneral Rahman Parllakut.
Përveç mungesës së respektit për rrënjët ideologjike, dy partitë kryesore janë pushtuar nga fryma diktatoriale të brendshme, ku çdo zë që kundërshton sadopak kryesinë apo më saktë kryetarin, izolohet, përbaltet dhe përjashtohet.
Nuk ka pothuajse asnjë hapësirë në partitë kryesore, për ish-drejtues që humbasin në zgjedhjet e forumeve partiake. Ata shihen nga kryesia e re me bezdi dhe me padurim deri në largimin e plotë.
Shtoju këtyre dy faktorëve edhe pakënaqësitë nga mangësitë në disa mandate qeverisje (të dy partitë kanë qeverisur tashmë, me ndërprerje, nga më shumë se një dekadë secila), për të kuptuar sesi në elektoratin e majtë dhe atë të djathtë janë krijuar mjaftueshëm hapësira për parti të reja politike që jo vetëm do të plotësonin skenën politike, po mund edhe të konkurronin me dy partitë kryesore, madje dhe t’u rrezikonin ekzistencën. Shqiptarët kanë në fakt etje për një klasë te re politike.
Në këto kushte, nuk është habi, që kriza kushtetuese e krijuar nga djegia e panevojshme e mandateve prej opozitës shqiptare dhe mundësia e bojkotimit të zgjedhjeve lokale po shfrytëzohet për të krijuar parti të reja. Lëvizja Vetëvendosja ka krijuar një bazë në Shqipëri, duke krijuar mundësinë e të majte të vëtetë ideologjike me elemente të forta nacionaliste. Ndërsa deputetë rebelë të opozitës, me në krye Rudina Hajdarin dhe ish-drejtues të lartë të PD-së si Astrit Patozi, mund të krijojnë një parti të re Demokratike.
Kjo e fundit do të kishte dy vjet kohë, disa vende në parlament dhe një tufë postesh në pushtetin bashkiak e komunal për të krijuar një themel mbi të cilën të ngrihej një forcë e re politike.
E megjithatë, historia më shumë se çerekshekulli e gjatë e pluralizmit shqiptar ka treguar se dalja jashtë dualitetit kuqeblu në Shqipëri i ka rrugët e shkurtra. Kjo histori është një varrezë e madhe partish të vogla, që edhe nëse vijojnë të gjallojnë si satellite të partive kryesore janë aq të vdekura sa mund të jetë e vdekur një parti politike.
Ka rastësi të përkohshme, si Aleanca Demokratike në fillimet epluralizmit, Lidhja e Djathtë, para dhe pas tragjedisë së vitit 1997, ndërsa në ditët tona, Lëvizja Socialiste për Integrim, mbase historia më e madhe e suksesit të një partie të tretë shqiptare. Po edhe e ardhmja e kësaj të fundit është tani në dyshim. Nën drektimin e Ilir Metës, ajo kishte fituar një identitet që plotësonte një hapësirë të braktisur nga dy partitë kryesore. Nën Monika Kryemadhin, ajo po sillet si një satelit tjetër i Partisë Demokratike në opozitë.
Ashtu si dikur Aleanca Demokratike që doli nga PD-ja, LSI ishte në fakt, më shumë rezultat i vendosjes së diktaturës së brendshme në PS, refuzimit të kryetarit të vjetër e të ri për të njohur e pranuar fuqinë dhe potencialin e një grupi rival brenda partisë e të majtës, sesa çdo gjë tjetër. Po ndërsa AD-së i mungonte një figurë madhore, LSI e kishte atë te Ilir Meta.
Një arsye e dështimit të partive të reja është se në momentet kritike, elektorati rimbështillet rreth dy partive më të mëdha. Një arsye e dytë është se grupimet e pakënaqura e të përjashtuara shpesh nuk pajtohen me njëri-tjetrin sa të krijojnë një forcë të gjerë me kohezion. Një kujtesë e hidhur ka qenë dështimi i Lidhjes së Djathtë për të bërë paqe mes grupimeve që bashkonin monarkistë, ballistë e republikanë, të përndjekur e nacionalistë të majtë, etj. As ballistët nuk bëheshin bashkë me njëri-tjetrin e as monarkistët. Fakti që partia që drejton Roshi ka specifikimin “Demokrat” nga mbrapa është kujtesë e këtyre ndarjeve brenda ndarjeve, karakteristikë e mozaikut të stërcopëtuar të pjesë së mbetur të elektoratit shqiptar.
Në kohën tonë, në rastin më të fundit, sa do të dinin vërtet, Hajdari dhe Patozi të tërhiqnin bazën e ish-të përndjekurve, të cilës asnjëherë nuk iu dha një shans real pas rënies së komunizmit? Apo sa do të bashkoheshin vërtet këta të fundit nën një forcë që nuk ka në krye një prej tyre? Dhe ndonëse herë herës, një figurë si Nebil Çika artikulon bukur pakënaqësitë e tyre, sa janë në gjendje ata vetë të gjejnë një përfaqësues që mund t’i përfaqësojë e t’i mobilizojë politikisht. Fundja, një arsye që PD jo shpesh i ka injoruar ka qenë pikërisht edhe mungesa e një kohezioni të dukshëm në këtë masë njerëzish e familjesh që vuajtën më shumë se kushdo nën diktaturën komuniste.
Në fund, do të ishte ideale që të mos kishim nevojë për parti të vogla e të reja. Në “defterë jan agti 100 syresh. Ideale do të qe që partitë kryesore t’u linin vend për bashkëjetesë brenda vetes “fraksioneve” dhe “disidentëve”. Po kjo kërkon ndershmëri dhe besim te demokracia. Kërkon që demokracinë të cilën e kërkon për Shqipërinë, ta praktikosh edhe brenda partisë që drejton. Kërkon vetëbesim të madh nga kryetari e anëtarët e kryesisë, kërkon edhe besimin se ka një jetë edhe jashtë politikës. Ka pasur raste kur kryetarët kanë pasur aq fuqi sa të mos ngurojnë që të hapin pa frikë dyert e partive. Rasti më ideal, ai i Sali Berishës në 2005, kur u zgjati dorë të gjithë “armiqve” të dikurshëm të përjashtuar nga PD-ja.
Pa demokraci brenda partive kryesore nuk do të ketë demokraci në Shqipëri. Po ndoshta do të nevojiten breza të tjerë e një të ardhme më të sigurt për botën liberale e demokratike në përgjithësi. Deri atëhere, kur dalin e kanë sukses partitë më të vogla, është një ngushëllim i vogël si ndëshkim për ata që kanë frikë nga demokracia, e për ata që lënë rrënjët e tyre ideologjike në kërkim të livadheve të përfitimit financiar e politik.