PD-ja prezanton tri nismat për ndryshimet kushtetuese

Tiranë, 3 nëntor 2021 – Kryetari i grupit parlamentar të PD, Alfred Rushaj, deklaroi se pastrimi i politikës nga zyrtarët e lartë dhe politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin i shërben një qeverisje më të mirë për qytetarët dhe i jep fund modelit të papërshkueshmërisë.

Duke prezantuar vetingun e politikanëve në mbledhjen e përbashkët të Komisionit të Ligjeve dhe Këshillit të Legjislacionit, Rushaj tha se ka ardhur koha që politikanët të trajtohen nga ligji njësoj si gjyqtarët, prokurorët dhe policët, të cilët kalojnë procesin e vetingut për ligjshmërinë e pasurisë dhe kontakteve të papërshtatshme me krimin.

“Dekriminalizimi i plotë dhe zbatimi i të njëjtave norma të vetting-ut për vlerësimin e lidhjeve me krimin e organizuar, dhe ligjshmërinë e pasurisë, duhet të zbatohet edhe ndaj zyrtarëve të lartë publikë, ku përfshihen deputetët, Kryeministri, ministrat, kryebashkiakët dhe drejtuesit e institucioneve kushtetuese. Kjo garanton parimin e barazisë përpara ligjit, dhe përbën një premisë për një qeverisje të pandikuar nga krimi i organizuar dhe korrupsioni, duke pastruar nga radhët e politikanëve dhe zyrtarëve të lartë, individë të lidhur me krimin e organizuar dhe të korruptuar. “- u shpreh zoti Rushaj.

Kreu i grupit parlamentar të PD, përdori fjalët e Paolo Brosellino-s.

 “Ekziston një keqkuptim bazë sipas të cilit politikani që shoqërohet me mafiozë, nëse nuk dënohet nga gjykata, është i ndershëm! JO! Gjykata mund të bëjë vetëm vlerësime të natyrës gjyqësore. Është detyrë e institucioneve që Të flakin politikanët e afërt me Mafian, për të qenë të ndershme dhe për t’u shfaqur si të tilla”, u shpreh ai.

(BalkanWeb)

Comment

*