PD do t’i propozojë tri amendamente kushtetuese

Tiranë, 19 tetor 2021 – Grupi parlamentar i Partisë Demokratike (PD) do të depozitojë të mërkurën në Kuvend tri amendamente kushtetuese që do t’i hapnin rrugë vettingut të politikanëve, reformës territoriale dhe reformës zgjedhore në Shqipëri.

Sekretari Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi në një deklaratë për mediat, ka thënë se ndryshimet që propozohen nga PD-ja janë në interes të qytetarëve. Ai ka theksuar se në institucionet më të larta shtetërore nuk duhet të ketë persona të lidhur me krimin e organizuar dhe korrupsionin.

“Ka ardhur momenti që të sigurojmë që në institucionet më të larta shtetërore në parlament, në qeveri dhe në institucionet kushtetuese të kemi persona jo të lidhur me krimin e organizuar dhe persona që nuk janë të korruptuar”, ka thënë ai.

Bardhi nuk ka dhënë detaje për amendamentet që do t’I propozohen kuvendit.

“Nesër do të njiheni edhe me propozimet tona të plota. Sot grupi i punës e ka siguruar depozitimin e këtyre amendamenteve, gjatë ditës së nesërme”, ka thënë ai.

Burime pranë PD-së kanë thënë se Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, në mbledhjen e grupit parlamentar, ka thënë se tri amendamentet që do të propozohen janë të  domosdoshme për nxjerrjen e vendit nga kriza politike.

“Amendamentet e propozuara nga Partia Demokratike janë të domosdoshme për të nxjerrë vendin nga kriza politike. Shqiptarët sot e dinë se problemet që ata hasin te çmimet, te pamundësia për të përablluar kostot e jetesës, në punësim, arsimim, shëndetësi, biznes e kudo tjetër burojnë aty ku e ka gjenezën lufta jonë me përkthimin e legjitimitetit, te zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, citohet të ketë thënë Basha.

“Pra nuk po ndërmarrim këto iniciativa për Partinë Demokratike, por për shqiptarët, që të kenë mundësi të zgjedhin dhe mundësi për të zgjedhur kandidatët që nuk kanë lidhje me krimin, kandidatë që nuk kanë lidhje me korrupsionin. Nga ecja përpara e këtyre iniciativave, përfitojnë qytetarët, si në rastin e zgjdhores dhe asaj territoriale, ashtu edhe në rastin e vetingut në politikë, jo një parti apo një tjetër, por çdo qytetar që kërkon ndryshim, që kërkon përfaqësim, që kërkon një politikë të pastër, larg ndikmit të krimit dhe korrupsionit”, është shprehur Basha.

(r.m.)

Comment

*