Pentagoni: Trupat ruse në Ukrainë po ripozicionohen

Uashington, 31 mars 2022 – Në përshkrimin më specifik të forcave ruse që po largohen nga Kievi, Pentagoni tha të mërkuren se “më pak se 20 për qind” e kontingjentit të trupave ruse në afërsi të kryeqytetit ukrainas kanë filluar të “ripozicionohen”.

Zëdhënësi i Pentagonit John Kirby nuk dha hollësi të tjera lidhur me numrin e trupave që përbëjnë këtë kontigjent. Ai tha se trupat që kanë filluar të largohen nga Kievi ishin në afërsi të aeroportit Hostomel në veriperëndim të Kievit.

Zoti Kirby tha se duket se Rusia po i tërheq trupat nga Kievi për t’i rifurnizuar dhe riorganizuar ato në përgatitje të operacioneve të tjera në Ukrainë, jo për t’i dërguar ato në Rusi.

Zyrtarët e Moskës thanë në fillim të kësaj jave se po reduktonin ndjeshëm operacionet ushtarake rreth Kievit si një gjest për të çuar përpara bisedimet e paqes. Por zyrtarët ukrainas dhe amerikanë kanë shprehur skepticizëm rreth synimeve ruse.

Në një fjalim të mërkurën pas takimit me presidentin amerikan, presidenti ukrainas Volodomyr Zelenskyy tha: “Kam falënderuar SHBA-në për paketën e re të ndihmës humanitare me vlerë 1 miliardë dollarë amerikanë dhe 500 milionë dollarë shtesë në ndihmë buxhetore direkte. Unë gjithashtu theksova se tani jeni në pikë kthese.”

Ai përsëriti gjithashtu shqetësimet se Rusia po grumbullon trupa për sulme të reja në Donbas.

(Zëri i Amerikës)