Parulla politike me energji dhe pa argument

Arbër Çeliku

Kërçova me rrethinë për mua është vendi më piktoresk në Maqedoninë e Veriut. Shtëpitë dhe ndërtesat e banimit janë të ngulitura në fushëgropën e rrethuar me male të bukura dhe plot gjelbërim. Megjithatë, ato tashmë janë gjysmë të zhveshura nga djegiet e qëllimta në demokraci (për biznes të organizuar), nga vjedhjet e drunjve për ngrohje personale dhe nga dhënia me tender personave të lidhur ngushtë me nëntokën politike. Tymi i TC Osllome i vë kapakun këtij makthi që po e përjeton përditë e më shumë popullata e kësaj ane, sidomos fshatrat si Cërvica, Serbica, Zhubrina, Aranjelli dhe Popojani. Në këto kushte të ndotjes masive, malet e sakatosura në vazhdimësi, nuk kanë më kapacitete për ta pastruar ajrin dhe, si rrjedhojë, sëmundjet nga kanceri i mushkërive dhe të organeve të frymëmarrjes, janë bërë përditshmëri. Një djalë i ri nga Cërvica, që jeton në Zvicër, më pyeti sot se ç’nënkupton fjala e ‘blertë’, ‘jeshillëk’ i thashë, teksa më mori me veturë nga qyteti dhe vozisnim rrugës së fushës për të mbërritur në fshat me oxhakun gjigand përpara xhamit të veturës të TC Osllome, i cili po nxirrte tymin e zi katran qindra metra lart në qiellin e hapur, që shiu dhe era më pas ta shpërndajnë mbi pullazet e shtëpive tona. “A kanë fytyrë bre këta?”, vazhdoi debatin ai, duke më lërë ta kuptoj për kë e kishte fjalën. “Shumica e madhe prej tyre”, i them unë, “janë me diploma, tituj e thirrje universitare, por të pamerituara. Dhe kur ata aq keq e kanë mashtruar veten, as që e çajnë kokën për mua, ty dhe popullin” dhe ia nderroj temën, duke e pyetur kot për jetesën në Zvicër. Kafen e piva në shtëpi, sepse kodoshët po përgjojnë gjithkund, sidomos në kohë zgjedhjesh. Rrinë tufa-tufa nëpër lokalet e qytetit dhe të fshatrave. Ata e shesin ajrin, miqësinë, shëndetin, të ardhmen e fëmijëve të tyre, vetveten për një premtim në kohë zgjedhjesh, që ndoshta nuk do të përjetësohet kurrë. Mbase njerëzit kanë nevojë për rrena dhe ata u japin rrena. Moment interesant psikologjik, që nuk arritëm ta deshifrojmë kurrë siç duhet. Ta kurojmë jo se jo. Por edhe parulla politike i ngjan asaj të stalinizmit, që IDEJA TË MBROHET ME ENERGJI TË ZJARRTË DHE PA ASNJË ARGUMENT…

Marrë nga lajmpress, lajm tv