Perëndimi e dënon ashpër agresionin rus në Ukrainë, paralajmëron përgjigje të fortë

Bruksel / Berlin / Paris/ Londër, 24 shkurt 2022 – Bota Perëndimore e dënoi fuqishëm ndërhyrjen ushtarake të Rusisë në Ukrainën lindore.

NATO, Bashkimi Evropian dhe shtetet më të fuqishme perëndimore e mbajnë përgjegjës presidentin rus, Vladimir Putin, për sulmin ndaj integritetit territorial të Ukrainës dhe paralajmërojnë përgjigje të fuqishme ndaj Rusisë.

Aleanca veriatlantike dhe vendet më të rëndësishme të Evropës Perëndimore premtojnë edhe mbështetje ushtarake për Ukrainën.

Stoltenberg: Kërcënim serioz për sigurinë euroatlantike

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se “e dënon fuqishëm sulmin e pamatur dhe të paprovokuar të Rusisë ndaj Ukrainës, i cili vë në rrezik jetë të panumërta civilësh. Edhe një herë, pavarësisht paralajmërimeve tona të përsëritura dhe përpjekjeve të palodhura për t’u angazhuar në diplomaci, Rusia zgjodhi rrugën e agresionit kundër një vendi sovran dhe të pavarur”.

Stoltenberg tha se sulmi rus ndaj Ukrainës përbën shkelje të rëndë e ligjit ndërkombëtar dhe kërcënim serioz për sigurinë euroatlantike. Ai i bëri thirrje Rusisë që të ndërpresë menjëherë veprimet e saj ushtarake dhe të respektojë sovranitetin dhe tërësinë tokësore të Ukrainës.

Aleatët e NATO-s do të takohen për të trajtuar pasojat e veprimeve agresive të Rusisë, tha ai duke nënvizuar se aleatët qëndrojnë me popullin e Ukrainës në këtë kohë të tmerrshme. NATO-ja do të bëjë gjithçka që duhet për të mbrojtur të gjithë aleatët, tha sekretari Stoltenberg.

BE: Kremlinin do ta mbajmë përgjegjës

Zyrtarët më të lartë të Bashkimit Evropian, dënuan sulmin ushtarak rus ndaj Ukrainës, të cilin e quajtën “të pajustifikueshëm” dhe u solidarizuan me  popullin e Ukrainës.

“Në këto orë të errëta, mendimet tona janë me Ukrainën dhe gratë, burrat dhe fëmijët e pafajshëm, ndërsa përballen me këtë sulm të paprovokuar dhe frikë për jetën e tyre. Ne do të mbajmë përgjegjës Kremlinin”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe shefit të politikës së Jashtme, Josep Borrell.

Scholz: Ditë e zezë për Evropën

Kancelari gjerman, Olaf Ssholz, tha gjithashtu se sulmi rus në Ukrainë është një shkelje e hapur e ligjit ndërkombëtar.

“Nuk ka asnjë justifikim për të. Gjermania e dënon këtë akt të pamatur të presidentit Putin me fjalët më të ashpra të mundshme. Solidarizohemi me Ukrainën dhe popullin e saj. Rusia duhet të ndalojë menjëherë këtë veprim ushtarak. Në kuadër të G7, NATO-s dhe BE-së, ne do të bashëkrendohemi nga afër sot. Kjo është një ditë e tmerrshme për Ukrainën dhe një ditë e zezë për Evropën”, shkroi kancelari gjerman.

Macron: Rusia t’u japë fund operacioneve ushtarake

Presidenti francez Emmanuel Macron tha se dënon me forcë vendimin e Rusisë për të filluar luftën në Ukrainë.

“Rusia duhet të përfundojë menjëherë operacionet e saj ushtarake. Franca solidarizohet me Ukrainën. Ajo qëndron me ukrainasit dhe punon me partnerët dhe aleatët e saj për t’i dhënë fund luftës”, shkroi Macron.

Johnson: I tmerruar

Kryeministri britanik, Boris Johnson, tha se është i tmerruar “nga ngjarjet e tmerrshme në Ukrainë”.

Ai tha se Mbrëtëria e Bashkuar dhe aleatët e saj do të përgjigjen me vendosmëri ndaj veprimeve të Rusisë.

“Presidenti Putin zgjodhi rrugën e gjakderdhjes dhe shkatërrimit duke nisur këtë sulm të paprovokuar ndaj Ukrainës. Mbretëria e Bashkuar dhe aleatët tanë do të përgjigjen me vendosmëri”, shkroi ai.

Johnson tha se ai ka folur me Presidentin e Ukrainës, Valodymyr Zelenskyy, për të diskutuar hapat e ardhshëm.

(Sipas Zërit të Amerikës)