Për qeverisje të mirë nevojitet edhe kohezion shoqëror

Mehmet PRISHTINA

Kryeministri Kurti tash e tutje nuk duhet të bëjë veprime që do të ishin atraktive vetëm për fansat e tij. Ai ka nevojë të bëjë veprime që tingëllojnë mirë edhe për veshët e kundërshtarëve të tij politikë. Kjo, zaten, është betejë më e rëndë, sepse kërkon më shumë kurajo për të dalë nga gëzhoja e egocentrizmave që, jo rrallë, në të kaluarën, ishte shndërruar në këmishë të hekurt për shumë politikanë.

Pas zgjedhjeve të 14 shkurtit që rezultuan në krijimin e institucioneve të reja të vendit, Kosova ndodhet midis shpresës dhe zhgënjimit. Ndonëse është ende herët të flitet për zhgënjim, megjithatë, njerëzit presin me të drejtë që qeveria e re të dalë me plan konkret për tejkalimin  problemeve të grumbulluara tash e disa vite. Pritjet janë të mëdha sidomos sa i përket krizës shëndetësore, e cila duhet të sanohet me mjete adekuate mjekësore, por edhe ekonomike. Efektet e degradimit ekonomik e social, si pasojë e pandemisë, do të reflektohen edhe në vitet në vijim, por detyrë urgjente e institucioneve tona është që këto efekte të ndikojnë sa më pak në përditshmërinë e njerëzve, qoftë të atyre që jetojnë nga pagat, qoftë të atyre që jetojnë nga ndihmat sociale.

Së fundi, kryeministri Kurti dhe ministri i Financave, Hekuran Murati , në një konferencë të përbashkët  para gazetarëve, thanë se programi i ri qeverisës fillimisht do të fokusohet  në masat për përballimin e pasojave që po lë pandemia, në zhvillimin ekonomik të vendit, në mbështetjen për bizneset, në rritjen e pagës minimale, në krijimin e vendeve të punës dhe në riorganizimin të skemave sociale. Me fjalë të tjera, siç mund të shihet, programi qeverisës i ka dy prioritete urgjente, e që të dyja lidhen me pandeminë. Prioriteti i parë është shëndeti në kushtet e pandemisë, ndërsa i dyti ka të bëjë me ekonominë, po ashtu në kushtet e pandemisë. Në këtë aspekt, prioritet i qeverisë është sigurimi i vaksinave.

Përveç vaksinave që deri tash kanë arritur si donacion dhe ato të premtuara nga Kroacia, në ditët në vazhdim dhe deri në fund të majit apo në fillim të qershorit pritet të  arrijnë vaksinat e blera nga qeveria shumë më shumë. Se për çfarë sasie bëhet fjalë, deri më tani nuk është bërë e ditur.

Procesi i vaksinimit është ngushtë i lidhur me rimëkëmbjen ekonomike, kështu që prioritet i qeverisë do të duhej të ishte që ky proces të intensifikohet, në mënyrë që gjatë muajve të verës të mund të vijnë mërgimtarët tanë, të cilët do të jenë një injeksion shtesë për rimëkëmbjen ekonomike në kushte pandemike.

Siç dihet, Kosova e ka rinisur fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit, pas pranimit të 4.680 vaksinave të kompanisë “Pfizer/BioNTech”, më 4 maj.

Në anën tjetër, me qëllim të zbutjes së efekteve negative, si pasojë e mbylljes,  ditë më parë, Qeveria e Kosovës ka ndarë rreth 20 milionë euro për sektorë të ndryshëm që kanë pasur humbje nga masat e qeverisë për parandalimin e përhaspjes së pandemisë.

Ndër sektorët përfitues të këtyre mjeteve është gastronomia. Gjithashtu, Qeveria e Kosovës i ka miratuar tri propozimet për subvencionimin e bizneseve, për shtesat në paga të punëtorëve shëndetësor dhe policëve si dhe për skemat pensionale.

Mandati i kësaj qeverie po fillon mu në kohën kur mbarë botën e ka kapluar pandemia e Covid 19 dhe kjo është një rrethanë vështirësuese për t’i pasur duar të lira në zbatimin e zotimeve të marra para zgjedhjeve dhe sidomos tani, kur programi i ri qeverisës pret të operacionalizohet sipas një dinamike të paraparë.

Por, kjo është gjendja faktike dhe asaj s’kemi si t’i ikim, kurse qeveritë ekzistojnë për të menaxhuar edhe kriza, siç është kriza e tanishme shëndetësore. Nga serioziteti i qasjes do të varet edhe dinamika e daljes nga kjo krizë, derisa të gjithë jemi sy e vesh të dijmë se si do të na shkojnë punët pasi të ketë kaluar pandemia globale.

Përgjigjet në këtë pyetjet dhe në të tjerat i presim nga qeveria, ndërkohë që  kryeministri Kurti, para dy ditësh, premtoi se gjatë mandatit të qeverisë së tij do të ketë transparencë, profesionalizëm dhe llogaridhënie, si edhe reforma në drejtësi, kryefjala e së cilës do të jetë vettingu.

Sipas kryeministrit, Vettingu në prokurori dhe gjyqësi është i domosdoshëm për ta bërë efikas sistemin e drejtësisë.

Ndër shtyllat bartëse të programit të ri qeverisës, siç mund të konstatohet nga ajo çka prezentoi vetë kryeministri, mund të kuptohet se gjatë mandatit 4 vjeçar të qeverisë së drejtuar nga ai do të bëhen reforma në skemat sociale, ashtu që t’u ofrohet mbështetje familjeve me të ardhura të vogla, shtesa për fëmijë dhe punësim për moshat e reja. Kjo do të shoqërohet me rishikimin e skemave të asistencës sociale, reformatimimin e sistemit pensional, aktivizimin e fuqisë punëtore dhe sigurimin e shtesave për fëmijë, pa e harruar punësimin e garantuar sezonal për një anëtar të familjes, pastaj një vit rimbursim për të rinjtë prej moshës 16 deri 18 vjeç të familjeve të varfra.

Gjatë mandatit qeverisës katërvjeçar, Kurti ka premtuar edhe ndërtimin e 160 çerdheve në gjithë vendin, mbështetje financiare për çiftet e reja dhe rritje të pagës minimale deri në 250 euro. Po ashtu, ka premtuar përmbylljen e reformës në administratën publike dhe diversifikimin e burimeve të energjisë dhe aseteve strategjike, duke garantuar edhe çmime të përballueshme për industritë dhe amvisëritë.  Kurti ka premtuar edhe qasje në ujë të pijshëm për qytetarët që nuk e kanë dhe zgjidhjen  e problemit të ujërave të zeza. Ai ka premtuar edhe ndërtimin i aksit Prizren – Tetovë dhe ndërtimin e një parku, siç ka thënë ai, tekno-industrial më të madhin në rajon, pastaj reforma në arsim dhe pesëfishim të inspektorëve të punës. Ndërsa sa i përket mërgatës, Kurti ka thënë se ajo do të jetë pjesë e zhvillimit ekonomik të vendit. Qeveria e tij do të ndajë grantin e katërt për komunat kurse kryetarëve të komunave më shumë autonomi për investime në komunat e tyre.

Kurti ka thënë po ashtu se gjatë mandati 4 vjeçar qeverisës Kosova do të aplikojë për anëtarësim në BE dhe në Kartën e Adriatikut. Poashtu, ka thënë se qeveria e tij është duke e përgatitur dosjen për ta paditur Serbinë për gjenocid në Kosovë.

Në shikim të parë, këto projeksione duken mjaft ambicioze. Mbetet të shihet çka do të realizohet dhe çka do të mbetet vetëm premtim, por ajo çka është e qenësishme ka të bëjë me qasjen ndaj problemeve të vjetra, të cilat kërkojnë këmbëngulësi dhe energji. Ka plot tema që janë aq komplekse sa që nuk mund të përballohen vetëm nga qeveria. Në krye të grupit të këtyre temave janë dialogu me Serbinë, reforma në drejtësi dhe konfiskimi i pasurive të pajustifikueshme. Për realizimin e tyre është i domosdoshëm një debat dhe një mbështetje e gjerë shoqërore.

Një qeveri, sado e kompletuar dhe e përgatitur profesionalisht të jetë ajo, sërish ka diçka që e bën atë të jo të plotë për përmbushjen e misionit të saj. Pra, ka diçka që mbetet jashtë fuqisë e kompetencës qeveritare, diçka që i përket botës akademike, shoqërisë civile, mediave dhe mbarë shoqërisë.

Qeveria Kurti II do të jetë edhe më e përgjegjshme ndaj gjithë temave neuralgjike, nëse hapet ndaj ideve dhe prurjeve nga jashtë, të cilat  jo domosdoshmërisht duhet të kenë ndonjë atribut politik. Ka kohë që bota akademike e shkencore te ne nuk konsultohet fare për temat e problemet kruciale, mbase edhe për shkak se një pjesë e përfaqësuesve të kësaj bote, jo rrallë,  kanë manifestuar njëfarë oportuniteti tëpajustifikueshëm.

Kredibiliteti i vendimeve politike e institucionale nuk varet gjithmonë nga substanca e arsyeshmërisë etike që përmbajnë ato vendime, sa varet nga qasja konsensuale që e nënkupton përfshirjen e më shumë faktorëve politikë, institucional, akademikë e intelektual në  procesin e vendimmarrjes. Roli i institucioneve shtetërore është të krijojë kushte për kohezion social, politik, akademik e profesional. Pa këtë kohezion, skema e jetës sonë të përditshme do të dukej e varfër dhe do t’i gjasonte një pallati të kushtueshëm të pasuvatuar jashtë.

Pra, për një shtet serioz është e pamjaftueshme vetëm qeverisja e mirë, nëse ajo nuk shoqërohet me intencën që të arrihet një kohezion i fuqishëm social në të gjitha fushat. Sepse nuk duhet harruar se jo të gjithë njerëzit janë të përfaqësuar politikisht në institucionet  shtetërore dhe jo të gjithë kanë qasje në punët e qeverisë.

Për çka konkretisht është i nevojshëm ky kohezion? Para së gjithash, temat e ndjeshme që prekin interesa individësh e grupesh, siç është, bie fjala, konfiskimi i pasurive të pajustifikueshme, kërkojnë kohë, mirëkuptim të gjerë shoqëror, debat të mirëfilltë dhe ambient të përshtsatshëm.

Nëse qeveria aktuale i hyn trajtimit  të këtyre temave pa përgatitje të mirë paraprake dhe pa sigurimin e kushteve të domosdoshme të përmendura më sipër, atëherë suksesi isaj mund të mos jetë në përputhje me pritjet. Suksesi varet nga një mori faktorësh që kërkojnë  kohë dhe bashkërendim më të gjerë shoqëror. Vetëm kështu idetë reformatore të qeverisë mund të bëhen pjesë e shtresave shoqërore që në të kaluarën mund të kenë qenë rivalë politik.

Kryeministri Kurti, tash e tutje, nuk duhet të bëjë veprime që do të ishin atraktive vetëm për fansat e tij. Ai ka nevojë të bëjë veprime që tingëllojnë mirë edhe për veshët e kundërshtarëve të tij politikë. Kjo, zaten, është betejë më e rëndë, sepse kërkon më shumë kurajo për të dalë nga gëzhoja e egocentrizmave që, jo rrallë, në të kaluarën, ishte shndërruar në këmishë të hekurt për shumë politikanë.

Prishtinë, 9 maj, 2021