Pas 18 vjetësh, Chris Wallace largohet nga “Fox News Sunday”

Nga Ruben Avxhiu

Një nga gazetarët më të respektuar amerikanë, Chris Wallace, ka deklaruar se po largohet nga Fox News pas 18 vjetësh.

Drejtuesi i emisionit të të dielave “Fox News Sunday” është zgjedhur rregullisht për të drejtuar debatet presidenciale dhe vazhduar të gëzojë besueshmëri të lartë në të dy anët e spektrit, ndonëse politika po bëhet gjithnjë e më shumë bardhezi.

“18 vjet më parë, bosat këtu në Fox më premtuan se nuk do të ndërhyjnë kurrë për të ftuarit që do të zgjidhja në emission apo për pyetjet që do të bëja. Dhe e kanë mbajtur premtimin. Kam pasur lirinë që të raportoj aq sa kam pasur mundësi për të mbuluar ngjatje që mendoja se kishin rëndësi, për të kërkuar llogari nga udhëheqësit e vendit tonë. Ka qenë një udhëtium i jashtëzakonshëm”, tha ai në deklaratën e fundit në emisionin e tij të lamtumirës.  

Wallace tha se pas 18 vjetësh kishte në plan të merrej me dika tjetër që shkon përtej politikës. Ai nuk e përmendi në komunikimin e tij të fundit, por burime të tjera thonë se do të ketë një emission në CNN+, një platformë e re transmetimi “streaming”, ku mund të abonohesh për të parë programe e shfaqje të drejtpërdrejta ose të zgjedhura.

Një numër kolegësh të tij në Fox News e përcollën me respekt dhe nderim gazetarin e vjetër, por një numër jo i vogël ndjekësish të këtij rrjeti televiziv e pritën me kënaqësi largimin. Arsyeja është se Wallace ka qenë kritik ndaj Presidentit Donald Trump duke i bërë ata të denoncojnë si liberal. Kalimi në CNN+ do të shihet prej tyre si një konfirmim i këtij dyshimi.

Nga ana tjetër, një numër shikuesish të kanalit CNN po ankohen se rrjeti është duke punësuar shumë gazetarë konservatorë duke i bërë të dyshojnë se kanali po zhvendoset djathtas. Për ta Wallace nuk është aspak liberal por një konservator tradicional që thjesht nuk pëlqente Presidentin Trump.

Në fjalën e tij të fundi, Wallace i luti telespektatorët që të vazhdojnë ta ndjekin emisionin “Fox News Sunday” edhe mbas largimit të tij.

Fox News ka thënë emisioni do të prezantohet tani nga njerëz të ndryshëm derisa të caktohet një drejtues i përhershëm.