Paskal Milo: Me Ramën, pakt xhentëllmenësh që u harrua

Intervistë e ish-Ministrit të Jashtëm, Paskal Milo, kryetar i partisë Demokracia Sociale në opozitë në Shqipëri dhënë gazetës “Illyria”:  “Bashkim në Europë, se në rrethanat aktuale, shqiptarët nuk mund ta realizojnë projektin e tyre nacional” – “Zakonisht Partia Demokratike ka dëshmuar që veprime të tilla të hapura antiligjore, të dhunshme, i kryen në momentin kur ajo e ndjen që po shkon drejt humbjes. Nëqoftëse i thërrasim kujtesës, pak a shumë, veprime të tilla si këto që po përpiqet të bëjë tani, ka bërë edhe në pranverën e vitit 1996”

 

Bisedoi Denion Ndrenika

 

-A besoni se Shqipëria është gati, përfshirë opozitën qeverinë, për të shkuar në një proces zgjedhor të ndershëm, të drejtë dhe korrekt?

-Paskal Milo: “Nuk e besoj që është gati, për fat të keq, sepse ka shenja, të cilat nuk dëshmojnë që ka një reflektim serioz për të bërë më së fundi në Shqipëri, një palë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në radhë të parë, e dëshmoj këtë mendim me faktin që institucioni që duhet të administrojë zgjedhjet dhe që qëndron në krye të piramidës administrative të zgjedhjeve, siç është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, tashmë përbëhet vetëm prej katër anëtarësh, në një kohë që sipas ligjit duhet të funksionojë me 7 anëtarë. Që këtu procesit zgjedhor shqiptar më 23 qershor i vihet një pikëpyetje e madhe.

Është institucioni që do të certifikojë rezultatet e zgjedhjeve, por ai bëhet vetëm duke pasur minimalisht 5 vota pro. Por, tani me katër anëtarë ai nuk ka mundësi që qoftë edhe formalisht të certifikojë rezultatin e zgjedhjeve të 23 qershorit. Dhe, që këtu bie çdo lloj hipoteze që ne mund të kemi në Shqipëri zgjedhje të lira dhe të ndershme”.

 

-Zoti Milo, megjithë problematikën e thellë që shkakton Komisioni i Qendror i Zgjedhjeve, ne kemi edhe listën e zgjedhësve, pra si probleme të deklaruara nga opozita. Kam një pyetje të thjeshtë: Nëse e shihni si problematike këtë çështje dhe në tërësi përgatitjet zgjedhore, përse nuk plotësohen vendet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, përse nuk i jepet një rrugëzgjidhje, apo edhe propozime, për të mos përmendur shprehjen popullore “le t’i mbetet topi në derë” palës tjetër që nuk i pranon këto kërkesa apo nuk i mirëpret prozimet?

-Paskal Milo: “Qeveria e Partisë Demokratike dhe lideri i saj kanë bërë një ndërhyrje arbitrare në kompozimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Sipas ligjit, njeriu që zgjidhet anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka një mandat 6-vjeçar. Dhe, në momentin që Partia Demokratike ndërhyri përmes mekanizmit të shumicës që ka në Kuvendin e Shqipërisë për të përjashtuar një anëtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që i takonte Lëvizjes Socialiste për Integrim, që këtu hapur pati një përpjekje për ta shkatërruar procesin zgjedhor. Këtu është burimi i të gjithë ngërçit që është krijuar në Shqipëri me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Nëse zoti Berisha kërkon që të imponojë (siç jo rrallëherë bën ai), që Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ta keqpërdorë siç mund ta ketë përdorur edhe herë të tjera, tani shqiptarët, madje edhe komuniteti ndërkombëtar, nuk mund të pranojë një ndërhyrje të tillë brutale, që është dëshmi e një filozofie të pakorrigjueshme të tij për t’i imponuar kujtdo dhe në çdo gjë, mendimin dhe interesin e tij. Nëqoftëse nuk respektohet ligji dhe nuk rikthehen në formulën normale të kompozimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, opozita nuk ka se si të mund me pjesëmarrjen e saj në këtë komision, të ligjërojë një padrejtësi të tillë, që do të thotë që ajo të pranojë nesër manipulimin e zgjedhjeve nga institucioni që ka për detyrë, mbështetur në ligj, që të administrojë dhe të certifikojë përfundimisht rezultatin”.

 

-Për të mos mbetur vetëm te çështja e KQZ-së, por për ta ndërthurrur edhe me problematikën e koalicionit opozitar. Përderisa ka vërejtje dhe kritika për ndërhyrjen në mënyrë të njëanshme e të dhunshme, sikur po thotë vetë opozita, a nuk do të jetë po kaq e njëanshme dhe ndërprerja e mandatit të katër anëtarëve të tjerë, meqë do të ribëhet apo do të kemi një rikompozim? Vetë opozita brendapërbrenda nuk mundi që të nxirrte disa kandidatura? Bëj fjalë për KQZ-në. Por, pyes edhe për për shembull për lista të përbashkëta mes partive aleate për mbarëvajtjen e koalicionit opozitar?

-Paskal Milo: “Opozita ka edhe ajo padyshim përgjegjësitë e veta në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Por, duhet ta ndajmë pyetjen në dy pjesë: në përgjegjësinë e opozitës për të plotësuar detyrimet e saj në raport me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe me organizimin e opozitës si një e tërë në funksion të këtyre zgjedhjeve.

Zoti Edi Rama, kryetari i Partisë Socialiste ka deklaruar që opozita nuk do të bëjë koncensione me Sali Berishën për të legjitimuar këtë ndërhyrje të dhunshme në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe preferon më tepër që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve le të vazhdojë të funksionojë si instrument i Partisë Demokratike dhe jo si një instrument i paanshëm për administrimin e zgjedhjeve. Një mënyrë e tillë do ta detyronte ose do ta vinte Partinë Demokratike nesër përpara përgjegjësisë kapitale për manipulimin e zgjedhjeve, për keqpërdorimin e institucionit kryesor për administrimin e zgjedhjeve. Duke pasur parasysh edhe reagimet e përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Europian për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, opozita është mjaft komode që të presë dhe të shikojë se si do të sillet deri në fund Sali Berisha dhe partia e tij për një çështje kaq të rëndësishme siç janë zgjedhjet e 23 qershorit. Do të vihet përpara një përgjegjësie të jashtëzakonshme!

Zakonisht Partia Demokratike ka dëshmuar që veprime të tilla të hapura antiligjore, të dhunshme, i kryen në momentin kur ajo e ndjen që po shkon drejt humbjes. Nëqoftëse i thërrasim kujtesës, pak a shumë, veprime të tilla si këto që po përpiqet të bëjë tani, ka bërë edhe në pranverën e vitit 1996, në prag dhe gjatë zgjedhjeve parlamentare të asaj kohe, gjë që i solli Shqipërisë, një kosto shumë të lartë politike, sociale, dhe ekonomike dhe që dëmtoi rëndë imazhin e Shqipërisë në botë. Tani do të jetë vërtetë një aventurë fatale për Sali Berishën dhe partinë e tij në rast se ai vërtetë mendon se mund të shkojë në të njejtën rrugë të manipulimit të zgjedhjeve, sepse tashmë jemi shumë vite më vonë dhe shqiptarët janë shumë herë më të ndërgjegjësuar për nevojën që ka Shqipëria për të bërë rotacion politik dhe për t’u futur përfundimisht në rrugën e ndërtimit të një demokracie funksionale perëndimore.

Tani, opozita sigurisht që ka problemet e saj. Nuk është pa çështje të diskutuheshme dhe nga një pikëpamje përsa kohë që ka parti të ndryshme politike në opozitë, patjetër që do të ketë edhe këndvështrime të ndryshme edhe interesa të ndryshme, Por, ajo që ne kemi ngritur si një vërejtje në adresë të Partsië Socialiste, ka qenë çështja e besimit, e ndërtimit të urave të mirëkuptimit reciprok dhe çështja e moralit politik. Partitë organizohen në koalicione mbi bazën e marrëveshjeve midis xhentëllmenëve”…

 

-Gjë që nuk ka ndodhur?

-Paskal Milo: “Për fat të keq, një marrëveshje xhentëllmenësh të arritur kohë më parë me kryetarin e Partisë Socialiste, nuk u realizua dhe kjo është për të ardhur keq. Unë e kam shprehur edhe në tryezën e bisedimeve me zotin Rama, i kam shprehur edhe publikisht arsyet se përse kjo marrëveshje xhentëllmenësh nuk funksionoi për shkak të kushteve që m’u vendosën mua si kryetar i partisë Demokracia Sociale. Dhe, këtu vjen çështja e moralit politik. Unë nuk mund të sakrifikoj një parti, cilado qoftë ajo dhe sado qoftë ajo. Nuk është ashtu siç thotë ndonjë gazetë e përdalë e Tiranës apo ndonjë filozof kafenesh, “një parti apo dy parti, së bashku me atë të zotit Skënder Gjinushi (Partia Socialdemokrate), që nuk kanë histori, që nuk kanë identiettet” dhe që nuk meritojnë të repsketohen edhe nga aleati i tyre i madh, Partia Socialiste. Ne biografinë tonë politike e kemi shkuar me punën tonë, me aktivitetin tonë, me sjelljen tonë dhe sot nuk ka shqiptar që të akuzojë Demokracinë Sociale apo kryetarin e saj si të korruptuar, si të lidhur me krimin, me mafian, apo me qarqe të dyshimta të shoqërisë së zezë shqiptare, siç është bërë dhe po bëhet me shumë politikanë të tjerë. Pra, ne kemi një moral të qartë, solid dhe kjo na mban në skenën poltiike dhe kjo na bën që të shprehemi hapur pa mëdyshje dhe pa pasur frikë nga rrjedhojat e veprimeve tona të qarta dhe transparent dhe në mënyrë të veçantë pa dashur të përkulim shtyllën kurrizore përpara kujtdoqoftë për shkak të pushtetit që po vjen”.

 

-Me gjithë këto problematika, mos duhet të kuptojmë që opozita nuk është shumë e sigurtë, nuk është shumë e bindur dhe nuk beson sëtepërmi që do t’i fitojë zgejdhjet? Këto patjetër që do të kenë një ndikim, apo jo?

-Paskal Milo: “Në marrëdhëniet e Demokracisë Sociale me Partinë Socialiste nuk do të ketë asnjë ndikim gjatë fushatës zgjedhore, sepse ne jemi të ndërgjegjshëm që edhe nëse është bërë një gabim nga Partia Socialiste në adresë të Demokracisë Sociale siç ka ndodhur rëndom, për shkak të objektivit madhor që ne kemi me Partinë Socialiste përkundrejt një koaliconi në rënie dhe në ikje, nuk duhet që të artikulojmë dhe as të vëmë përpara një mendim ndryshe apo një mosmarrëveshje që ne kemi në marrëdhëniet midis nesh”.

 

-Zoti Milo ju keni qenë ministër i Jashtëm në një periudhë të rëndësishme të zhvillimit të territoreve etnike të shqiptarëve. Mbaj mend një debat tuajin me Jevgeni Primakovin (ish-kryeministri i Rusisë gjatë luftës së Kosovës) për çështjen e Kosovës. A jeni i kënaqur si politikan, si ish-ministër i Jashtëm dhe si historian që shqiptarët tanimë kanë një tjetër rrugë, ndoshta larg formulës “që ne do të bashkohemi në Europë”? Pra, a ka mundësi të tjera për të bërë një bashkim ndërmjet shqiptarëve?

-Paskal Milo: “Unë dua të jem i qartë, pavarësisht se jo të gjithëve mund t’u pëlqejë mënyra e hapur se si unë i qasem pyetjes tuaj. Nuk ka rrugë tjetër për shqiptarët pa kosto të lartë jo vetëm politike, por edhe nacionale për të bërë bashkimin e shqiptarëve në rajon.

Së pari, duhet të ndërgjegjësohemi dhe të mos përkëdhelim sedrën tonë ose ëndrrën tonë për t’u bashkuar si një komb. Duhet të jemi realistë. Shqiptarët janë një faktor i rëndësishëm në Ballkan, por duhet të kuptojmë që rëndësinë që kemi si faktor ta përdorim për të stabilizuar Ballkanin, për ta pajtuar rajonin, për të dhënë kontributin tonë që ky gadishull të mos vazhdojë të mbetet një rajon që ende do të vazhdojë të ruajë atë konotacion të vjetër të “fuçisë së barutit”. Shqiptarët kanë arritur në këta 15 vjet sëbashku një stad të atillë zhvillimi dhe identiteti që nuk ka qenë e mundur të mendohej se do të arrihej kaq shpejt. Prandaj, politika shqiptare në të dy apo në tre kahjet apo katër sa ka në rajon, nuk duhet që të bëhet spekulative dhe për interesa të brendshme politike me çështjen nacionale shqiptare. Përkundrazi, duhet dhe e kanë për mision që të qartësojnë shqiptarët që rruga më e natyrshme, pa kosto dhe më e sigurtë është integrimi i të gjithë shqiptarëve në Bashkimin Europian dhe për rrjedhojë bashkimi në këtë familje në mënyrë shumë-shumë komode. Çdo përpjekje tjetër apo çdo tezë tjetër që hidhet në tregun e politikës apo të medias nga individë të veçantë po u them me bindje të plotë që është tepër spekulative. Mund të jetë në thelbin e vet emocionale, mund të jetë patriotike, mund të jetë e sinqertë, por në fund të fundit në politikë gjithmonë duhet të llogariten faktorët që bëjnë të mundur ose jo zbatimin e një projekti politik ose nacional. Në rrethanat aktuale, duke u mbështetur në konjukturën rajonale dhe në atë ndërkombëtare, shqiptarët nuk mund ta realizojnë projektin e tyre nacional as me lëvize të fuqishme kombëtare rajonale, as me luftë që nuk bëhet fjalë, por nuk kanë as edhe mbështetjen e një faktori kryesor ndërkombëtar për ta bërë një gjë të tillë!

Dihet që në momentin kur nuk e mbështet këtë opcion Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe as Bashkimi Europian, atëherë kush do t’i mbështesë shqiptarët!?

Shtrohet pyetja: Mos vallë ndonjë vend afrikan, mos vallë ndonjë vend nga Amerika Latine apo nga Azia? Kuptohet se, cilat janë ato qendrat vendimmarrëse ndërkombëtare me ndikimn në Ballkan. Aq më tepër, që shqiptarët duhet të jenë të kujdesshëm që të mos i vendosin partnerët tanë ndërkombëtarë që na kanë mbështetur kaq shumë për të arritur këtu ku jemi, në një pozitë të vështirë, që mund të dëmtojë edhe marrëdhëniet midis nesh”.

 

-Zoti Milo, ju përmendët katër pjesë për shqiptarët. Keni përfshirë Kosovën, shtetin maqedonas, Shqipërinë dhe Malin e Zi. Atëherë, çka për Luginën e Preshevës dhe veçanërisht për Çamërinë?

-Paskal Milo: “Këtu fjala është për minoritete ose për shqiptarët le ta themi më mirë, të cilët janë tashmë të identifikuar qartë në shtetin e pavarur të Kosovës që nuk ka asnjë diskutim. Në Republikën e Maqedonisë që janë një faktor i rëndësishëm kushtetues dhe në Malin e Zi që ka një njohje zyrtare dhe disa të drejta si dhe një pjesëmarrje aktive politike të tyre në jetën e vendit.

Në Luginën e Preshevës është shumë e  njohur dhe shumë e qartë që ka një popullsi shqiptare, pavarësishst nga largimet e shumta që janë bërë qoftë të detyrueshme, të dhunshme, por edhe nga vetë njerëzit atje. Por, gjithsesi mbetet një problem minoriteti në Serbi dhe jo çdo minoritet kudo që ai ndodhet (sepse nuk ka vetëm në Serbi, ka edhe në Shqipëri, ka edhe në vende të tjera) ka të drejtën legjitime që të kërkojë shkëputje dhe të bashkohet me shtetin amë. Ajo çka duhet për minoritetet është që të gëzojnë të gjitha të drejtat që i takojnë në përbërje të një shteti të caktuar ku ata jetojnë historikisht. Sepse, po të ndodhë ndryshme, që të gjithë minioritetet të kërkojnë që të bashkohen me shtetet amë në Europë dhe në të gjithë botën, atëherë e merrni me mend se ç’katrahurë bëhet?!

Prandaj ka në të Drejtën Ndërkombëtare një seksion të posaçëm që quhet “E drejta e minoriteteve”, që rregullon me ligjet ndërkombëtare dhe të reflektuara në legjislacionet vendase, të drejtat dhe liritë që duhet të gëzojnë patjetër minioritetet. Këtu është fjala edhe për shqiptarët e Preshevës, të Bujanocit dhe të Medvegjës. Në rastin kur do të kishte një zgjidhje tjetër që nuk do të cenonte ekulibret e brishta rajonale që janë krijuar tani që nga Bosnje e Hercegovina e deri në Maqedoni, atëherë mund të shtrohej për zgjidhje një mënyrë për të rregulluar çështjen e minoriteteve midis shqiptarëve dhe serbëve. Por, aktualisht kjo, për të mos thënë që është e vështirë, po them me bindje që është e pamundur, sepse do të krijonte një efekt domino që nga Bosnje e Hercegoviva ku Republika Srpska është gati për të filluar një aventurë tjetër në se do t’u lejohej dhe deri te Maqedonia e brishtë që ende ka mjaft probleme në marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe maqedonasve dhe që do të hapte “Kutinë e Pandorës”.

Pra, me pak fjalë, kërkohet pak më shumë realizëm në gjykim dhe jo emocion. Të gjithë duam dhe ëndërrojmë që të bëhet më e mira, por duhet të shikojmë, të gjykojmë me gjakftohtësi nëse janë kushtet për t’u bërë, nëse dikush na mbështet apo jo, sepse ndryshe pastaj përfundon si një patriot ex-katedra që mban ligjërata në apo sheshet e Shqipërisë apo të Kosovës dhe shndërrohesh vetvetiu në një donkishot nacionalist i pavlerë ose në të kundërtën në një politikan që keqpërdor ndjenjat e sinqerta nacionale të njerzëve të thjeshtë”.

 

-Më lejoni të përsëris edhe çështjen e Çamërisë. A shihni rezultate të pritshme që të rregullojnë këtë çështje? Pra, jo thjesht për shqiptarët që mund të venë e të vinë apo të marrin atë tokë që mund të kenë atje, sepse legjislacioni në Greqi apo në çdo vend tjetër mund të ndryshojë dhe ti nxjerrë ata jashtë kohës të së drejtës së pronës. Unë dua të them a mund të kemi ndonjë lloj autonomie pak më të gjerë, po e quaj (siç i shkruante Herrman Nojenbauerit (ish-ministri i Gjermanisë naziste), Jani Metaksai (ish-kryeministri grek), në vitet e Luftës së Dytë Botërore për “krahinën pak më shumë autonome” si rajon se sa të tjerët? Pra, që çamët atje të mbetur në Greqi të kenë më shumë të drejta?

-Paskal Milo: “Çështja e Çamërisë është shumë herë më delikate dhe më e komplikuar se sa ajo e shqiptarëve në vendet e tjera të rajonit. Kjo në radhë të parë për faktin se në Çamëri sot nuk ka një lëvizje të brendshme të çamëve që mund të jenë atje, për të kërkuar liritë dhe të drejtat e tyre. Dhe, përsa kohë nuk ka një kërkesë të tillë nga brenda, vështirësohet shumë procesi i identifikimit të një minoriteti.

E dyta, unë e njoh nga pikëpamja historike padrejtësinë dhe strategjinë e të gjitha qarqeve qeveritare greke për ta eliminuar popullsinë çame si një problem minoriteti në Greqi. Mund t’iu them që nëse në vitin 1926 dhe 1927 u ndal procesi i shkëmbimit të popullsive midis Turqisë dhe Greqisë në kurriz të shqiptarëve myslimanë nga Çamëria, përkohësisht. Më vonë, filluan disa përpjekje modeste në marrëdhëniet midis dy vendeve për të mbrojtur atë komunitet që kishte mbetur, për t’i dhënë një status dhe duke hapur edhe 10 shkolla në vitet ‘20-‘30 ku filloi të mësohej gjuha shqipe. Por, për fat të keq, pas Luftës së Dytë Botërore, për shkaqe që dihen, shqiptarët myslimanë ose u dhunuan ose u burgosën, ose u detyruan të braktisin vatrat e tyre amtare.

Kështu që, problemi çam tani, është një problem ekzogjen me një histori endogjene. Kjo çështje tashmë që nuk është e vetmja në praktikën ndërkombëtare (se ka edhe komunitete të tjera etnike që janë shpërngulur me dhunë dhe që kanë vuajtur historikisht), nuk do të mund të zgjidhet, në qoftëse nuk do të ketë vullnet politik të shprehur qartë dhe nëqoftëse nuk do të ketë një angazhim shumë serioz të institucioneve ndërkombëtare që e kanë për detyrë të merren me çështje që kanë të bëjnë me liritë dhe të drejtat e njeriut dhe të minoriteteve”.

 

-Zoti Milo, kryeministri Sali Berisha në tubimet e tij ka premtuar edhe punë të qeverisë së ardhshme për të hequr vizat me Shtetet e Bashkuara, pavarësisht disa kritereve apo vlerësimeve që kanë vetë amerikanët për këtë çështje. Çfarë mendoni se mund të bëhet? A është gabim që shtrohet si diskutim apo ta lëmë thjesht si çështje zgjedhore?

-Paskal Milo: “Sali Berisha është i njohur si një takticen politik që në momente të caktuara hedh një shashkë për të zhvendosur vëmendjen e shqiptarëve nga problemet kryesore. Këtë radhë nuk bëri përjashtim edhe në Durrës. Nuk ka çfarë t’u ofrojë më shqiptarëve në fushatën elektorale, sepse në këto 8 vjet i ka konsumuar të gjitha premtimet qoftë për rritje pagash, qoftë për rritje pensionesh, qoftë për punësim, qoftë për investime, qoftë për krijimin e një Shqipërie europiane e të tjera, e të tjera! Duke qenë se këto premtime nuk zënë më vend në mendjen e shqiptarëve, atëherë ai e shpiku një çështje të tillë për të mundur që të mashtrojë ata që mund të mashtrohen me ëndrrën amerikane, pa u konsultuar minimalisht edhe me ministrinë e Punëve të Jashtme, e cila me siguri që do t’i sugjeronte kryeministrit (në rast se do të ishte pyetur), sektori konsullor madje i saj, se si funksionon dhe se çfarë standardesh kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të arritur një marrëveshje me çdo vend qoftë për liberalizimin e vizave.

Unë reagova pa pritur deklaratën e ambasadës amerikane, sepse nga përvoja ime si ish-ministër i Jashtëm dhe si historian i diplomacisë, e di që nuk mjafton vetëm të shprehësh një dëshirë, qoftë edhe nga kryeministri i Shqipërisë, që të mund të realizohet një marrëdhënie e tillë dhe që të mund t’u jepet shqiptarëve liria e pakufizuar për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Çdo shtet serioz dhe aq më tepër Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë një regjim shumë të sofistikuar, sa liberal, sa humanitar, por aq edhe ligjor kur vjen fjala për të ndaluar ato fenomene negative që ata i përballojnë me shumicë dhe përditë, jo vetëm nga Europa që janë madje më të paktat, se sa nga Meksika apo shumë vende të tjera kufitare që ata mund të kenë. Prandaj edhe kanë vendosur rregulla të qarta dhe ndjekin me shumë kujdes politikën e emigracionit. Shtetet e Bashkuara kanë institucione të posaçme që merren me emigracionin dhe kanë politika që janë në qendër të vëmendjes të institucioneve amerikane dhe të politikës amerikane.

Presidenti Barak Obama bëri një gjest shumë domethënës në favor të emigrantëve ilegalë që mund të kishin hyrë prej vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo është një shenjë demokracie, por është në të njejtën kohë edhe shenjë respekti për kombet e tjerë. Mirëpo, kjo nuk do të thotë gjithsesi që Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të hapin portat për cilindo që mund të kërkojë të vejë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo, sepse siç po dëshmohet vazhdimisht, ka njerëz nga anë të ndryshme të botës, që nuk i duan Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që vrasin qytetarët amerikanë dhe administrata amerikane duhet të jetë jashtëzkaonisht e kujdesshme që të mbrojë jetën e qytetarëve amerikanë; dhe që nuk mund të lejojë që cilido pa kontroll, sidomos nga shoqëritë ende jo demokratike që nuk plotësojnë standardet demokratike, sepse edhe njerëzit kryesorë që shkaktojnë deliket kundër qytetarëve amerikanë vijnë pikërisht nga këto vende.

Deklarata e ambasadës amerikane ishte shumë e qartë. Një standard ajo nënvizonte (por ka edhe shumë të tjerë) dhe ai ishte që niveli i refuzimit për vizate amerikane për qytetarët shqiptarë është mbi 40 për qind, në një kohë që niveli i pranueshëm është 3 për qind! Imagjinoni se sa larg janë këto dy shifra dhe sa kohë i duhet Shqipërisë dhe qytetarëve shqiptarë që të respektojnë ligjet amerikane, me qëllim që të arrihet një marrëveshje partnerësh dhe që të ketë besueshmëri të lartë”.