Peleshi: NATO kujdes kur ushtria serbe i afrohet Kosovës, shqetësimi Rusi-Kinë - ILLYRIA

Peleshi: NATO kujdes kur ushtria serbe i afrohet Kosovës, shqetësimi Rusi-Kinë

Ministrat e vendeve të NATO-s dhe udhëheqësit politikë diskutuan edhe për bashkëpunimin NATO-BE

Knid Ndrenika

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi tha se Shqipëria, NATO apo BE, duhet të jenë të kujdesshme që “në rastin më të mirë t’i “kalibrojmë” qasjet dhe deklaratat që të mos mbeten të paqarta kur ushtria serbe i afrohet kufirit të Kosovës”.

Zoti Peleshi foli në ditën e dytë të takimit të ministrave të vendeve të NATO-s në Bruksel.

Ai theksoi se “Kosova nuk është as çerek shteti, as gjysmë shteti, por shtet në kuptimin e plotë të fjalës”.

“Shqipëria, të gjithë ne në NATO, apo në BE, duhet të jemi të kujdesshëm që në rastin më të mirë t’i ‘kalibrojmë’ qasjet dhe deklaratat që të mos mbeten të paqarta kur ushtria serbe i afrohet kufirit të Kosovës, e cila është në të drejtën e saj dhe i duhen njohur përpjekjet për të siguruar rend dhe siguri për të gjithë qytetarët. Kosova nuk është as çerek shteti, as gjysmë shteti, por shtet në kuptimin e plotë të fjalës”-tha zoti Peleshi.

Ministri Peleshi theksoi gjithashtu se “Kosova është në të drejtën e saj” dhe se i duhen njohur “përpjekjet për të siguruar rend dhe siguri për të gjithë qytetarët”.

“Ngjarjet e fundit të ndodhura në veri të Kosovës nuk janë dhe nuk duhet të trajtohen si të izoluara. Ne jemi dëshmitarë të një modeli shqetësues që na prezantohet nga pala serbe, e cila vijon të pajiset me sisteme moderne armatimi nga Rusia dhe Kina, sterviten bashkerisht dhe, siç ishim dëshmitarë së fundmi, dërgoi trupa ushtarake në kufirin me Kosovën, të cilët u “bekuan” edhe nga ambasadori rus në Beograd. Në këndvështrimin tonë ky është një mesazh shumë shqetësues, të cilit Aleanca duhet t’i kushtojë rëndësinë e duhur”-tha zoti Peleshi.

Ministrat e vendeve të NATO-s dhe udhëheqësit politikë diskutuan edhe për bashkëpunimin NATO-BE.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, Shqipëria ka kontribuuar për tre vite në misionin e NATO-s në detin Egje, por për t’u nënvizuar janë edhe prezenca në Mali dhe në Bosnje dhe Hercegovinë.

Por zoti Peleshi vërejti edhe rolin në rritje të Rusisë dhe Kinës në këtë Ballkan.

“Këto dy vende po avancojnë objektivat e tyre strategjikë në rajonin tonë, nëpërmjet lidhjeve të tilla historike, kulturore, ekonomike, apo nëpërmjet influencës së tyre në vende apo pjese te rajonit”-tha ai.