Për çka po protestoni se po dukeni vërtetë qesharakë?

Nga Çun Lajçi

Për çka po protestoni?

S’deshta, o s’deshta me shkrua, se dashtë e kam ma shumë se ju, që çirreni sheshit, tue derdhë lot pa lot, e tue mallkua pushtetin e Edin!

O dashtë e kam ma shum se ju, betohem, dhe e dini pse?
Se nji shekull m’ka nda me at teatër, nji bjeshkë kufi deri n’qiell, – ju e kishit aty, unë veç n’andërra!

Por juve magjepsë iu kanë yjet që s’jetojnë, e arti i shpirtit tyne, e ditë s’keni për dështoret e vogëla me tavane t’ulta, këthinat mizerje mbrapa s’kenës, tualetët që kutërbonin, e minjtë që brenin kostumet!

Ju kurrë pyet s’keni për pluhnin që aktorët thithnin, e t’ftoftit që t’prente n’ije!
Zatën, këto kushte ia moren jetën Naim Frashërit, e sa e sa të tjerëve!

Ju pëlqye e keni nji sallë, e pyet si keni artistët për kushtet e vitit 1938, n’shekullin 21, ndaj shani e mallkoni e bani politikë me mjerimin e artistit!

Kjo asht turp!
Unë shkrova poezi për kollosët e tij, e mija role n’at skenë, jo për teatrin, se luejt kam edhe unë aty, dhe e di sa i mjerë ishte, dhe s’mund t’i dënoj artistët e rinj me nji godinë që s’ishte kurrë teatër!

Tiranës i duhet teatri i ri, ashtu siç asht arti e koha, se e imja, dhe e atyne që ishin, nuk zhduket, pse rrenohet nji godinë. Ato mbesin n’letra, n’zemra, n’kujtime. Ajo mbetet histori që nuk rrënohet me nji godinë!

Pse e politizoni? Për çka? Për Shqipërinë? Për Kosovën?

Jo, s’asht e vërtetë, sepse po t’ishit patriotë, do t’protestonit atë ditë, kur Vuçiq e Rama banin minishengene!

Teatri na duhet, e teatri do t’bahet, mija herë besoj, ma i mirë se ç’ishte. Edi ndofta asht i çmendun, por çmenduria e tij, mund ta sjell edhe nji teatër si atë të Shkupit! Duhet prit e duhet pa!

Mos bani politikë me nji ngrehinë, që kishte mbetë si fantazmë, se po dukeni vërtetë qesharakë!

S’deshta, veç po iu them juve, që brenda hy s’i keni që dy dekada, e kam dashtë sa krejt atdheun, se viti 1972 m’futi n’zemrën e tij, e shfaqja “Viti 61” me mori me vete, e shpirti me mbeti tek Naimi, Pitarka, Edi, Ndreka, Maria, Agimi…