PD Vlorë kundër Bashës/ Deromemaj: Do jem në takimin e Berishës, u kam bërë ftesë dhe demokratëve

Jo vetëm Berisha dhe disa deputetë apo ish- funksionarë, por Basha duket se do përballet edhe me zemërimin e disa degëve të bazës. Partia Demokratike e Vlorës ka vendosur të jetë në takimin e së shtunës që ish-kryeministri ka paralajmëruar. Madje vetë PD ka bërë ftesa për një pjesëmarrje të lartë. Nuk dihet nëse një veprim i tillë do të shoqërohet me masa

Të shtunën në orën 18 ish- Kryeministri Berisha ka lajmëruar takimin e radhës me bazën në atë që quhet si aksioni i Sali Berishës për të mposhtur Bashën. Por duket se ndasia në Tiranë po reflektohet edhe në bazë. Kryetari demokrat dega Vlorë, Genc Deromemaj, jo vetëm që ka vendosur të marrë pjesë në këtë takim por ai iu ka drejtuar ftesë edhe demokratëve të tjerë duke u bërë kështu kryetari i parë në rrethe që del kundër vendimit të Bashës.

“Përgjigja ime është e thjeshtë, po. Dhe përveç pjesëmarrjes sime, sot në cilësinë e anëtarin e PD Vlorë, kam bërë edhe një ftesë për të gjithë demokratët, që të marrin pjesë, të dëgjojnë argumentet”- u shpreh Genc Deromemaj. 

I bindur se ky debat do ta bëj partinë më të fortë kryedemokrati i qytetit bregdetar thotë se ai shkon ne këtë takim si demokrat dhe se e beson te një pjesëmarrje.

Por a do ketë penalizim për ata kryetarë degësh që mbështesin një lëvizje për të cilën Basha tha se nuk do të ketë Këshill Kombëtar, kundër vendimeve të SHBA? Vetë Krydemokrati nuk beson një fakt të tillë.

“Nuk është e vërtetët, të paktën në mbledhjen që kam qenë i thirrur nga Kryetari i Partisë, kemi pasur diskutime dhe orientime, por mund të them se orientimet kanë qenë në shërbim të situatës.”- shtoi më tej ai. 

Kreu demokrat ka mohuar zërat se ka pasur presion për të mos qenë të pranishëm. Takimi i Vlorës është i treti që kur Sali Berisha, nisi këtë udhëtim në kërkim te një referendum kundër vendimit të Bashës, për përjashtimin e tij nga grupi parlamentar. Berisha e mbyll ftesën e tij me shprehjen: Vetëm të bashkuar fitojmë, por mesa duket qartë një debat i tillë e ka ndarë qartazi PD në dy kampe./Ora News/