Peleshi takon zv.Shefin e Byrosë së Gardave Kombëtare të SHBA: Shqipëria, leva e mbajtjes së orientimit të rajonit drejt Perëndimit

Gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi u takua me zv.Shefin e Byrosë së Gardave Kombëtare të SHBA, Gjeneralin me 3 yje Marc H. Sasseville.

Z.Peleshi i shprehu Gjeneralit Marc H. Sasseville gatishmërinë për të intensifikuar edhe më tej bashkëpunimin. Pas këtij takimi, ministri i Mbrojtjes u shpreh: “Një takim entuziast me zv.Shefin e Byrosë së Gardave Kombëtare të SHBA, Gjeneralin me 3 yje Marc H. Sasseville. Bashkëpunimi i deritanishëm në fushën e modernizimit, edukimit e trajnimit të ushtarakëve, pjesëmarrjes në misione të përbashkëta etj, do të intensifikohet edhe më tej. Projekti ambicioz i rimodelimit të Akademisë së Forcave të Armatosura – tashmë një objekt i rëndësishëm në axhendën e bashkëpunimit dypalësh SHBA-Shqipëri”.

Ministri Peleshi theksoi se “mbështetur në partneritetin special strategjik me SHBA, Shqipëria do të mbetet leva e mbajtjes së orientimit të Rajonit tonë nga Perëndimi”.