PDIU çel zyrtarisht fushatën

Mes qindra e mijëra mbështetësve, Partia Drejtësi, Integrim, Unitet ka çelur pasditen e djeshme zyrtarisht fushatën duke prezantuar 140 kandidatët për deputet, me të cilët PDIU do të përfaqësohet në zgjedhjet e 23 qershorit. Nën tingujt e Himnit Kombëtar dhe me një dekor ku mbizotëronin ngjyrat e flamurit, PDIU ka nisur zyrtarisht rrugëtimin e saj drejt zgjedhjeve të 23 Qershorit, duke kërkuar nga të gjithë shqiptarët që të votojnë Nr. 50.

Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim, Unitet Shpëtim Idrizi gjatë fjalës së tij është shprehur se sot është koha që të gjithë shqiptarët të votojnë PDIU. “Ju të dashur të rinj e të reja, që keni mëdyshje se për kë do të votoni, dua t’ju them diçka: Kur ju ta kuptoni origjinën e frymëzimit tonë politik, që qëndron në themelet e historive tona familjare, të brezave të tërë njerëzorë, të shpërngulur nga trojet e tyre etnike, atëherë do keni më shumë arsye pse do të votoni PDIU-në më 23 qershor. Kur ju të kuptoni se sa shumë kemi bërë Ne, të nxitur nga kjo histori personale, familjare, komunitare, tipike e popujve të gjysmuar nga genocidi, atëherë s’do të keni asnjë mëdyshje : do të votoni PDIU-në.” – u shpreh zoti Idrizi.

Duke u ndalur tek arritjet e Partisë Drejtësi, Integrim, Unitet, zotit Idrizi renditi një sërë faktesh, të cilat janë të prekshme nga të gjithë shqiptarët. “Falë PDIU-se, tanimë është një fakt i pamohueshëm se çështja kombëtare çame e nëpërkëmbur gjatë rregjimit komunist dhe tranzicionit, është sot në qendër të vëmendjes së opinion publik, debatit politik dhe solidaritetit mbarëkombëtar. PDIU  ka qenë partia e vetme shqiptare që pa kurrfarë kompleksi dhe frike ka folur haptazi për bashkim kombëtar dhe është angazhuar konkretisht me një program e plan veprimi për të përmbushur detyrën që paraqet kushtetuta shqiptare për përmbushjen e aspiratës shekullore të kombit tonë për bashkim. Ne ju bëmë krenarë se jeni çamë, sepse ne e shndërruam çështjen çame në çështjen kryesore kombëtare për t’u zgjidhur në marrëdhëniet me fqinjët. Ne i dhamë politikës shqiptare ngjyrën e flamurit , duke mbrojtur gjithmonë qëndrimet kombëtare, për ujrat detare, kundër varrezave greke pa reciprocitet, kundër censusit të paarsyeshëm mbi baza etnike dhe fetare. Ne po i japim çështjes çame një dokument politik të dorës së parë siç është Rezoluta e 2004-ës, që ka brenda gjithçka duhet për betejën tonë të re. Sepse Rezoluta nuk është e gjitha, ajo është vetëm fillimi. Rezoluta ishte e fshehur nën sirtar, nën pluhurin e harresës. Ne e detyruam politikën shqiptare të hynte në garë për të miratuar një rezolutë për çështjen çame.” – deklaroi kreu i PDIU-së.

Përsa i përketë katër viteve të ardhshme, zoti Shpëtim Idrizi, shpalosi programin e PDIU, program i cili sipas tij, do të zbatohet në çdo pikë dhe çdo gërmë :

·        Ne do të jetësojmë Rezolutën për zgjidhjen e çështjes çame dhe tëdrejtave pronësore, kulturore, etj të shqiptarëve në Greqi

·        Ne do t’i kërkojmë shumë shpejt qeverisë shqiptare t’ja dërgojë këtë tekst rezolute SHBA-se, Bashkimit Europian, shteteve më të rëndësishme të botës. Ky është një detyrim i vetë rezolutës;

·        Ne do mbajmë gjithmonë të hapur krahas shfrytëzimit të rrugëve diplomatike, dhe rrugët juridike, nëpërmjet dërgimit të kësaj çështjeje në institucionet ndërkombëtare të drejtësisë.

·        Ne do te kërkojmë të njëjtat të drejta pronësore për shqiptarët në Shqipëri, si ato që po kërkojmë për shqiptarët jashtë vendit.

·         Ne do të kërkojmë institucionalizimin e bashkimit ekonomik shqiptar, si hap që çon tek forma përfundimtare e bashkimit, objektiv i parashikuar në kushtetutën e Shqipërisë, në preambulën e saj

·         Ne do kërkojmë votimin e diasporës së vjetër dhe të re dhe sigurimin e përfaqsimit të saj parlamentar sipas modelit të vjetër të mbretërisë së Zogut;

·         Ne do të propozojmë një projektligj për zgjidhjen e problemit të të zhdukurve nga koha e diktaturës, përkatësisht të vrarëve, të vdekurve me ose pa gjyq, dhe të zhdukurve, eshtrat e të cilëve nuk gjenden edhe sot;

·         Ne do të kërkojmë ligje të rrepta që i japin fund gjakmarrjes në vend, një plage mesjetare që na turpëron.

Si shpjegohet që mbreti Zog e zhduku thuajse tërësisht gjakmarrjen dhe ne sot në shekullin e 21-të, nuk ja dalim dot ?

·         Ne do të kërkojmë miratimin e një strategjie zhvillimi kombëtar, që mban parasysh ato që do të jenë prioritetet e zhvillimit tonë afatgjatë;

·         Ne do të kërkojmë një moratorium për ndalimin e shfrytëzimit barbar të burimeve tona natyrore, pyjeve, lumenjve, bregdetit, mineraleve, etj, të cilat do të na lënë pa atdhe;

·         Ne do të miratojmë një ligj që garanton punësimin në administratën publike të studentëve më të mirë në universitetet kryesore të perëndimit;

·         Ne do të miratojmë një ligj që garanton pension për të gjithë ata që kanë mbushur moshën 75 vjeç, pavarësisht mbushjes së viteve të kontributeve shoqërore;

·         Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet është parti e bashkimit kombëtar. Një komb, një gjuhë, një popull, një histori.

Deputeti i PDIU-së, zoti Dashamir Tahiri përpara mijëra mbështetësve u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që më datë 23 qershor të votojnë për të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre. “Ju të gjithë e keni parë se çfarë ka bërë PDIU në këto vite, prandaj ju ftoj të gjithëve që më datë 23 qershor të votoni Partië Drejtësi, Integrim, Unitet, të votoni numrin 50, të votoni për veten tuaj, për të ardhmen e fëmijëve tuaj, për të ardhmen e Shqipërisë dhe për çështjen kombëtare.” – u shpreh deputetit Tahiri.

Ndërkaq, Presidenti i Nderit i PDIU-së dhe njëkohësisht edhe kandidati i PDIU-së për Qarkun e Tiranës, zoti Tahir Muhedini u shpreh se edhe pse me vetëm dy zëra në parlamentin shqiptar, PDIU ka mundësuar rezolutën për çështjen çame. “Me dy deputetë ne i kemi bërë shqiptarët të ndihen më krenarë,  kemi shërbyer si zënëdhës të problemeve të bashkëkombasve tanë nga Tivari në Tetovë, nga Presheva në Prevezë” – u shpreh Muhedini. Në fund të fjalës së tij, zoti Muhedini u bëri edhe një herë thirrje të gjithë shqiptarëve që të votojnë numrin 50  për të garantuar një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë.

Më pas fjalën e mori dhe një prej veprimtarëve më të vjetër të çështjes çame, zoti Servet Mehmeti. Në fjalën e tij ai theksoi se arritjet e deritanishme të PDIU-së na bëjnë të gjithë krenarë, dhe besimplotë, se Perëndia i shpërblen guximtarët, se projekti ynë kombëtar nuk është utopi, por një realitet të cilit po i afrohemi gjithnjë e më shumë.  “Kini besim tek projekti kombëtar, kini besim tek PDIU si partia e vetme që e përfaqëson denjësisht këtë projekt.” – mbylli fjalën e tij zoti Mehmeti.

Gjithashtu, fjalën e morën me radhë disa prej kandidatëve për deputet të Partisë Drejtësi, Integrim, Unitet të cilët u bënë thirrje të gjithë votuesve që më datë 23 qershor vota e tyre të shkojë për numrin 50, PDIU-në si partia e vetme patriotike në vend.

Ndërkaq, gjatë këtij aktiviteti morën fjalën një sërë figurash të njohura të Partisë Drejtësi, Integrim, Unitet dhe komunitetit të shqiptarëve të Çamërisë, duke nisur që nga kryetari i Shoqatës Çamëria, zoti Ardian Tana, kryetatri i Klubit të Patriotëve të Rinj zoti Ardit Bido, Sekretari Politik i PDIU, zoti Adri Nurellari, zoti Spiro Cura si dhe shumë figura të tjera të shquara.