PDK: Qeveria nuk reagoi ndaj mohimit të Masakrës së Reçakut

Prishtinë, 13 dhjetor 2021 – Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në opozitë e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për, siç ka thënë, mungesën e reagimit ndaj mohimit të Masakrës së Reçakut nga autoritetet e Serbisë.

Javën e kaluar, ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin, deklaroi se Masakra e Reçakut ishte “një gënjeshtër e madhe” dhe “një fabrikim i jashtëzakonshëm”.

“Aleksandar Vulin tha se Reçaku ishte një ngjarje fiktive. Jo që nuk pritet nga ai një gjë e tillë, por është e çuditshme që nuk pati reagim nga kjo qeveri. Reagoi SHBA-ja, reagoi Bashkimi Evropian. Çfarë reagimesh pati nga Kosova lidhur me këtë deklaratë? Është e turpshme që ne të dalim me një reagim kaq të dobët. Nuk po flas si Qeveri, por si Kosovë dhe si shoqëri…”, tha deputeti i PDK-së, Adrian Kastrati, të hënën, në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka qenë i pranishëm në seancë, nuk i është përgjigjur kësaj kritike.

Ndërkaq, Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se shteti i Kosovës “reagon përmes proceseve gjyqësore” ndaj njerëzve që mohojnë masakra të tilla.

“Mos ia degradoni dinjitetin vuajtjeve dhe sakrificës popullit të Kosovës”, ka thënë Konjufca.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e kanë kritikuar Vulinin për mohimin e Masakrës së Reçakut. Uashingtoni dhe Brukseli kanë thënë se ajo çfarë kanë bërë forcat serbe në Reçak nuk mund të mohohet dhe se kjo ngjarje është e dokumentuar mirë.

Por, ministri i Brendshëm serb nuk ka qenë i vetmi zyrtar serb që e mohon Masakrën e Reçakut. Ndër të tjerë, këtë e ka bërë edhe Kryetari i Komisionit Shtetëror të Serbisë për personat e pagjetur, Velko Odalloviq. Ai, madje, e ka bërë këtë me tone edhe më të ashpra dhe i ka akuzuar SHBA-të dhe BE-në se këtë ngjarje e kanë përdorur si shkas për bombardimin e Serbisë. 

“Evropa e SHBA-ja po e mbrojnë Reçakun, sepse e përdorën atë për bombardim dhe nëse kjo u shembet, atëherë duhet të shpjegojnë përse e kanë bombarduar një shtet sovran dhe e kanë krijuar një precedent. Unë i kuptoj shqiptarët, pasi ata nga kjo e bëjnë historinë e tyre, por përse e bëjnë këtë këta të tjerët që e dinë shumë më mirë se shqiptarët, madje edhe më mirë se ne, se çfarë vërtet ka ndodhur atje? A mendon dikush se ky veprim nuk është vërejtur nga shërbimet e huaja?”, ka thënë Odalloviq.

Më 15 janar të vitit 1999, në fshatin Reçak të komunës së Shtimes, forcat policore dhe ushtarake serbe i vranë dhe i masakruan 45 civilë shqiptarë.

Kjo masakër ishte dokumentuar nga shefi i atëhershëm i misionit verifikues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Uilliam Uoker. Ai e kishte cilësuar atë si krim kundër njerëzimit.

Masakra e Reçakut e kishte vetëdijesuar botën demokratike për kërcënimin e popullsisë shqiptare në Kosovë nga makineria ushtarake e policore e Serbisë. Më 24 mars të vitit 1999, Aleanca Veri-Atlantike kishte filluar sulmet ajrore ndaj objektivave ushtarake e policore serbe, për të prandaluar sulmet masive ndaj popullsisë civile në Kosovë.

(r.m.)