Pasioni i gazetares artiste Antigona Qena

Ndihmë që vlerat e artit shqiptar të njihen dhe trashëgohen nga brezi i ri

Antigona Qena

Antigona Qena

 

Muzika, arti në përgjithësi, gjithmonë ka nevojë për t’u shërbyer, këtë gjë e bëjnë shumë gazetarë, media televizive, ato të shkuara dhe mediat vizuale.
Gjatë kontakeve me shumë miq, artistë, njohës të muzikës dhe krijues të mirëfillt të saj, pos të tjerash kemi biseduar, se kush janë ata gazetarë që punuan në mënyrë të jashtëzakonshme, pa u lodhur asnjherë, vetëm për t’i shërbyer publikut shqiptare, duke u sjellë dhe rikujtuar gjithë ata artistë të gjeneratave të kaluara dhe punën e tyre. Një shembull i kësaj pune fisnike është artistja, gazetarja-spikerja Antigona Qena. Unë vendosa që për shkak të këtij profesioni human dhe për shkak të kontributit të saj në artin shqiptarë, të kontakoj Antigonën, që ajo të ndajë disa nga kujtimet e saj me ne.
Antigona Qena- Kaçaniku, bija e vetme e çiftit artistik, Melihate Ajeti dhe Muharrem Qena, ka lindur në Prishtinë, ku edhe është diplomuar në Akademinë a Arteve- dega pikturë, me Profesorin Nysret Salihamigjiqi.
Karrierën si këngëtare e filloi shumë herët, në moshën 16 vjeçare, si gjimnaziste, kur filloi punën, së pari në programin e dytë të Radio Prishtinës, e pastaj në TV Prishtina, si gazetare-spikere (deri në momentin, kur u përjashtuan nga puna, të gjithë punëtorët e Radio Televizionit të Prishtinës, më 5 korrik 1990.)
Është martuar me xhiruesin filmik- Shukri Kaçanikun, njërin ndër pionierët e kamerës, në Kosovë dhe kanë dy djem, Fidanin e Jetonin, të cilët jetojnë e punojnë, në Oslo të Norvegjisë.
Nga Norvegjia, ku qëndroi me familjen një kohë të gjatë, vazhdimisht mbajti lidhjen me ekipin e Televizionit Kosovar, si korrespondente në Televizionin Shqiptar. Me t’u kthyer në vendlindje, më 2006 filloi edhe të përgatisë emisionin -“Pa skenar”, ku prezantonte vlerat e krijuesve të dikurshëm, për të mos i harruar dhe që t’i njihte edhe gjenerata e re. Nga janari 2012, filloi një radio program në internet “Radio Nostalgjia” kryesisht me këngë të krijuara në Radio Prishtinë, këngë të cilat gjenerata e re as që i ka dëgjuar ndonjëherë. Programi i kushtohet kryesisht mërgimtarëve që të çmallen me muzikë të bukur shqipe në orët e vona të natës.
Ndër vite, herë pas here, ka bërë edhe incizimin e disa këngëve, me që është rritur me këngët e babait, muzikën e ka pjesë të pandashme të jetës. Në një CD bëri përmbledhjen e këngëve të saj dhe gjithashtu solli nga e kaluara disa këngë me orkestrim të ri dhe me klipe si “E dehun jam”, “oj Hanë”, “Mitrovicë o vendi im” etj.
Një përvojë e tillë jetësore e profesionale, e bënë bisedën më të pasur dhe e fillojmë me pyetjen:

Cilat janë kujtimet më të lumtura, të kësaj jete artistike? Çka i bënë ato të veçanta?
Antigona: Meqë kam filluar shumë herët me profesionin e gazetares, më është bërë pjesë e qenies dhe unë nuk e kam konsideruar asnjëherë si punë por si diçka që më krijon kënaqësi ta bëjë e kur arrijë, me këtë punë time, të krijojë edhe ndokujt tjetër çaste të këndshme, atëherë kjo më krijon lumturi dhe sa të hidhura që ishin çastet kur na e ndërprenë punën, dhunshëm nga regjimi pushtues serb, po aq të lumtur ishin ditët e rifillimit të punës, që jepnin shpresë të madhe, për rikthimin e vlerave e sukseseve në çdo lëmi.

Tingëlloni thuajse këto shpresa kanë humbur?!
Antigona: Të them të vërtetën, nuk e kam më atë entuziazmin e fillimit, kur u çliruam kisha aq shumë, vullnet e ambicie, dëshirë e ideja për shumë realizime por me kalimin e kohës, arritën të shkrihen e të bien në gjumë, nga pamundësia e përkrahjes dhe realizimit, si për shembull, ka shumë vite që tentoj të shpëtohen xhirimet e vjetra të Televizionit të Prishtinës, një arkiv aq i pasur, që po shkatërrohet e askush nuk merr hapa që ta bartë në teknikë të re, gjithë ajo pasuri kombëtare, historike, krijuese, me dhjetëra drama origjinale televizive, me shumë shfaqje të xhiruara të Teatrit tonë Kombëtarë, emisione dokumentare, muzikore, artistike, për fëmijë, arsimore e shumë e shumë çka tjetër, krijuar nga njerëzit e krijuesit tanë, në kushte jashtëzakonisht të vështira por gjithherë me dëshirë që të prezantojmë, sa më denjësisht kulturën e qytetërimin tonë, për të cilat krijime, janë marrë edhe shumë çmime e shpërblime, nëpër festivale ndërkombëtare. Mirëpo… le të mos humbi shpresën tërësisht, e të besoj se do të rregullohet së shpejti kjo gjë.

Për çka mendoni që kanë nevojë artistët tanë?
Antigona: Për çka ka nevojë edhe e gjithë Kosova, për një mbarësi në të gjitha nivelet, njerëz meritor në vende të duhura, përkrahje dhe angazhim cilësor për vlera të mirëfillta, konkurrencë të denjë, privilegje vetëm për të merituarit dhe ligj e jetësim të ligjit, për autorësi e shumë çka tjetër, që do të mund të ja kthejë besimin e dinjitetin artistit, artit e kulturës në përgjithësi.

Si mendoi si mund të kthehet , shija e humbur për muzikën, apo më mirë të themi vlera e mirëfilltë?
Antigona: Shija është e lindur por gjithsesi shumë më shumë e kultivuar nga vegjëlia, nëse në familje, institucione parashkollore e shkollore, në shoqëri, posaçërisht media audiovizuele e kultivon dhe e plason vlerën e vërtetë, të cilit do lloj arti, do ta krijosh edhe shijuesin e asaj vlere dhe në art, si edhe në çdo lëmi tjetër, nuk duhet bërë asnjëherë dallime në gjini por duhet përkrahur talentët e vërtetë, duhet krijuar kushte dhe fonde për realizime artistike, si mënyra më e bukur dhe më e mirë e prezantimit të një shteti dhe kulturës së atij shteti në botë.
Sikur të flisja kështu, në cilindo vend tjetër të civilizuar, do të qeshnin me mua, se si po flas gjëra që janë aq të natyrshme për një shoqëri bashkëkohore, këtu edhe më tutje, kur flet me rezonim të shëndosh, të duket vetja se po filozofon, ngase ka kapluar gjithë kulturën një apati, çdo gjë krijohet sa për të fituar një donacion, për një premierë, për një performancë të dedikuar të çastit dhe aty përfundon.

Antigona Qena padyshim është “zëri i artistëve”, emisioni i saj”Pa skenar” është shembulli më i mire, i ngrohtësise së fjalës së artistve, veprimtarive të tyre, ndaj përvojës së asaj ekzistence me disa esenca shpirtërore. Zemerbujaria e Antigonës, dallohet çdokund ku ajo është e pranishme, ndaj edhe meriton falenderimet dhe urimet më të mira.
Në fund Antigona tha se shpreson shumë në rininë tonë, të talentuar, të mençur, të bukur dhe gjithmonë të guximshme. Dhe se është radha jonë që ta ndërtojmë të ardhmen e lumtur.

Dafina Xh. Smajli
(studente në DAM)

Comment

*