Partitë proserbe në Mal të Zi kërkojnë zgjedhje të parakohshme

Podgoricë, 10 shkurt 2022 – Mali i Zi Demokratik, partia që ishte pjesë e shumicës së deritashme parlamentare në Mal të Zi, kërkon shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Kjo parti e bëri këtë kërkesë përmes një proteste të zhvilluar të mërkurën në mbrëmje, në Podgoricë.

Protesta me sloganin “Mbrojtja e vullnetit elektoral të qytetarëve” u drejtua nga zyrtarë të Demokratëve, por u mbështet edhe nga deputetët dhe zyrtarë të Frontit Demokratik, partisë pro-serbe që e udhëhiqte qeverinë qëu rrëzua para pakditësh.

Protestuesit u shprehën kundër formimit eventual të një qeverie të pakicës, siç është propozuar nga kryetari i Lëvizjes Qytetare URA, Dritan Abazoviq, e cila ishte partnere e koalicionit të deritashëm qeverisës.

Në protestë morën pjesë disa mijëra qytetarë dhe aktivistë të subjekteve politike.Ata mbanin në duar flamuj shtetërorë dhe pankarta përmes të cilave u bëhej thirrje qytetarëve që “të rezistojnë” kundër “vjedhjes së vullnetit elektoral”.

“Njerëz, përgatituni për zgjedhje. Oferta jonë është e qartë, ne jemi demokratë dhe evropianë dhe ne ofrojmë një zgjedhje evropiane. Le t’ia kthejmë mandatin popullit dhe ta lëmë popullin të vendosë se cila do të jetë e ardhmja”, tha kryetari i Demokratëve, Aleksa Beçiq, i cili më 7 shkurt u shkarkua nga pozita e kryetarit të Kuvendit.

Beçiq tha se qeveria e pakicës do të varet nga Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, e cila ishte në opozitë.

“DPS do të bëjë dy të tretat e asaj shumice të re parlamentare, pa DPS-në nuk mund të merret asnjë vendim. Qeveria e re e pakicës do të varet nga vullneti i Gjukanoviqit dhe DPS-së”, tha Beçiq, citon Radio Evropa e Lirë.

Ai tha se kryetari i URA-s, Dritan Abazoviq, synon ta formojë qeverinë e re më mbështetjen e Gjukanoviqit, të cilin Abazoviq e kishte akuzuar për korrupsion dhe krim të organizuar.

“Imagjinoni duke zgjedhur gjyqtarë dhe prokurorë bashkë me ata që u thoshin se ishin hajdutë e kriminelë. Askush nuk do të ndiqet penalisht pa lejen e Millo Gjukanoviqit”, tha Beçiq.

Kjo protestë u mbajt në kohën që Dritan Abazoviqi po përpiqet të arrijë marrëveshje me disa subjekte politike për formimin e një qeverie të pakicës.

Edhe Fronti Demokratik pro-serb që e humbi shumicën në parlament po kërkon të gjejë aleatë për formimin e një qeverie të rë, por e hedh poshtë mundësinë që në këtë qeveri të përfshihet edhe URA e Abazoviqit.

(r.m.)

Comment

*