Peleshi paralajmëron prishjen e kontratave për mirëmbajtjen e helikopterëve “Cougar”

Tiranë, 27 qershor 2022 – Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, tha mirëmbajtja e helikopterëve “Cougar” do t’i besohet një agjencie të specializuar të NATO-s, për shkak të problemeve dhe mosmarrëveshjeve me kompaninë me të cilën kishte kontratë.

Gjatë një seance dëgjimore në Komisionin Parlamentar të Sigurisë, të thirrur nga deputetët e opozitës për problematikën e krijuar nga zjarret në ishullin e Sazanit, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, pranoi se ka probleme me kontratat e mirëmbajtjes së helikopterëve.

Peleshi i përshkroi si “dhimbje koke” kontratat e mirëmbajtjes së helikopterëve të forcës ajrore dhe tha se ishte marrë vendim për të kërkuar ndihmën e një agjencie të NATO-s për këtë.

“Ne e mirëmbajmë flotën ajrore jashtë vendit dhe kostot janë të mëdha, vështirësitë e mirëmbajtjes janë të mëdha,” tha Peleshi duke iu referuar helikopterëve “Cougar”.

Ministri i Mbrojtjes shtoi se nga katër helikopterë, tre prej tyre ndodheshin aktualisht për mirëmbajtje jashtë vendit. Njëri prej tyre gjendet i parkuar në Itali, në një situatë të komplikuar me kompaninë e kontraktuar për mirëmbajtjen e tij.

“Është e vërtetë, ka një problematikë me 1 helikopter Cougar që ka bërë një ulje të detyruar në Itali,” tha ai, duke sqaruar se po pritet akti i ekspertimit për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes qeverisë dhe kompanisë së mirëmbajtjes.

“Me shumë gjasa do t’a ndajë një proces gjyqësor,” njoftoi Peleshi, duke pranuar se po shkohej drejt prishjes së kontratës me kompaninë franceze.

Peleshi njoftoi komisionin se ishte marrë një vendim që mirëmbajtja e helikopterëve të prokurohej nëpërmjet SPA, agjencisë së prokurimit të NATO-s, duke pranuar mungesën e  kapaciteteve të shtetit shqiptar në lidhjen dhe menaxhimin e këtyre kontratave.

“Nuk duam të bëjmë më procedura prokurimi për mirëmbajtjen, sepse forca jonë e negocimit, hartimit dhe monitorimit të menaxhimit të kontratave të komplikuara nuk është aq sa e një agjencie të specializuar,” shtoi ai.

Përmes një investigimi të publikuar më 31 maj, BIRN zbuloi se flota e shtrenjtë e helikopterëve ushtarakë “Cougar”, të cilët mbajnë peshën e emergjencave civile të vendit, ndodhet aktualisht jashtë funksionit për shkak të problemeve me kontratat e mirëmbajtjes.

Peleshi tha se eksperienca e parë me SPA ishte pozitive dhe për këtë është kërkuar procedurë edhe për 2 helikopterë të tjerë, për të cilët ishte prishur me mirëkuptim marrëveshja me një kompani italiane.

Deputeti demokrat, Ferdinand Xhaferri e konsideroi historikun e mirëmbajtjes së helikopterëve “një histori skandaloze të abuzimit të qeverisë shqiptare” dhe kërkoi llogari se pse nuk kishte në gatishmëri asnjë helikopter për shuarjen e zjarreve.

Por Peleshi e konsideroi të ekzagjeruar efektin e helikopterëve në shuarjen e zjarreve dhe shtoi se nga 7 helikopterë të flotës, vetëm 3 ishin në mirëmbajtje.

“Duhet ta luftojmë mentalitetin që zjarrin e shuajnë forcat e armatosura me helikopter,” u tha Peleshi deputetëve demokratë.

Sa i përket kapaciteteve ajrore për emergjencat civile, Peleshi shtoi se një vend i vogël si Shqipëria nuk ka leverdi ekonomike dhe praktike që të blejë një avion vetëm për fikjen e zjarreve.

“Një avion i tillë kushton 50 milionë euro për ta përdorur një muaj në vit dhe plus kostot e mirëmbajtjes. Ekonomikisht dhe praktikisht e pamundur që të kemi flotë vetëm për zjarret,” tha ministri.

(Reporter.al)