Përcillet me lot e krenari bashkëpatrioti, Shaqir Gashi

Miq e aktivistë iu bashkuan familjes ditën e dielë për t’i dhënë lamtumirën bashkatdhetarit e patriotit të shquar shqiptaro-amerikan, Shaqir Gashi.
Varrimi u krye në Varrezën Kensico, në Valhalla ndërsa shërbimet funerale në Zyrën Farenga Bros në Bronx.
Pjesëmarrja ishte e pazakontë për kohë pandemie dhe një tregues i dashurisë dhe mirënjohjes për Shaqirin, një nga personazhet më të dashura në komunitetin shqiptar.
Në gati gjysëmshekulli në SHBA, ai bëri miq të shumtë e sikur të mos ishte pandemia, varrimi do të ishte kthyer në një tubim të madh.
Edhe në rrethana, shumë më tepër njerëz sesa priteshin u mblodhën dhe emocionet ishin të thella. Pati lot e momente prekëse.
Merrnin pjesë edhe Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës, në New York, Ambasadori Frymëzim Isufaj, Kryetari i Vatrës, Elmi Berisha, Dr. Rifat Latifi, Drejtor i Kirurgjisë në Qendrën Mjekësore të Westchesterit, botuesi i gazetës “Illyria”, Vehbi Bajrami dhe bashkëshortja Eugenia Morina Bajrami.

Shaqir Gashi

“…kombi shqiptar humbi një atdhetar që me devotshmërinë e tij të pashoqe kombëtare parreshtur kontribuoi në rrugëtimin për lirinë dhe çlirimin e Kosovës”, thuhet në deklaratën dorëzuar familjes nga Ambasadori Frymëzim Isufaj. “Atdhedashuria, humanizmi, dhe puna e tij do të jenë inspirim për gjeneratët që do të vijnë”.
Deklarata i shpreh ngushëllimet familjës së Shaqir Gashit.
Një letër nga ish-kongresisti Joe DioGuardi dhe bashkëshortja e tij Shirley Cloyes DioGuardi e shkruar me shkrim dore, kujton punën që bënë së bashku me Shaqir Gashin që ka qenë instrumental në themelimin dhe financimin e Ligës Qytetare Shqiptaro Amerikane. Joe DioGuardi kujton në veçanti mes udhëtimeve të shumta së bashku atë në Australi e Zelandën e Re për të cilën ndihmoi shumë kunati i Shaqir Gashit, Mazhar Krasniqi dhe familja e [bashkëshortes së tij] Michell”.
“Lavdi për gjithshka që bëri për të ndihmuar çlirimin e popullit shqiptar të Kosovës nga pushtimi serb”, thuhet veç të tjerash në letrën e çiftit DioGuardi dërguar familjes Gashi.
Lutjet fetare i kreu Imam Rifat Halili që u lut për shpirtin e të ndjerit, që lartësoi virtytet e tij si njeri e kontributin si patriot.
Emocionuese ishin fjalët e vajzës, Drena Gashi, që i kërkoi ndjesë për lotët të atit që gjithmonë u ka kërkuar që të festojnë jetën dhe jo të qajnë vdekjen. Ajo i premtoi se fëmijët e tij do t’i mbanin përjetë mësimet që u kishte dhënë dhe e luti që t’ua harronte gabimet.
Drena Gashi e kujtoi për ndihmën që nu kia kishte kursyer kurrë popullit shqiptar dhe ftoi komunitetin që ta nderonte duke vijuar në rrugën e tij.
Fjalët e saj sollën lotë në sytë e njerëzve. Arkivoli vendosi trupin në banesën e fundit, ndërsa pjesëmarrësit përshëndeteshin e shprehnin bindjen e premtimin se Shaqir Gashi e vepra e tij në shërbim të Kosovës dhe kombit shqiptar nuk do të harrohen kurrë. (Illyria)