PDK “konservatore” dhe LDK “liberale”

Ruben Avxhiu

SHBA nuk mbështet asnjë kandidat apo parti në Kosovë. Kjo është linja zyrtare.

Vetëm pak orë pas një shkrimi në tabloidin “New York Post” që përshkruante Kadri Veselin si politikanin kosovar që po kandidon si i vetmi me një lidhje të veçantë e të drejtëpërdrejtë me Presidentin Donald Trump dhe Shtëpinë e Bardhë, Ambasada Amerikane në Prishtinë ka hedhur poshtë idenë se SHBA apo çfarëdo vendi tjetër perëndimor përkrah ndonjë kandidat apo parti të caktuar në Kosovë.

Zhvillimet e fundit nga kryeqyteti amerikan nga ana tjetër dëshmojnë se Presidenti Trump ka prirjen të anashkalojë institucionet duke besuar më shumë lidhjet personale. Nuk është hera e parë që ndodh në SHBA, po dyshimet mbi këtë president janë kaq të forta, sa shumica Demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan ka nisur procedurat e paditjes së presidentit që mund të çojnë deri në shkarkimin e tij.

Që SHBA nuk përkrah asnjë kandidat e parti, kjo është traditë e politikës amerikane. Po edhe Kadri Veseli që kryeson Partinë Demokratike të Kosovës mund të mos jetë duke gënjyer kur flet për një “njeri të Presidentit Trump”, pasi vitet e fundit një grup ish-strategjistësh të presidentit amerikan kanë hyrë në biznesin e shitjes së mundësisë për të komunikuar drejtpërdrejt me të. Në shumicën e rasteve, sidomos për vende si Kosova, e gjitha është më shumë një grackë për ata që kanë para për të humbur. Trump thjesht nuk ka kohë për t’u marrë me një vend me madhësinë dhe rëndësinë e Kosovës dhe çështja sipas të gjitha gjasave do të përfundojë gjithësesi mbrapsht në duart e Departamentit të Shtetit.

E thënë shkurt, besoni Ambasadën Amerikane, sepse SHBA nuk shpenzoi qindra miliona në kompleksin e ri, që mesazhet e Washington-it t’i sjellë ndonjë turist elektoral sado afër Presidentit që të jetë ai në realitet.

Po shkrimi në “New York Post” tërhoqi vëmendjen time për një arsye fare tjetër. Ai përshkruan PDK-në e Veselit si konservatore, kurse LDK-në e Osmanit si “liberale”. Këto terma në SHBA përdoren respektivisht për të thënë e djathtë dhe e majtë. Në njëfarë fantazie të marrë mbase, Kadri Veseli është Donald Trump në Kosovë, kurse Vjosa Osmani është Hillary Clinton.

E gjithë puna përbën një kuriozitet të madh për këdo me sado pak njohuri të shkencave politike apo edhe pasionant i ideologjive politike e politikës në përgjithësi.

Të gjithë këta më sipër janë me siguri duke kruar kokën e duke vrarë mendjen se si përfunduam këtu. Se kujtdo që nuk i ka vdekur kujtesa e di se PDK-ja hyri në politikën e Kosovës si alternativa e majtë e LDK-së. Madje krahasuar me fillimet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, PDK ishte një e majtë disi e moderuar. Paraardhësit e saj politikë, në një epokë tjetër kur qëndresa e armatosur ishte ende diçka që njerëzit vetëm e imagjinonin, etiketoheshin si “marksistë-leninistë”.

Që Hashim Thaçi e PDK janë shndërruar shumë në këto dy dekada kjo nuk ka dyshim. Presidenti i sotëm ka më shumë se 10 vjet që është kthyer në gjithshka për të cilën sulmonte dhe akuzonte dikur Ibrahim Rugovën. Përpara se të linte më në fund opozitën për t’u ngjitur në pushtet, humori i kohës ishte që atij i referoheshin si “Hashim Rugova”. Në njëfarë mënyre Thaçi u kthye tërësisht në vijues të trashëgimisë së njeriut për të cilin dikur mendohej se do të jepej urdhër pushkatimi si tradhëtar.

Çfarë transformimesh që sjellin vitet. Nuk kam asgjë kundër ndryshimeve. Në fakt, nuk do të kishte sot progres e civilizim pa aftësinë për ndryshim. Po ndërsa një reporter tabloidi si “New York Post” mund të shkasë në besimin se LDK është e majtë dhe PDK e djathtë, historia kërkon një përgjegjshmëri më të madhe. Do të ishte shokuese për këdo në LDK që të informohej se ishte pjesë e një partie të majtë. Për lidhjet tradicionale me partitë shqiptare hutimi do të ishte po aq i madh në Shqipëri.

E vërteta është se partitë shqiptare në të gjitha anët e kufijve shqiptaro-shqiptarë pavarësisht nga pikënisjet deklarative të ideologjive të tyre, kanë vuajtur shumë për të krijuar e shpjeguar identitetet e tyre. Më shumë se programet e tyre politike apo qendrimet e ditës, krahu ideologjik është më shumë një vetëidentifikim arbitrar. Për shumëkënd individualisht historia familjare sidomos në raport me regjimet e dikurshme përcakton edhe identifikimin në politikë. Me përjashtim ndoshta të Vetëvendosjes, shumica e partive shqiptare nga pikëpamja ideologjike janë pragmatiste për të mos thënë oportuniste. Emërtimet shërbejnë për lidhje emocionale e mbështetje elektorale brenda e jashtë vendit, më shumë se sa për të prodhuar apo karakterizuar receta konkrete për zgjidhjen e problemeve. Po është absurde të përshkruash LDK-në si të majtë, edhe nëse PDK ka vendosur të prezantohet si e djathtë.

E gjithë kjo mjegullnajë nuk është ndër problemet që shqetësojnë më shumë vëzhguesit e Kosovës politike sot, po kur emërtimet përdoren për të dhënë sinjale në politikën e jashtme, të paktën antenat e mira nuk mund të injorojnë sinjalin. As Veseli dhe as Osmani nuk janë Trump e Clinton, për shumë arsye, por mbi të gjitha, sepse në këtë fushatë të nxituar zgjedhore, Kosova vjen ende me probleme të pazgjidhura të mbijetesës kombëtare. Qeveria që do të dalë nga këto zgjedhje mund të ngarkohet me përgjegjësinë për të zgjidhur konfliktin historik me Serbinë, në një kohë kur faktorët ndërkombëtarë që po këmbëngulin për qartësi në Kosovë e Ballkan, kanë hyrë vetë në një fazë të rëndë paqartësie. Më shumë se përcaktimet e abuzuara “e djathtë”, “e majtë”, apo fotografitë personale me Presidentin e SHBA-së, të shitura publikut si provë e një lidhjeje që nuk ekziston, fituesit e aleatët e preferuar do të caktohen nga dy aspekte të vetme, lufta kundër korrupsionit që ka gërryer e sabotuar të sotmen e të ardhmen e shoqërisë kosovare dhe qendrimet ndaj një kompromisi historik shfaqja e të cilit në horizont ka sjellë vetëm ankth, dyshime e protestë e që ka potencialin t’i lërë në fund të gjitha palët të zhgënjyera e të pakënaqura.