Pasiguri dhe mosbesim për policinë në Shqipëri

Akuza dhe kundërakuza mes qeverisë dhe opozitës – Një fotografi e drejtuesve të lartë të policisë me të dyshuarin për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj ka bërë që opozita të fajësojë qeverinë për gjendjen e rëndë sipas saj të rendit dhe sigurisë – Por, qeveria nuk mbeti pas dhe tha se kryetari i opozitës Edi Rama i kishte propozuar të njejtit të dyshuar, një vend për deputet në zgjedhjet e 23 qershorit

 

Denion Ndrenika

Policia në Shqipëri është përfshirë në një rritje të pasigurisë dhe mandej të mosbesimit, fillimisht pas vrasjes së tretë radhazi të një kryekomisari si dhe të një fotografie ku tregohet i dyshuari kryesor për këtë ngjarje në një gosti me drejtuesit më të lartë të saj, përjashto Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj. Vrasja e kryekomisarit Dritan Lamaj pasoi arrestimin brenda 3-4 orëve të një personi që kishte pasur konflikt të ashpër me të kur vetë viktima Lamaj drejtonte komisariatin e policisë në lagjen “Kombinat” të Tiranës.
I akuzuari dhe i dyshuari kryesor është biznesmeni Arben Frroku, pronar i kompanisë së llotarive sportive “Xhoi lloto” dhe aksioner i Universitetit “Vitrina” si dhe sponsor i ekipit të futbollit të Pukës “Tërbuni” që pretendon të hyjë në ligën e më të mirëve. Media publikoi një fotografi të Frrokut në një gosti me Zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Agron Kuliçaj, Drejtorin e Drejtorisë së Krimeve të Rënda, Tonin Vocaj, drejtorin e Departamentit të Sigurise Publike, Muhamet Rrumbullaku dhe drejtorin e Njësive Operacione Speciale, Nikolin Bala. Të gjithë këta zyrtarë e mohuan lidhjen miqësore me Frrokun, por pohuan se fotografia që sipas tyre ishte ndoshta e viteit 2010, ksihte qenë rastësore. Sipas tyre, biznesmeni Frroku i arrestuar në Greqi pak orë pas vrasjes së Lamajt, u ishte ulur në tryezë dhe rastësisht kishin ngritur një gotë dolli, pra nuk ka qenë darkë e organizuar bashkarisht. Mirëpo, Frroku në një intervistë televizive nga burgu në Selanik tha se ishin bashkë në darkë. Zyrtarët e policisë deklaruan dorëheqjen nga grupi hetimor për vrasjen e Lamajt pas publikimit të fotos. Opozita kërkoi dorëheqjen e tyre edhe nga detyrat që mbanin. Sipas opozitës socialiste, fotografia e drejtuesve të lartë të policisë me të dyshuarin për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj ka bërë që opozita të fajësojë qeverinë për gjendjen e rëndë sipas saj të rendit dhe sigurisë.

Deputeti i PS Taulant Balla, duke folur gjatë një seancë Parlamentare, ku është debatuar ne lidhje me vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj dhe publikimin e fotos së kryepolicëve me Arben Frrokun, të dyshuarin kryesor për ekzekutimin e Lamajt.

Deputeti i PS Taulant Balla, duke folur gjatë një seancë Parlamentare, ku është debatuar ne lidhje me vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj dhe publikimin e fotos së kryepolicëve me Arben Frrokun, të dyshuarin kryesor për ekzekutimin e Lamajt.

Por, qeveria nuk mbeti pas dhe tha se kryetari i opozitës Edi Rama i kishte propozuar të njejtit të dyshuar, një vend për deputet në zgjedhjet e 23 qershorit. Debati u zhvendos në seancën plenare të Kuvendit të enjten me tensione dhe tone të larta.
Kryeministri Sali Berisha dhe kryetari socialist Edi Rama reaguan pas zhvillimeve.
Vrasja e kryekomisarit, Berisha: Do të zbardhet çdo gjë-tha Berisha, ndërsa Rama kërkoi që të dorëhiqen Nokaj, Burgaj dhe Kuliçaj. Kurse, ministri i Brendshëm, Flamur Noka, në një prononcim për mediat deklaroi se insinuatat ne lidhje me fotot krijojnë probleme për hetimin. Reagimet i paraqiti agjencia e lajmeve “balkanweb”.
Ministri Noka paralajmëroi se shumë shpejt do të dalin dejate të reja sa i takon lidhjeve të biznesmenit Arebn Frroku me politikën, që do të ndryshojnë rrjedhën e ngjarjes.
“Është një fotot e para dy vjetëve. Komentet i kanë bërë vetë pjesmarrësit. Nuk duhet të lidhet ngjarja, pasi cdo insinuatë rreth fotos krijon probleme në hetimin e ngjarjes. Do të dëshiroja që të merreshim me këtë histori, por të fokusoheshim tek ngjarja. Sa i përket lidhjes së zotit Frrokut me politikën do ju bëjmë me dije gjëra të tjera që do ndryshojë komplet historinë”,-tha Noka pas zhvillimit të homazheve në Qëndrën Kulturore të Ushtrisë, për dëshmorët e Atdheut Besnik Hidri dhe Leka Qokaj, ranë në krye të detyrës, për mbrojtjen e institucioneve shtetërore, në Vlorë.
Në të njëjtën linjë u shpreh një ditë më parë edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj. I kontaktuar nga një media, Burgaj tha se: “siç më informuan kolegët, kjo foto ka rreth 2 vite që është bërë, dhe nuk paraqet ndonjë rëndësi të madhe, pasi edhe sikur ndonjë nga kolegët të ketë njohje me të dyshuarin, në momentet e njohjes ai nuk ka pasur preçedentë me policinë. Në kushtet që jemi sot, ne kryejmë detyrën dhe zbatojmë ligjin deri në zbardhjen e ngjarjes. Nuk do ketë asnjë ndikim”, siguroi Kreu i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj.
Kryesocialisti Edi Rama në konference mediale akuzoi Policinë e Shtetit, si kupolën më të rrezikshme të krimit të organizuar në vend. Rama ka kërkuar dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm Flamur Noka, drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit Hysni Burgaj dhe Zv. Drejtorit të Përgjithshëm Kuliçaj.
“Abija e djeshme e Kuliçit famëkeq dhe e deklaratave të Burgajt hileqar janë mëshirimi i policisë së shtetit. Dorëheqja nga hetimi i dy krerëve të policisë është një mënyrë e padenjë për të fshuhur të vërtetën, atë të vërtetë që duket haptazi. Heshtja e Ministrit të Brendshëm është kapaku i një historiku që duhet të vazhdojë edhe me dorëheqjen e të treve. Kjo trio është fytyra e tradhëtisë që i bëhet policisë, i rrënimit të policisë, i trurit dhe kontrabandës që e ka kalbur policinë e shtetit. S`kam asnjë iluzion që kjo tradhëti ka bekimin e kryeministrit”, deklaroi Rama.
Rama bëri me dije se PS disponon të dhëna se merren para edhe për shkarkimin e kryekomisarëve teksa theksoi se Shqipëria po përballet me një përmasë të re pasigurie.
Kryeministri deklaroi sot se policia ju përgjigj “flakë për flakë” dhe në mënyrë të menjëhershme autorëve të krimit të kryekomisar Dritan Lamaj teksa tha se drejtësia vonon, por nuk harron. Berisha nuk komentoi foton e biznesmenit Arben Frroku me kryepolicët.
“Për krimin e shëmtuar, thashë edhe njëherë, për autorët politik shqiptarët u shprehen. Për probleme të tjera drejtësia vonon por nuk harron. Ndërsa për rënien në detyre të kryekomisar Dritan Lame, kam shprehur të gjithë vlerësimin e dhe konsideratën time. Një gjë është e sigurtë, që policia ju përgjigj flakë për flakë dhe me shpejt se kurrë identifikimit të autorëve. Ministria e Brendshme ka të gjithë mekanizmat për të zbardhur cdo të vërtetë rreth krimit”, tha Berisha pas homazhe të kryera të homazheve në Qëndrën Kulturore të Ushtrisë, për dëshmorët e Atdheut Besnik Hidri dhe Leka Qokaj, ranë në krye të detyrës, për mbrojtjen e institucioneve shtetërore, në Vlorë.