PE: Bashkëpunimi BE-SHBA për Ballkanin Perëndimor është i domosdoshëm

Bruksel, 5 tetor 2021 – Në Parlamentin Evropian, të martën (5 tetor), është diskutuar për raportin mbi  marrëdhëniet mes Bashkimit Evropian (BE) dhe Shteteve të Bashkuara (SHBA).

Gjatë diskutimit ka pasur shumë thirrje që BE-ja të ndërtojë kapacitetet e veta në fushë të sigurisë dhe mbrojtjes, në mënyrë që të jetë më pak e varur nga Shtetet e Bashkuara.

Megjithatë, në shumicën e diskutimeve, bashkëpunimi BE-SHBA është vlerësuar i domosdoshëm në shumë fusha. Ndër të tjera, bashkëpunimi BE-SHBA është vlerësuar i domosdoshëm për stabilitetindhe demokratizimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.  

“BE-ja duhet të bashkëpunojë më shumë me Shtetet e Bashkuara dhe të rindërtojë partneritetin strategjik lidhur me vendet e partneritetit lindor dhe Ballkanin Perëndimor, në mënyrë që atje të konsolidohen shoqëritë demokratike dhe shumëetnike, rezistuese ndaj forcave autoritare lokale dhe të huaja”, thuhet në raport, cituar nga Radio Evropa e Lirë.

 “Stabiliteti i Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të fqinjësisë lindore është çështje e sigurisë dhe paqs për tërë rajonin”, theksohet në raport.

Në të përshëndetet rritja e koordinimit mes Shteteve të Bashkuara dhe BE-së në mbështetje të vendeve të Ballkanit Perendimor në rrugën e tyre drejt integrimit në BE. Mirëpo, kërkohet më shumë institucionalizim të bashkëpunimit mes Këshillit të BE-së dhe Departamentit të Shtetit në SHBA.

Po ashtu kërkohet një rol i fuqishëm udhëheqës i BE-së për të ndalur nismat që çojnë drejt ndryshimit të kufijve dhe nismave të ngjashme, të cilat “do të thellonin ndasitë etnike dhe segregimin”.

Në raport thuhet se BE-ja ka rolin kyç në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Unë besoj fuqishëm se vetëm përmes forcimit të partneritetit trans-atlantik mund të forcojmë edhe rendin multilateral botëror dhe të përballemi me sfidat e përbashkëta në luftën kundër ndryshimeve klimatike dhe të rezitojmë ndaj regjimeve autoritare që rrezikojnë demokracitë tona”, ka thënë deputeti kroat, Tonino Picula, raportues për marrëdhëniet BE-SHBA në Parlamentin Evropian.

Më herët Shtëpia e Bardhë njoftoi se Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka folur përmes telefonit me presidentin amerikan Joe Biden.

Shtëpia e Bardhë tha se Biden shprehu mbështetjen e tij të fortë për vazhdimin e pranimit në Bashkimin Evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Sipas burimeve të BE-së, në bisedë është diskutuar edhe për nevojën e veprimit të përbashkët në rajonin e Ballkanit Perëndimor, të cilin javën e kaluar e kishte vizituar presidentja e Komisionit Evropian.

(r.m.)