Pas 15 ditësh vendoset për aktakuzën ndaj Limajt

Prishtinë, 10 qershor 2013 – Gjyqtarja e EULEX-it,  Anna Adamska – Gallant, ka bërë të ditur se brenda 15 ditësh do të merret vendimi lidhur me ngritjen ose jo të aktakuzës ndaj Fatmir Limajt dhe gjashtë të tjerëve, të dyshuar për korrupsion në rastin e Ministrisë së Transportit e PostëTelekomunikacionit (MTPT). Përveç Limajt, lidhur me këtë rast akuzohen edhe dy vëllezërit e tij, Demir e Florim Limaj dhe Endrit Shala, Nexhat Krasniqi, Florim Zuka dhe Gani Zogaj.

Si njofton “Koha ditore”, gjyqtarja ka dëgjuar argumentet e prokurorit Johannes Picket dhe kundërshtimet e avokatëve mbrojtës. Prokurori ka thënë se në gjykatë duhet të ketë argumente dhe jo emocione, ndërsa mbrojtja e ka akuzuar prokurorin për shkelje ligjore, me arsyetim se shtëpia e Limajt në Çagllavicë është bastisur pa vendim të gjykatës.

Në seancën e zhvilluar të hënën në Gjykatën e Apelit, prokurori Picket ka kërkuar nga trupi gjykues që të këtë parasysh aktakuzën dhe provat dhe që të merret vendimi për konfirmim të aktakuzës.

“Kjo lëndë duhet të shkojë me tutje, pra të shkojë në procesin e shqyrtimit kryesor”, ka thënë Picket.

Prokuroi i ka cilësuar të papranueshme pretendimet e avokatëve.

“Disa parashtresa të avokatëve janë të papranueshme. Është ironi e trishtueshme kur merren parasysh pretendimet e disa avokatëve që nuk ka prova dhe se prokuroria është e mbështetur në shkrime të gazetave dhe në llafeve të kafeneve. Prokuroria kërkon që lënda për korrupsion ndaj Limajt dhe të tjerëve të trajtohet si duhet”, ka thënë Picket.

Ai ka folur edhe për seancën e fundit, ku sipas tij prokuroria është “sulmuar” me akuza të ndryshme.

“Para nesh kemi një lëndë të ndërlikuar për korrupsion. Nuk duhet të harrojmë pse jemi këtu, në sallë të gjykatës. Nuk jemi këtu për të përjetuar emocione, por jemi këtu për të kërkuar drejtësi. Janë thënë shumë fjalë lidhur me nderin, i cili duhet të mbrohet. Nëse është prekur nderi i dikujt në seancën e kaluar, atëherë është nderi i prokurorisë speciale të EULEX-it”, ka thënë Picket.

R.M.

Comment

*