Peleshi: Zjarre me shumë rrezik pranë Llogarisë dhe në Tunelin e Kalimashit

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi u tregua i sinqertë kur tha se veç punës dhe përkushtimit të ushtrisë, banorëve, Emergjencave Civile, gjendja është përballuar shumë mirë edhe me ndihmën e fatit dhe të Zotit

Knid Ndrenika

Më pak se 24 orë nga njoftimi për qenien nën kontroll të zjarreve, ministria e Mbrojtjes tha se 7 vatra janë rindezur dhe disa të reja tjera janë shfaqur.

Operacione për shuarjen e flakëve bëhen në tokë dhe ajër me zjarrfikës, trupa, mjete ushtrie, Emergjenca Civile, autoritete vendore dhe helikopterë ujëhedhës.

Ministria e Mbrojtjes tha se me shumë vështirësi u izolua vatra e zjarrit që rrezikonte shtëpi dhe banorë në fshatin Dukat i Ri të Vlorës.

Rrezik serioz nga zjarret ka në Llogara në Vlorë, Thirrë të Lezhës dhe Majën e Rrunës mbi Tunelin e Kalimashit në Rrugën e Kombit në Kukës.

Aktive mvetet vatra e zjarrit në Dukat të Ri, Vlorë edhe pse pika kritike u izolua gjatë natës nga forcat operacionale, duke eliminuar rrezikun e kalimit të zjarrit në fshat, por përpjekjet për shuarjen e flakëve vazhdojnë nga toka dhe nga ajri.

Serioze është situata pranë Parkut Kombëtar të Llogarasë, ku janë përqendruar të gjitha forcat, për të bërë të mundur normalizimin dhe izolimin e flakëve.
Strukturat janë në ndjekje të dinamikës, e cila ndryshon për shkak të kushteve atmosferike.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi tha se “nata ishte shumë e mundimshme” dhe se “nNjë nga dy vatrat më problematike të Kukësit, mbi Tunelin e Kalimashit është në Thirrë”.

“Nëqoftëse fillon djegia e Parkut të Llogarasë, mund të jetë një nga ato situata kur nuk ke seç bën më, mbase edhe nga ajri. Por, nuk do të shkojmë aty, sepse jemi ditë-natë në krye të detyrës, kemi trupa lart, kemi trupa këtu poshtë, kemi mjete ajrore. Po bëjmë gjithçka! Është menaxhuar shumë mirë deri tani dhe me ndihmën edhe të fatit, edhe të Zotit që, të mos ia japim të gjitha meritat vetes”-tha ai..

Një person në Gjirokastër ka humbur jetën deri tani nga zjarret që u ndezën nga temperaturat e larta dhe me qëllim nga shtetas të ndryshëm.