Partia Demokratike bën ndryshime në përfaqësimin e saj në parlament

Tiranë, 15 janar 2022 – Partia Demokratike miratoi sot një seri ndryshimesh në përfaqësimin e saj parlamentar, një javë pas sulmit të dhunshëm në selinë e saj qendrore.

Partia më e madhe opozitare vendosi sot në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të zgjedhë zotin Agron Gjekmarkaj si nën kryetar të Kuvendit të Shqipërisë dhe nënkryetar i partisë, ndërsa Enkelejd Alibeaj u zgjodh kryetar i Grupit Parlamentar, në vend të zotit Alfred Rushaj.

“Organizatorët e dhunës nuk do të mbajnë më funksione përfaqësuese të Partisë Demokratike” – tha kryetari i saj, Lulzim Basha, ndërsa propozoi tre zonja në komisionet e Kuvendit.

Kryetare e komisionit parlamentar të Shëndetësisë propozohet Grida Duma, kryetare e komisionit të Arsimit – Flutura Açka dhe nënkryetare e komisionit të Ligjeve – Dhurata Çupi.

“Partia Demokratike është e hapur ndaj çdo demokrati, e të gjithë për të krijuar një partneritet të fortë dhe aleancë me SHBA-të kundër regjimit të kryeministrit Rama. PD ka si mision të luftojë të vetmin kundërshtar; Edi Ramën. Por një pakicë brenda nesh ka zgjedhur të na luftojë ne, demokratët”, – tha zoti Basha.

Ai theksoi se Shqipëria ndodhet në një krizë të rëndë, ndaj nevojitet ndihmesa e çdo qytetari, që do ndryshimin e saj.

“Këto janë ditët më të vështira, që ka kaluar kjo parti, për shkak të dhunës së organizuar nga Sali Berisha në 8 janar. Ato akte janë ndarje e Partisë Demokratike me dhunuesit, organizatorëve dhe nxitësit e dhunës. Demokratët e refuzuan dhunën e organizuar nga Sali Berisha, ndonëse u mashtruan dhe u janë presione nga më të skandalozet. Sali Berisha synon të të dëmtojë, mundësisht ta shkatërrojë Partinë Demokratike dhe ta përdorë PD si mburojë, por ne nuk do ta lejojmë këtë” – tha zoti Basha.

Përkrahës të ish kryeministrit Sali Berisha sulmuan dhunshëm fundjavën e kaluar selinë qendrore të Partisë Demokratike.

Ata dëmtuan rëndë godinën dhe kërkuan largimin e kryetarit Lulzim Basha, pas shkarkimit që, sipas tyre, i kishte bërë një tjetër kuvend i thirrur nga ish kryetari Berisha.

(Ilirian Agolli, Zëri i Amerikës) 

Comment

*