Partia Demokratike duhet të mësojë nga viti 2005

Nga Ruben Avxhiu

Nuk ka justifikim për këtë rezultat të Partisë Demokratike. Edhe nëse numëron vjedhjet, blerjet e votës, dhe presionin nga shteti, një refuzim për të pranuar problemet është t’i ftosh që të mbeten e të thellohen më tej.
PD pagoi shtrenjtë dje jo ato që numërova më lart, por refuzimin e votuesit demokrat për të dalë masivisht në zgjedhje.
Kjo nuk ishte diçka që u vu re vetëm dje për fat të keq. Problemi është se shumica e demokratëve të flaktë reagonte me nervozizëm kur u thoje disa javë më parë se protesta me çadra, pavarësisht nëse e drejtë apo jo, nuk po përndez dot rezoltë. Nuk rezonon sentimenti përtej militantëve të flaktë.
Një protestë e jashtëzakonshme massive, një fundjavë, në kryeqytet, nuk mjaftonte për të zëvendësuar mungesën e qartë të një revolte të qendrueshme mbarëkombëtare gjatë një krize të stërzgjatur me rezultat të dyshimtë.
Revolta e derdhja e njerëzve në sheshe e rrugë për protesta nuk është e domosdoshme për të fituar zgjedhjet, mirëpo, kishte një mospërputhje të dukshme mbi retorikën alarmante të PD-së për një Shqipëri në gjendje të tmerrshme dhe debateve të përditshme të opinionit shqiptar tani të shpalosur në rrjete sociale e preferenca programesh televizive.
Shqipëria është në fakt plot me shqiptarë të pakënaqur që duan ndryshim politik, po në 25 qershor ata nuk shkuan në votime.
Lulzim Basha ka të drejtë kur kërkon që mos bëhet presion i panevojshëm mbi komisionerët që janë ende në punë. Po nëse demokratët mund të presin momentin e duhur për të analizuar rezultatin, kjo analizë nuk mund të jetë sa për sy e faqe e as nuk do të vlejë pa ndryshime rrënjësore.
Viti 2013, beteja e nxituar për kryetar partie, pa një qetësim e reflektim për humbjen është një kujtim që ndoshta demokratët nuk duhet të nxitohen këtë radhë. Ndoshta Basha do të kishte fituar pa ndërhyrjen fatale të Sali Berishës, në favor të tij, po kryetari historik nuk u përmbajt dot mënjanë. Në atë kohë shkrova, që nëse Berisha kishte një pasues të preferuar, ai nuk duhej ta kishte lënë PD-në që nga trauma e humbjes së rëndë në zgjedhje, të përjetonte traumën e një ndarjeje të panevojshme mes dy grupeve, një prej të cilëve ai i Sokol Olldashit, mbeti i bindur se humbi në një garë të pabarabartë.
Këshilla e radhës në atë kohë ishte që Partia Demokratike të mos bënte gabimin e LDK-së, disa vite më parë, por të këmbëngulte që grupi i Olldashit të integrohej butësisht e të bëhëj pjesë e strukturave dhe strategjisë së partisë.
Vdekja e tmerrshme dhe e parakohshme e Olldashit mund të kishte shrbyer si një moment i madh reflektimi dhe ribashkimi të PD-së. Sot, shumë nga miqtë e tij më të afërt jo vetëm që nuk ishin në listat e kandidatëve po si ata janë përjashtuar edhe shumë të tjerë me ndikime të natyrave të ndryshme në elektoratin e partisë.
Të gjitha partitë e kanë vështirë të gjejnë rrugën e duhur pas humbjeve traumatike. Është e lehtë për mua të komentoj se çfarë duhet të bëjnë, po realizimi në praktikë është i ndërlikuar. PD ishte bërë në fund partia e një njeriu të vetëm dhe një periudhë krize pas Berishës do të ishte e pashmangshme. Edhe sot, për mirë apo për keq, nuk mund të ketë shndërrim të PD-së pa përfshirjen e Sali Berishës.
Demokratët nuk mund të kthehen pas në kohë për të ndrequr gabimet historike si parti. Po ata mund ta lexojnë historinë e tyre për të nxjerrë mësimet se çfarë duhet të bëjnë nesër. Në gati 26-27 vjet histori, fitorja e tyre nga duhet të kthejnë kokën është ajo e vitit 2005.
Ashtu si sot, atëhere ata ishin në opozitë për një kohë të gjatë. Ashtu si sot, partia ishte copëtuar si mos më keq. Nëse ju duket e dobët PD-ja sot, kujtoni disa mitingje të Berishës pas zgjedhjeve të 1997, me 20-30 vetë. Atëhere PD-së iu shkruan disa nekrologji si parti e Berisha mendohej se nuk do të rikthehej më në pushtet.
Viti 2005 ishte një ringjallje e madhe po erdhi jo duke dëbuar jashtë listave ata që e kishin kritikuar e fyer Berishën në vite, por duke ua hapur dyert e duke iu zgjatur dorën e pajtimit. Nëse Berisha, me natyrën e tij të paepur arriti ta bënte këtë, besoj se mund ta bëjnë edhe udhëheqës të tjerë të PD-së me shumë më pak histori e shumë më të vogla si figura.
Berisha rivendosi marrëdhënie me njerëz me të cilët nuk fliste prej 15 vitesh. Ish-aleatë e ish-armiq, u ftuan në “çadër”. Jo për të dëbuar kritikët në parti, po për t’i shtuar kritikët. Jo për t’u treguar se kishte të drejtë por për t’u thënë se këtej e tujte kritika e tyre do të ishte e mirëpritur. Nga Arben Imami te Genc Pollo, me apo pa meritë, me apo pa vlera, Berisha gjeti një mënyrë për t’i afruar të gjithë. Nëse ka pasur ndonjë periudhë mjalti me median, ka qenë gjithashtu ai. Në vend të përplasjeve nervoze, Berisha kishte ndezur sharmin.
Çdo ish-kritik që sjell udhëheqësi në parti ka embrionin për t’ia rrezikuar timonin nesër. Po udhëheqësit vizionarë dhe të guximshëm rrezikojnë. Njerëz si Eduard Selami, Mesila Doda, Jozefina Topalli, Majlinda Bregu, Astrit Patozi etj nuk përbëjnë aspak një grup. Nuk mblidhen dot në një thes, se janë shumë të ndryshëm e me tërheqje specifike në elektorat. Ndoshta asnjë prej tyre kur largohet nuk është ndonjë humbje e madhe për PD-në po largimi i të gjithëve, sidomos pak javë përpara zgjedhjeve ishte më së paku një shpërqendrim i panevojshëm vëmendje e në rastin më të keq një sinjal i një partie që tkurret në vend që të zgjerohet.
Asnjë udhëheqës nuk duron dot ta kritikojnë apo t’ia vënë në dyshim vendimet. Aq më tepër kur dyshon se duan ta rrëzojnë nga kreu i partisë. Po rreziku më i madh në fakt për çdo udhëheqës nuk është rivaliteti, por mungesa e zërave kritikë që e ndihmojnë të perfeksionojë argumentet dhe strategjitë. Servilët ta ngrohin zemrën e ta rrisin vetëbesimin por ata të lënë të papërgatitur për betejat kryesore, ato me partitë rivale.
Partia duhet rifreskuar shpesh me njerëz të rinj, po ndryshimi duhet të vijë natyrshëm dhe jo me hijen e dyshimit të larjes së hesapeve. Disa të rinj me kontribut gati zero në parti hynë në këto lista përpara emrave të rinj si fjala vjen Kreshnik Çollaku, që ndonëse u mënjanua bëri thirrje që të bëhej gjithshka për fitoren e PD-së. Në fund, nuk mund të hynë të gjithë se është një listë e fundme, për një parti kaq të madhe, mirëpo dyshoj se pak është marrë në konsideratë ndikimi në votë dhe grupe simpatie e interesi sesa një dëshirë për një “parti të pastër”, në kuptimin pa debate.
Ky diskutim më sipër e di që do të ngjallë pakënaqësi dhe deri diku ka rëndësi të kufizuar.
PD nuk humbi thjesht se nuk kishte më Eduard Selamin dhe Jozefina Topallin në lista, ndonëse unë do t’i kisha mbajtur të dy. Ishte përshtypja e dëmshme që la përjashtimi drastik që ndikoi.
Pjesëmarrja anemike e PD-së në reformën e drejtësisë, më duket se nuk vlerësoi sa duhet pakënaqësinë në popull për korrupsionin në gjyqësor. Ndoshta vërtet Edi Rama po përpiqej të kapte gjykatat siç u shpeh opozita, po një shikim i sinqertë në sentimentin mbarëpopullor do të vinte re mungesën e ndjeshmërisë për këdo nga gjyqtarët abuzues në largim.
Edhe fotografia me Donald Trump në SHBA, në mes të fushatës nuk dha efektin që mund të ketë menduar se do të jepte në fushatë. U duk e sforcuar, u duk arkaike për kohën kur u bë. Ndoshta ashtu si Rama në 2013 edhe Basha ka menduar se fotografia me presidentin e Amerikës ndikon në votë. Shqiptarët është e vërtetë që e duan Amerikën dhe duan mbështetje prej saj, po një lloj ngopje është krijuar nga përpjekjet e udhëheqësve shqiptarë për të provuar se kanë lidhje të forta në Uashington.
Ajo që ka rënë më në sy se fotografia ka qenë një përplasje e papranueshme dhe në vazhdim mes PD-së dhe Perëndimit. Pretendimi se ambasadorët në Tiranë nuk përfaqësojnë vërtet SHBA-në dhe BE-në është gati skizofrenik. Mungesa e një dënimi të qartë nga udhëheqja e PD-së për abuzimin e paturpshëm ndaj ambasadorëve perëndimorë ka qenë shokues. Basha e bashkëpunëtorët e tij nuk kanë faj për çdo hajvan në Facebook që bën politikë ndërkombëtare duke fyer përfaësuesit e Perëndimit si në kohën e Enver Hoxhës, por mungesa e dënimit të hapur dhe të qartë e disa incidenteve flagrante në fund kanë dëmtuar vetë PD-në.
PS ka kaluar vetë në disa faza të tilla. Po kjo ka qenë akoma më shumë arsye për PD-në që të mos binte në të njëjtin batak. Shqiptarët duan të lidhen me Perëndimin, me apo pa gjykatësit që kërkon opozita, me apo pa aprovimin e vetingut si e do opozita. PD ka nevojë për argumente më të rafinuar për të gjetur mënyrën e duhur që të refuzojë propozime që vijnë nga Perëndimi. Këto argumente nuk gjendjen duke folur me ata që të rrahin krahët e të heqin qimet nga xhaketa, po me ata që të kundërshtojnë me mend e që kanë një mendim alternativ për të ofruar.
Shqipëria sot në mbarë median e Europës parakalon si një parajsë kanabisi. Për të denoncuar Edi Ramën, opozita ka bërë një fushatë lobimi që ka vënë në lojë imazhin e Shqipërisë vendet perëndimore. Nuk ka njeri normal që të mos dojë që kjo gjendje të marrë fund në Shqipëri dhe Edi Rama si kryeministër mban përgjegjësinë numër një për dështimin e Shqipërisë. Nga ana tjetër, rrjetet e drogës janë ndërkombëtare, me mjete të fuqishme korruptimi dhe mbijetese. Shtete shumë më të mëdha e më të forta kanë dështuar me dekada në luftën kundër krimit të organizuar. Shikoni Italinë përtej detit, themeluese e BE-së, me Kamorra, Mafia etj.
Po nëse Basha do të bëhj kryeministër, ai do ta ndjente shpejt dëmin e betejës politike që dëmton imazhin e vendit. Nuk ka rëndësi për investuesin, turistin, apo vlerësuesin zyrtar ndërkombëtar se kush e ka fajin për kanabisin shqiptar. Nuk ka rëndësi as se sa po e lufton në krahasim me kryeministrin e vjetër, nami i keq do shumë kohë që të largohet. Disa cikle zgjedhore me siguri. Sigurisht më shumë se një dhjetëvjeçar. Shqipëria nuk është një Kolumbi e Europës dhe preference ime do të ishte që partitë politike shqiptare nga pushteti në opozitë ta linin Shqipërinë jashtë përplasjeve të tyre. Shqipëria është thjesht Shqipëria e Europës.
Këto mësipër janë padyshim vetëm disa nga faktorët që mund të lejojë hapësira e një shkrimi si dhe më pak se 24 orë kohë nga mbyllja e kutive të votimit.. U takon demokratëve t’i debatojnë ato me sinqeritet dhe hapur. Disa gjëra ata i dinë më mirë se unë. Po nuk ka demokraci të shëndetshme pa një opozitë të fuqishme dhe edhe sikur të jesh një lexues socialist, kjo rënie kaq e madhe e PD-së nuk është lajm i mirë për Shqipërinë.
Nëse partia e parë e pluralizmit shqiptar nuk merr masa, një tjetër forcë mund të kërkojë të dalë në skenë me sukses. Zgjdhësit shqiptarë kanë nevojë për diçka tjetër. PD ka ende kohë të jetë ajo që t’ia ofrojë. Dhe nuk do të pretendoj këtu se është e lehtë. Po nëse ka një moment nga e kaluara që mund të ndihmojë, do të këshilloja një vizitë të kujdesshme të kujtimeve të vitit 2005.