PD-PS injorojnë ndërkombëtarët, drejt zgjedhjeve me KQZ të cunguar

Klasa politike i kanë neglizhuar thirrjet e përsëritura të faktorit ndërkombëtar për të gjetur zgjidhje që garantuese të plotësimit të vendeve bosh në institucionin qendror të menaxhimit të zgjedhjeve

 

Pavarësisht nisjes zyrtare të fushatës zgjedhore, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk është në përbërje të plotë duke e vënë seriozisht në pikëpyetje ecurinë e procesit. Kuvendi i Shqipërisë e deklaron të mbyllur legjislaturën më 25 maj, pa një konsensus e më pas gjithçka i mbetet garës në terren për të shkuar drejt 23 Qershorit.
Në seancën parlamentare të 15 prillit, mazhoranca me ndihmën e votave të tre ish deputetëve të Partisë Socialiste miratoi shkarkimin e Ilirjan Muhos, njërit anëtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i propozuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Arsyetimi për shkarkimin e zotit Muho fillimisht ishte rikthimi i barazpeshës në KQZ, pasi me largimin e LSI-së nga qeveria në opozitë, opozita kishte më shumë anëtarë në këtë institucion, të formatuar pikërisht me propozimet partiake.
Pavarësisht argumentit të dhënë prej mazhorancës se shkarkimi i Muhos dhe zëvendësimi i tij me një propozim të Partisë Republikane në mazhorancë garantonte balancën në këtë institucion pas largimit të LSI nga qeveria, opozita e cilësoi veprimin si antikushtetues. Faktori ndërkombëtar pohoi gjithashtu se baza ligjore e këtij vendimi nuk është e qartë.
Shkarkimi i Muhos u pasua me dorëheqjet e zv.kryetarit Denar Biba dhe anëtarëve Albana Shtylla, të dy përfaqësues të propozuar nga PS si dhe të Jani Janit nga Partia e Bashkimit të të Drejtave të Njeriut, gjithashtu në opozitë, duke e lënë institucionin vetëm me katër të propozuarit e mazhorancës së djathtë. KQZ duhet të ketë 7 anëtarë, prej të cilëve nga 2 të PS-së dhe PD-së, nja 1 i secilës prej partive të më të mëdha në opozitë dhe në qeveri si dhe kryetari që zgjidhet me mirëkuptim. Me largimin e LSI-së, partitë qeveritare humbën shumicën në KQZ si arsyetim të përgjegjësisë mbi zgjedhjet, që nuk i përket opozitës.
Klasa politike i kanë neglizhuar thirrjet e përsëritura të faktorit ndërkombëtar për të gjetur një zgjidhje që do të garantonte plotësimin e vendeve bosh në institucionin qendror të menaxhimit të proceseve elektorale.
Pas një takimi të së martës me kreun e opozitës Edi Rama, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë Aleksander Arvizu shprehu shqetësim për situatën para zgjedhore.
“Ne vijojmë të jemi të frustruar nga fakti se KQZ nuk është plotësisht e konstituar në kushtet e mos funksionimit e plotë. Gjithmonë jam optimist për një zgjidhje por gjithashtu jam realist. Ne dëgjojmë dhe lexojmë me shumë vëmendje deklaratat e Kryeministrit, zotit Rama dhe zotit Meta por ata natyrisht s’janë ende afër një zgjidhjeje”, u shpreh Arvizu duke e pranuar kështu publikisht krizën dhe situatën pa zgjidhje.
Në të njëjtën linjë me Shtetet e Bashkuara është edhe Bashkimi Evropian por ambasadori Ettore Sequi sqaroi median e opinionin se nuk është pjesë e negociatave. “Ne nuk jemi pjesë e negociatave. Gjithsesi ne jemi shprehur për KQZ-në pasi është një shtyllë shumë e fortë e procesit zgjedhor”, insistoi ai.
Kodi Zgjedhor përcakton se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve formohet nga shtatë anëtarë prej të cilëve: dy vijnë si propozime të partisë kryesore të mazhorancës parlamentare, dy të tjerë si propozime të partisë kryesore të opozitës parlamentare ndërsa anëtari i pestë dhe i gjashtë vjen si propozim përkatësisht i partive të pozitës dhe opozitës në marrëveshje me njëra tjetrën. Anëtari i shtatë që është kryetari i KQZ-së votohet nga Kuvendi pas një procedure konkursi që organizohet në Komisionin e Çështjeve Ligjore.
Opozita përmes kreut të saj Edi Rama i ka mëshuar idesë se kryeministri duhet të pranojë të rikthejë në binarët e ligjit KQZ-në. “KQZ duhet të riformatohet, por nëse duan të shkojnë në zgjedhje me këtë KQZ, le të shkojnë, por ata që do të cenojnë zgjedhjet do të mbajnë përgjegjësi për aktet e tyre. Kushdo që do të guxojë të prekë fitoren tonë, do të marrë përsipër të paguajë çmimin”, shprehet Rama.
Mazhoranca deri më tani është shprehur e gatshme që të bëjë vetëm një lëshim që ka të bëjë me thirrjen e Kuvendit në një seancë të jashtëzakonshme për të kaluar në votim propozimet e opozitës për tre vendet e mbetura bosh nga dorëheqjet. Për asnjë moment, Partia Demokratike nuk pranon të hapë diskutimin mbi anëtarin e shkarkuar.
Pas takimit me shefen e Misionit të ODIHR-it Koni MekKormëk (Conny McCormak), Kryeministri u shpreh se Partia Socialiste po përpiqet të pengojë procesin zgjedhor, duke keqpërdorur anëtarët e saj në KQZ, nëpërmjet orkestrimit politik të dorëheqjeve të tyre. Berisha u shpreh i gatshëm për të plotësuar anëtarësinë e KQZ-së me emrat që opozita do të propozojë.
Mbledhjet e deri më tanishme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë kaluar jo pa debate pasi përfaqësuesit e partive të opozitës të atashuar pranë institucionit kanë denoncuar miratimin e disa aktvendimeve pa kurumin e nevojshëm.
Neni 24 i Kodit Zgjedhor parashikon rregullat për vendimmarrjen në KQZ. Konsiderohen të miratuara, kur votojnë “pro” jo më pak se 5 anëtarë të KQZ-së, vendimet lidhur me shpërndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore, pranimin e ankimit kundër vendimit për tabelat përmbledhëse për rezultatin e zgjedhjeve, kërkesat për deklarimin e pavlefshëm të zgjedhjeve në një ose disa qendra votimi, shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në zonën zgjedhore apo në të gjithë vendin.
Në një situatë ku Komisioni i Zgjedhjeve do të vazhdojë të ketë katër anëtarë atëherë këto vendimmarrje të pashmangshme do të duhet të kalonin të gjitha drejt Kolegjit Zgjedhor çka e zvarrit dhe rrezikon ta fusë procesin në një rrugë pa krye.
Dardan Malaj