PËRÇARJET POLITIKE QË PO E SHKATËRROJNË SHOQËRINË SHQIPTARE

Xheladin Zeneli, aktivist i njohur shqiptaro-amerikan, i autor librit “Diaspora dhe Vendlindja”.

Pa dyshim se ndasit e ndryshme,  sidomos ato të natyrës politike egzistojnë te çdo popull ,por mendoj se te populli shqiptar këto janë më të theksuara dhe më të skajshme, çka është një fenomen tepër shqetësues.

Këto polarizime dhe përçarje ,jo vetëm që nuk n’a lëjnë të ecim përpara , por ato janë bërë pengesë kryesore e përparimit  dhe progresit tonë shoqëror, të cilat njëherit paraqesin edhe rrezik kombëtar , në rend të parë për ardhëmërinë e dy shteteve tona  por edhe për mbarë kombin tonë.

Shumë njerëz e kanë  kuptuar pluralizmin e mendimeve  si pluralizmin e fyerjeve dhe ofendimeve. Në emër të fjalës së lirë, gjithëkush  sulmon gjithëke për gjithëçka .

Pse kemi kaq shumë mllef, urrejtje dhe jemi të zemëruar me njëri tjetrin?.

Mjafton vetëm t’ju hidhet një sy debateve që zhvillohen në platformat e ndryshme të rrjeteve shoqërore në internet dhe të lexosh se si shqiptarët zihen dhe shahen , shpeshëherë edhe me gjuhë banale dhe me vullgaritet ndaj njëri tjetrit duke mbrojtur qendrimet apo orientimet e veta politike. Kjo mënyrë e komunikimit në masë nuk është gjë tjetër veç reflektim i sjelljes së politikanëve dhe lidërve tanë politik, qofshin ata qeveritarë, deputetë në kuvendet e dy shteteve tona kombëtare apo politikanë të  studiove televizive.

Vlen vetëm që të përcjellësh seancat parlamentare në kuvendet e dy shteteve tona kombëtare, ku vërehet një gjuhë degraduese e mënyrës së debatit  , me ç’rast fjalimet e disa deputetëve qofshin ata të pozitës apo të opozitës, përbëjnë sharje e fyrje  neveritëse ndaj njëri-tjetrit, fyrje këto që disa herë kanë përfunduar  edhe me përleshje  dhe sulme fizike në mes tyre.

Një shembull tjetër i   polarizimit të shqiptarëve e cila është karakteristë vetëm e tyre janë etiketimet e karakterit politik dhe ideologjik.

Në këto etiketime nuk përfshihen ato të cilët të huajt (pra,armiqtë tanë) n’a kanë mveshur neve , por këtu bëhet fjalë  vetëm për  etiketimet që ne vetë shqiptarët e quajmë apo e kemi quajtur  njeri tjetrin, gjatë periudhave të ndryshme të historisë sonë dhe gjithënjë vazhdojmë edhe sot.Po numroj vetëm disa nga ato që n’a vijnë nga shekulli i kaluar si p.sh. Legalist,Monarkist, Zogist,Ballist, Enverist, Marksist, Komunist , Bolshevist, Majtist e Djathtist e deri të ata pas viteve “90-ta e mëtej ,si Berishist, Nanoist, Bashist Rugovist , Thaçist, Albinist,Pacifist,Socialist,

Idealist,Utopist,Puçist,Nacionalist, Radikalist, etj.

Edhe pse disa nga bartësit ideo-politik  të këtyre etiketimeve, ka kohë që kanë vdekur dhe nuk jetojnë më në mesin tonë,megjithate ne gjthënjë vazhdojmë edhe sot ti përdorim ato si karakterizime  urryese për njëri-tjetrin.

Një ndër etiketimet që ndigjohet më shpesh në mesin e shqiptarëve është fjala “tradhtar”.S’ka dyshim se shqiptarët kanë pasur tradhtarë në mesin e tyre gjatë periudhave të historië tonë të cilët kanë shitur interesat tona kombëtare te armiqët tanë, dhe vazhdojnë të kenë edhe sot , por kjo fjalë tashmë është bërë pjesë fjalorit të përditshëm, sidomos pjesë e fjalorit të politikanëve të cilët e përdorin shpesh këte fjalë etiketuese  sa herë që ata nuk pajtohen me mendimet e rivalit  të vet politik.

Mendoj se gjithashtu jemi të veçantë si popull për nga numri i partive politike që veprojnë në hapësirën tonë etnike.

Vetë fakti se sot në trevat shqiptare egzistojnë rreth 220 parti politike ( Në Shqiperi mbi 100) ,  në Kosovë rreth 80, në Iliridë(Maqedoninë Veriore) reth 20,  te shqiptarët në Mal të Zi  afër 10 të tilla dhe në Preshevë  7 subjekte politike shqiptare, tregon shumë për ate se si në mentalitetin tonë vazhdon gjithënjë të dominojnë bajraktarizmi klanor.

Një llojë tjetër i polarizimeve tona janë edhe ata lidhur me figurat tona kombëtare.Pra, jemi një ndër popujt e rralë i cili nuk kemi mendim të njëjtë , pra nuk pajtohemi për personalitetet  tona kombëtare dhe historike. Deri dje ishim të bashkuar rreth figurave  tona historike siç janë Gjergj Kastrioti – Skenderbeu, Nënë Tereza , Ismail Qemali , Adem Jashari etj. Sot n’a dalin të ashtuquajtur  historian, analistë të vetëshpallur apo “studius”, të cilët mundohen të ngjallin dyshime mbi ata, ti anulojnë si të tillë dhe të hjedhin baltë mbi këto figura, në llogari të agjendave  antikombëtare dhe antishqiptare.

Çka u bë me “shekullin e shqiptarëve “ ?

Ne shqiptarët i lëjmë anash mospajtimet e përçarjet vetëm atëherë kur jemi të kërcënuar nga armiqët tanë. Për këtë dëshmon më së miri ngjarjet në fund të shekullit të kaluar të cilat  janë ende të freskta në kujtesën tonë.

Në vitin 1998-1999 kur Kosova po kalonte një ndër kohët e saja më të vështira si rezultat i agresionit serb, të gjithë shqiptarët anë e mbarë botës, nën udhëheqjen e  Shqipërisë  , ishin të renditur dhe të bashkuar me moton : “ Një Popull-Një Qendrim”.

Sot gjithënjë jemi një popull, por popull më shumë qendrime, dhe me qendrime shumë të ashpërta ndaj njëri-tjetrit!.

Çlirimi i Kosovës  nga okupatori serb ,pavarësia e saj në vitin 2008, anatarësimi i Shqipërisë në  NATO-s në vitin 2009, por edhe disa arritje të tjera që ne i përjetuam si popull në dekadën e parë të shekullit 21, ishin ngjarje që  ndikuan në euforinë tonë  kolektive në krijimin e një shprese të re për të ardhmen tonë ,si asnjëherë më parë, me moton se shekulli 21 është “shekulli i shqiptarëve “! Mirpo çfarë ndodhi në ndërkohë?

Kemi hyrë në dekaden e tretë të shekullit 21 dhe sikurse kemi bërë kthesë mrapa me politikat tona vetëshkatrruese.

Veprimet e politikanëve tanë sikurse po na çojnë drejt një humnere nga e cila do ta kemi shumë të vështirë të dalim ndonjëherë.

Të marrim shtetin tonë amë, Shqipërinë, e njohur tashmë për rivalitetin e ashpër dhe shumë agresiv  në mes dy forcave kryesore politike, Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Kjo ashpërsi  politike u shpreh posaçërisht gjatë fushatës së zgjedhjeve të fundit parlametare të 25 Prillit, 2021 , ku përplasja e kundërshtarëve politik arriti deri aty sa që pati edhe raste dhe incidente të përgjakshme në mes militantëve të tyre partiak.

Sikurse mos të mjaftonin  përplasjet politike (dhe fizike) gjatë fushatës zgjedhore dy forcave kryesore të Shqipërisë, prq ndërmjet PS-së dhe PD-së , menjiherë na paraqitet një përplasje e re, kësaj rradhe brenda llojit të vet. Pra askush se ka menduar apo parashikuar  se do të vinte  deri te një konfrontim kaq i ashpër dhe me elemente dhune, brenda një subjekti politik , pra Partisë  Demokratike të Shqipërisë, partisë më të madhe opozitare në Shqipëri.

Ngjarjet dramatike e kohëve të fundit në PD janë  të paprecedente në historinë 31 vjeçare të pluralizmit politik në Shqipëri dhe një dukuri e rrallë dhe e paparë në botën e shoqërive moderne demokratike.

Pamjet e 8 Janarit  2022 në selinë e Partisë Demokratike në Tiranë do të mbesin gjatë në mendjen e tonë  si njollë e zezë dhe turp jo vetëm të kësaj partie, por të gjithë shoqërisë shqiptare.

Mburremi gjithëmonë para botës,se jemi një ndër popujt më të vjetër  të Europës, me një kulturë dhe civilizim të lashtë.

Pyetja që na imponohet është se sa po e dëshmojmë dhe demonstrojmë ne sot këte me vepra?.

Pas gjithë kësaj çfarë u tha më lartë, është pamundur të mos na kthehet në kujtesë thënia e të madhit Gjergj Fishta të cilin e patën pyetur në at kohë se

“Si janë shqiptarët “, Fishta iu është përgjigjur :

“ Njashtu si i don hasmi “!.

Xheladin Zeneli

Janar 2022

Comment

*