Pas betejës ligjore 20 vjeçare, shembet kisha serbe e ndërtuar në oborrin e muslimanes

Sarajevë, 5 qershor 2021 – Të shtunën, më 5 qershor, nisi shembja e një Kishe Ortodokse, e cila ishte ndërtuar ilegalisht nga serbët në fshatin Konjeviq Polje, në pjesën e kontrolluar nga entiteti serb në Bosnje dhe Hercegovinë.

Kisha ishte ndërtuar në pronën e një gruaje myslimane.

Në tetor të vitit 2019, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, urdhëroi shembjen e Kishës, që ishte ndërtuar ilegalisht në pronën e Fata Orloviqit, e cila ishte dëbuar nga shtëpia e saj, gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë, 1992-1995.

Më 1993 serbët i kishin dëbuar banorët myslimanë të këtij fshati për në Srebrenicë, ku u vranë rreth 8.000 burra myslimanë, ndonëse ky qytet ishte zonë e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara. Masakra e Srebrenicës konsiderohet si mizoria më e tmerrshme në Evropë, që prej Luftës së Dytë Botërore. Dy gjykata ndërkombëtare e kanë cilësuar si gjenocid këtë masakër.

Bashkëshorti i Fatas, së bashku me 20 anëtarë të tjerë të familjes, ishte vrarë nga forcat serbe në masakrën e Srebrenicës, më 1995.

Fata Orloviq, që tashmë është 78-vjeçare, dhe 13 anëtarë të tjerë të familjes, kishin arritur t’i shpëtonin masakrës, por më pas kur janë kthyer në shtëpi, kanë parë se vetëm disa metra nga shtëpia e tyre, kishte nisur ndërtimi i një kishe ortodokse serbe.

Gjykata vendosi se ndërtimi i kishës më 1998 ishte bërë në mënyrë ilegale dhe i urdhëroi autoritetet që të sigurohen që ky objekt do të shembej.

Vajza e Orloviqit, Hurija Kariq, i tha Radios Evropa e Lirë se shembja e kishës ishte një fitore e madhe.

“Kjo është fitore për nënën time dhe për gjithë familjen, si edhe fitore për gjithë Bosnje dhe Hercegovinën”, tha ajo.

Që prej vitit 2000 kjo familje ka zhvilluar beteja gjyqësore për shembjen e kësaj kishe.

Ky rajon është kontrolluar nga serbët që prej përfundimit të luftës, kur Bosnja e Hercegovina u nda në dy entitete: në Federatën e myslimanëve dhe kroatëve dhe në  entitetin e udhëhequr nga serbët, Republika Serbe.

(REL)

Comment

*