PD kundër komisioneve online: Rama me 40 hajdutët mos marrin peng Shqipërinë

Anëtarët e Partisë Demokratike kërkojë të marrin pjesë fizikisht dhe kundërshtojnë vendimin për t’i zhvilluar komisionet online. Në një deklaratë për medien deputeti Helidon Bushati u shpreh që ky teatër duhet të marrë fund dhe ata do të jenë prezentë në çdo komision.

Bushati: “Sot së bashku me kolegët, përfaqësues të PD-së në komisionin e aktiviteteve prodhuese u paraqitëm siç e kishim lajmëruar në sallën e komisionit nuk na u dha fjala. Konferenca e kryetarëve e ka parashikuar qartë në dispozitën për punën e komisioneve online, që në raste të çështjeve të rëndësishme, komisionet mund të bëhen edhe fizikisht. Ne jemi në komision për të vazhduar luftën  për përmirësimin e jetesës së familjeve shqiptare, do të ndërmarrim çdo hap ligjor për të përmirësuar jetën e tyre dhe do të jemi prezentë në komisionin e aktiviteteve prodhuese ashtu si kolegët e tjerë do jenë prezentë në komisionet përkatëse. Ky teatër absurd të përfundojë dhe Edi Rama me 40 hajdutët e tij të mos marrin peng Shqipërinë dhe qytetarët e Shqipërisë.”

Gjekmarkaj: Kukullat e Edi Ramës nuk kanë fuqi të përballen me opozitën

Agron Gjekmarkaj u shpreh se Edi Rama nuk do ta ketë të lehtë me opozitën e Shqipërisë, ndërca e cilësoi një qeveri të dalë nga masakra zgjedhore e 25 prillit.

Gjekmarkaj: “Gjendemi përballë një situate absurde, por jo të rastësishme. Mazhoranca nuk u paraqit sepse nuk do ballafaqimin me opozitën. Kukullat e Edi Ramës nuk kanë fuqi të përballen me opozitën. Ato nuk duan të diskutojnë për çështjet e arsimit në Shqipëri, për fëmijët që largohen, për shkollat që mbyllen, pra kanë shumë gjëra të cilat ata duan t’i kalojnë. Çështja është se kjo është një qeveri që ka dalë nga masakra e 25 prillit dhe i leverdis që mos përballet me opozitën.  Ne do të jemi këtu për betejë të përditshme me regjimin i cili ka dalë nga shit-blerja më e paskrupullt e votës dhe Edi Rama nuk do ta ketë të lehtë me opozitën e Shqipërisë.”