Përceptimi dhe kujtesa në auto-portrete

Nga Ilir Seci

Më 23 maj në “Lehman College”, mbas një ceremonie hapëse me pjesëmarrjen e trupës së pedagogëve të universitetit, studiuesve, kritikëve, miqve dhe të afërmve të krijuesve u paraqit ekspozita e piktorëve që diplomuan në vitin 2013 për master në artet figurative. Ekspozita u paraqit në sallën e posacme të ekspozimit që gjendet në këtë universitet në New York ku u paraqitën 14 piktorë me punimet e veta.
Në mesin e këtyre artistëve që u ekspozuan në Galerine e Arteve ishte edhe piktori shqiptar Adriatik Baliaj. Një arritje profesionale e tij dhe një arsye më shumë për komunitetin shqiptar të ndjehet krenar për një artist të tillë që me punën dhe këmbënguljen e vet arriti të dalë në këtë skenë. Adriatiku u paraqit me 11 punime të tij, më shumë se cdo pjesëmarrës tjetër në këtë ekspozitë. Në ftesën e printuar para kësaj ekspozite tek emri i tij thuhej:”Adriatik Baliaj’s work pursues the idea of perception and memory through self-portrait and still life. ” (Punimet e Ardiatikut gjurmojnë idetë e përceptimit dhe kujtesës përmes auto-portretit dhe natyrës së qetë…).
Adriatik Baliaj është piktor nga Tropoja, i cili ka emigruar në SHBA dhe si shumë prej nesh nisi një jetë të re në vendin e ri…Pavarësisht vështirësive të jetës në emigrim ai nuk iu nda pasionit për artin figurativ. Mbas viteve të para kur mësoi gjuhën nisi punën si mësues pikture në një shkollë private në Riverdale. Ndërkohë që vijoi studimet për të marrë master në “Lehman College”, një Universitet në New York.
Në këtë moment të rëndësishëm Adriatiku nuk ka mbërritur rastësisht është ecuria e një artisti që lidhjet me pikturën i ka të hershme. Në vitin 1984 ka mbaruar shkollën e mesme artistike “Prenk Jakova” në Shkodër, ndërsa në vitin 1988 ka mbaruar Akademinë e Arrteve në Tiranë për pikturë monumentale. Ndërsa arritja tjetër është diplomimi në New York ku merr master në pikturë dhe ishte artisti me më shumë punime aty, gjithsej 11 të tilla. Gjatë karrierës së vet krijuese ka patur disa ekspozita si “portrete dhe peisazhe veriore” në vitin 1993 në Muzeun Historik Kombëtar, ”Kolazhe eksperimentale” në qytetit e Bajram Currit. Pas mbërritjes në Amerikë hap ekspozitën e titulluar “Seri objektesh” ne vitin 2000 në Frank Welles Gallery, Garnerville, New York, në 2012 ekspozitën “Mjetet e artistit” në “Lehman College”.
Punimet e paraqitura në ekspozitë ishin natyra të qeta përfshirë në një seri të titulluar “Palimpsest” dhe seria tjetër ishte me auto-portrete që i mëshojnë idesë së vërejtur nga organizatorët e ekspozitës që ”gjurmojnë idetë e përceptimit dhe kujtesës”. Janë natyra të qeta që kanë të njejtin objekt, një libër, të verdhë. Autori sikur kërkon të luajë pak me rregullat, paraqitja e të të njetit objekt sikur mëton të parodizojë idenë e natyrës së qetë, një trill që artdashësi i vëmendshëm e gjen tërheqës. Nuk është thjesht objekti që duhet vërejtur, është thellësia e përceptimit dhe hapësira që nënkuptohet, libri i verdhë është një figurë që artdashësit shqiptarë e njohin më së miri, të gjithë ata që donin të dinë përtej suazave të ideologjisë së socrealizmit e njohin frikën që përcillte qoftë edhe shqiptimi i togfjalëshit “libër i verdhë”! Autori i jep udhë persiatjes së artdashësit, përmes një rrethi të tërë referencial që krijon asocime ideore, nëntekste, mesazhe…
“Seria e portreteve ka punime me vaj, në dru dhe kanavacë drejtkëndëshe, 12″ deri ne 24″ të lartë dhe 12″ në 20″ të gjerë. Kjo seri do të jetë një vazhdim i eksperimenteve të mia me përceptimin dhe kujtesën. Unë aty përshkruaj dy imazhe të ngjashme të miat në kanavacë, te njëjtë – reflektimi im në pasqyrë, ajo që unë shoh – përceptimi dhe ajo që unë di – kujtesa, dy rrugë në kërkim (jo me vetvete), si një reagim ndaj vetë pikturës tradicionale të portretit. Kjo mënyrë paraqitje nga ana ime është edhe si një parodizim i përvojës së gjallë që kam pasur me posterat impersonale, portretet groteske, impozante të epokës socrealiste me atë utopizmin e shkollës që mësonim!”-shpjegon Adriatiku, i pyetur rreth mesazheve që përcohen…
Vërtetë që efekti pasqyrë në portretet e ekspozuara ishte një truk, sepse pas një vëzhgimi më të vëmendshëm vërehet diferenca mes punimeve, mes secilit portret, ato janë autoportrete të ngjashme në dukjen e parë por ashtu si dhe vetë jeta e gjendjet tona shpirtërore ndryshojnë dhe asnjëherë nuk janë të njejta. Autori thekson idenë e Rubikonit “Nuk mund të kapërcehet dy herë i njejti ujë në rrjedhë”, të njejta janë edhe grimasat në këto auto-portrete ku pas kundrimit të vëmendshëm dallojmë jo një autoportret por individualitete të vecanta në secilin syresh. Adriatiku merr portretin e vet edhe e bën dikotomi, pra bën ndarjen e së tërës në dy pjesë që nuk bëjnë pa njëra-tjetrën por edhe janë të ndryshme…Simboli i dualizmit është arritur në këto punime ku autori ka mishëruar filozofinë e vjetër Yin dhe Yang ashtu si e mësojnë urtitë budiste. Ashtu si janë mësimet e Budës se gjithshka nis e mbaron te uni jonë, secili individ është një univers dhe brenda tij gjenden gjithmonë dy anë personaliteti. Se cilën anë të personalitetit e shfaq njeriu, ajo atëherë kushtëzohet nga mjedisi rrethues, mjedisi ku edhe artisti si njeri bashkëjeton.
Autori në këto portrete arrin të bëhet vëzhgues dhe i vëzhguar, është njëherit subjekt dhe objekt falë dikotomisë që thamë më sipër, pasi arrin të funksionalizojë në art dualizmin që është në themel të filozofisë njerëzore. Krejt lirshëm, krejt natyrshëm me një tjetër formë, Adriatik Baliaj na risjell të riaktivizuar mitin antik të Janusit, simbolin e fillimit dhe fundit të gjithshkaje, simbolin e vetë ciklit të jetës…