PDK-ja nuk e mbështet kandidaturën e Vjosa Osmanit për presidente

Prishtinë, 31 mars 2021 – Partia Demokratike e Kosovës (PDK) rikonfirmon qëndrimin kundër zgjedhjes së Vjosa Osmanit për president të vendit.

Këtë qëndrim e ka shprehur përsëri sot ushtruesi I detyrë së kryetarit të kësaj partie, Enver Hoxhaj.

Ai ka thënë se PDK-ja e mbështet procesin e konstituimit të institucioneve shtetërore, por kundërshton krijimin e institucioneve që do të kontrolloheshin nga një parti e vetme politike.

“Partia Demokratike e Kosovës e mbështet procesin e konstituimit të institucioneve shtetërore, të cilat duhet të ofrojnë stabilitet të brendshëm, përballim me pandeminë dhe krizën ekonomike, si dhe ta forcoj pozicionin ndërkombëtar të Kosovës. Por, krijimi i tyre nuk do të duhej të rrezikojë demokracinë, të polarizojë shoqërinë, të kërcënojë ndarjen e pushteteve dhe të instalojë një sistem njëpartiak ku të gjitha pushtetet do të kontrolloheshin nga një parti politike. Praj, janë disa arsye pse Partia Demokratike e Kosovës nuk e mbështet kandidaturën e zonjës Vjosa Osmani për presidente“, ka thënë Hoxhaj, në një konferencë për medie.

“Zgjedhja e Vjosa Osmanit si presidente do ta vendoste Kosovën në një pozicion të rrezikshëm, ku Lëvizja Vetëvendosje do ta kishte, de facto dhe de juro, pushtetin absolut, duke kontrolluar presidencën, legjislativin dhe ekzekutivin. Kosova do të udhëhiqej nga një politikan autoritar, siç është zotëri Kurti dhe partia e tij politike, duke shuar çdo mekanizëm tjetër të kontrollit dhe balancit, ashtu siç do të duhej të ishte në një demokraci parlamentare”, ka theksuar ai.

Hoxhaj e ka tipizuar Vjosa Osmanin si figurë të papërshtatshme për president të vendit. Ai e ka cilësuar atë si “figurë skajshmërisht përçarëse“.

Ai ka thënë se PDK-ja e mbështet vetëm një kandidat konsensual për president.

(r.m.)