Manastirliu si Presidente Radhe po drejton Sesionin e Komitetit Rajonal të OBSH-së për Europën

Sesioni po diskuton për mësimet e nxjerra nga pandemia COVID-19, për të ridimensionuar qasjen ndaj shërbimeve shëndetësore, nën dritën e pandemisë së Koronavirusit

Knid Ndrenika

Për herë të parë Shqipëria udhëheqë presidencën e Sesionit të 71-të të Komitetit Rajonal të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Europën.

Sesioni po i zhvillon punimet në Kopenhagen të Danimarkës në prani të drejtuesve të shteteve dhe Ministrave të Shëndetësisë të 53 vendeve.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu po e drejton Sesionin si Presidente e Radhës.

“E nderuar dhe e privilegjuar për mundësinë që Komiteti Rajonal i OBSH-së për Europën i dha Shqipërisë, për të drejtuar Sesionin e 71-të të Komitetit Rajonal të OBSH-së për Europën, që po zhvillohet në Kopenhagen”-tha zonja Manastirliu siç raporton korrespondenti i RTK-së Knid Denion Ndrenika.

Kjo detyrë i propozuar për Shqipërinë nga OBSH u pranua nga të gjithë vendet anëtare të Komitetit Rajonal, po drejton këtë takim të nivelit të lartë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, për përgjigjen ndaj pandemisë COVID-19 dhe mësimet e nxjerra.

Sesioni po diskuton për mësimet e nxjerra nga pandemia COVID-19, për të ridimensionuar qasjen ndaj shërbimeve shëndetësore, nën dritën e pandemisë së Koronavirusit.

Folësit janë përqendruar te ridimensionimi i kujdesit parësor, investimi për adresimin e problemeve të shëndetit mendor, Agjenda e Imunizimit 2030 dhe zbutja e pabarazive për aksesin në vaksina.

Ky është takimi më i rëndësishëm vjetor i Shëndetësisë për Europën dhe do të vazhdojë deri në 15 shtator.