Partia shqiptare “Alternativa” bëhet pjesë e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut

Shkup, 4 dhjetor 2021 – Partia shqiptare “Alternativa”, të shtunën, më 4 dhjetor, vendosi të bëhet pjesë e koalicionit qeverisës në Maqedoninë e Veriut.

Kjo parti, me 4 deputetë, ua ka siguruar shumicën parlamentare partive në pushtet, të cilat kishin mbetur me vetëm 60 deputetë, aq sa i kishte edhe opozita, pas largimit të Lëvizjes Besa nga koalicioni qeverisës.

Alternativa, që drejtohet nga Afrim Gashi, deri tani ishte në koalicion opozitar me Aleancën për Shqiptarët, ndërsa deputetët e saj ishin edhe nënshkrues të nismës për mocionin e mosbesimit të Qeverisë, më 11 nëntor.

Alternativa e arsyetoi hyrjen në qeveri me zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut, në veçanti me procesin e integrimit evropian.

“Alternativa ka vendosur të jetë pjesë e shumicës parlamentare dhe të jetë pjesë e Qeverisë. Vlerësojmë se mbyllja e kontestit me Bullgarinë, nuk është vetëm se qëllim shtetëror, por edhe shqiptare, pasi me mbylljen e kësaj çështjeje, hapet rruga e integrimit evropian”, tha zëdhënësi i Alternativës, Orhan Murtezani.

Murtezani nuk tregoi se çfarë pozitash do t’i takojnë kësaj partie, pasi për këtë, siç tha ai, do të bisedojnë të dielën, kryetari i Alternativës, Afrim Gashi dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Jozyrtarisht bëhet e ditur se Alternativa do të drejtojë Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës Publike, si dhe pritet të ketë dy apo tre poste të zëvendësministrave dhe drejtoritë që më parë i udhëhiqnin kuadro të lëvizjes Besa.

Vendimi i Alternativës për të hyrë në Qeveri është kritikuar nga Aleanca për Shqiptarët, e cila e ka akuzuar për shkeljen e marrëveshjes për bashkëpunim opozitar.

“Alternativa tre herë shkeli marrëveshjen për koalicion duke zhvilluar bisedime me Zaevin edhe pse në nenin 6 të marrëveshjes që kishim firmosur, thuhej se palët kishin rënë dakord që ky bashkëpunim të vlejë deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, thuhet në reagimin e partisë opozitare, Aleanca për Shqiptarët.

Vendimi i Alternativës është kritikuar edhe nga partia maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE, e cila ka thënë se kjo parti “do të jetë humbësja më e madhe, pasi gjithë kohën kishte kritikuar pushtetin për krim dhe korrupsion ndërsa tani vendos të bëhet pikërisht pjesë e strukturave të tilla kriminale”.

VMRO-DPMNE tha se beson se kjo Qeveri nuk ka legjitimitet për të drejtuar vendin dhe se shumë shpejt do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Ndërkohë, vendimi i Alternativës që të jetë pjesë e ekzekutivit, i hap rrugën zgjedhjes së Qeverisë së re apo zyrtarizimit të dorëheqjes së kryeministrit, Zoran Zaev, të cilën e kishte paralajmëruar më 31 tetor pas disfatës së partisë së tij, Lidhjes Social Demokrate në zgjedhjet lokale.

Organet e kësaj partie kishin shtyrë dorëheqjen e Zaevit për t’i dhënë atij mundësinë që të zhvillojë bisedime me partitë tjera për sigurimin e shumicës parlamentare, me qëllim që të pamundësojë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Zaevi ka deklaruar se nuk dëshiron që në Maqedoninë e Veriut të thellohet kriza politike, në kohën kur vendi është ende optimist se në dhjetor do të arrijë marrëveshje me Bullgarinë për heqjen e vetos për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin Evropian.

Zaev ka paraqitur dorëheqjen nga drejtimi i partisë. Zgjedhjet për kryetar të LSDM-së do të mbahen më 12 dhjetor dhe kryetari i ri i saj pritet të jetë edhe mandatar për formimin e Qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut.

(Isuf Kadriu, REL)