Perëndimi i mbylli sytë para realitetit në Afganistan

Emran FEROZ

Kishte kohë që ishte bërë i qartë dështimi i ndërkombëtarëve në Afganistan, por perëndimi nuk donte të pranonte faktet.

 

“Me gjasë ka për të qenë si herën e fundit. Ata do ta marrin Kabulin brenda natës”, më tha Ahmad Javedi, 30 vjeçari nga Kabuli, të shtunën e kaluar (14.08.)0

Kur talibanët hynë në kryeqytetin Kabul, para 25 vitesh, Javedi ishte fëmijë, por atë ditë e kujton mirë. Papritur luftëtarët talibanë erdhën, në një kohë që përfaqësuesit e qeverisë së muxhahedinëve që kishin luftuar me njëri-tjetrin me vite e morën arratinë. 20 vite pas fillimit të pushtimit të NATO-s në vend, ky skenar mund të përsëritet.

“Ditët e fundit kanë treguar se ata shpejt do jenë këtu”, tha Javedi.

Pak më vonë parashikimi i tij u bë realitet. Pasi talibanët pushtuan më pare kryeqytetet kryesore të provincave, të dielën ata marshuan në Kabul. Në shumë raste ushtria dhe policia i braktisën pozitat para ardhjes së kryengritësve në qytet. Në të njëjtën kohë presidenti afgan, Ashraf Ghani, e mori arratinë, bashkë me ekipin e tij. Ai u soll kështu si një guvernator neokolonialist e si të tillë e shikonin jo vetëm talibanët, por edhe shumë afganë që nuk përfitoninn nga aparati i tij shtetëror i korruptuar.

Sipas disa raportimeve, njerëzit e Ghanit i mbushën xhepat me para para se të largoheshin. Ishte Ghani ai që ishte shprehur se nuk kishte simpati për ata afganë që e merrnin arratinë, se në fund të fundit ata mund të punonin vetëm si pjatalarës në perëndim.

Pas arratisë së Ghanit, talibanët e morën pallatin presidencial dhe pozuan madje edhe para tavolinës së tij të punës. Një nga komandantët prezentë vetëm pak më vonë, në një konferencë shtypi të improvizuar për televizionin Al-Xhazira, tha se ai kishte qenë 8 vjet në Guantanamo dhe ishte torturuar nga amerikanët. Rastësi? Ndoshta jo. Në vend të kësaj u bë e qartë se “lufta kundër terrorit” e amerikanëve i radikalizoi shumë vetë në Afganistan dhe shumë prej tyre nuk e kanë harruar atë deri më sot.

Vetëm amerikanët e bardhë në bord?

Ngjarjet e pasuan njëra-tjetrën. Turma njerëzish vërshuan në Aeroportin e Kabulit, ku trupat amerikane po evakuonin qytetarët e tyre. Kaosi vazhdoi. Disa vetë që u ngjitën tek një avion amerikan e humbën jetën në përpjekjet e tyre për t’u arratisur. Në këtë kohë ushtarët amerikanë qëlluan edhe në mesin e turmës së afganëve të dëshpëruar. “Një i afërm i imi u vra. Ai ishte mjek”, rrëfeu Sangar Paykhar, një gazetar afgano-holandez dhe podcaster. Autorja dhe aktivistja amerikane, Nadia Hashemi, madje akuzoi se afganëve amerikanë pjesërisht nuk iu lejua të hynin në avionë. Arsyeja: Ata nuk ishin amerikanë të bardhë.

Skenat e fundit nga Kabuli kanë bërë më se të qartë se misioni perëndimor në Afganistan dështoi. Gjatë fjalimit të tij, presidenti amerikan Joe Biden nuk i përmendi me asnjë fjalë afganët që u vranë në dy dekadat e fundit në luftën amerikane kundër terrorit. Në vend të kësaj, fjalët e tij përmbanin mohimin e realitetit dhe injorancën. Fituesit e vërtetë të luftës nuk janë në Shtëpinë e Bardhë, por në Kabul.

Makineri lufte e SHBA-së për talibanët

Kaq të fuqishëm si tani talibanët nuk kanë qenë kurrë. Vetëm në ditët e fundit ata morën për vete pajisje lufte të teknologjisë së lartë të prodhimit amerikan. Përveç provincës Panjsher, në veri të Kabulit, e njohur për rezistencën kundër talibanëve, ekstremistët e kontrollojnë gati gjithë Afganistanin. Kësaj i shtohet fuqizimi politik në skenën ndërkombëtare, për të cilën ata punuan vitet e fundit.

Një sërë analizash e parashikimesh për marrjen e pushtetit nga talibanët duhet të korrigjoheshin këto ditë. Shërbimi sekret amerikan, CIA, të shtunën e kaluar madje ishte i mendimit se do duhen 30 deri në 90 ditë që Kabuli të pushtohet. Në fund gjithçka ndodhi brenda 24 orësh. Madje, analistë të njohur në Uashington mbetën pa fjalë. Bill Roggio, nga Instituti konservator i djathtë “Foundation for the Defense of Democracies”, e cilësoi marshimin e suksesshëm të talibanëve si një nga “dështimet më të mëdha të shërbimeve sekrete të dekadave të fundit”. Strategjia e luftës së talibanëve, sipas Roggios, është “për dreq brilante”. Ekstremistët u fokusuan në veri të vendit para se të merrnin qytete të tjera.

Si ndodhi dështimi?

Ka disa arsye për këtë. Shumë shkaqe për dështimin e perëndimit u mënjanuan dhe injoruan me vite, jo vetëm sepse perëndimi donte të ruante fytyrën, por edhe sepse pas kaq vitesh nuk e njihte mirë Afganistanin. Praktikisht të gjitha distriktet dhe kryeqytetet e provincave që ranë para Kabulit kishte vite që kontrolloheshin nga talibanët. Talibanët ishin vendosur aty dhe vepronin e qeverisnin në hije. Në rajonet malore kishte kohë që kishin zënë vend ekstremistët, edhe për shkak të korrupsionit masiv në kryeqytet, si edhe të operacioneve të shumta ushtarake të NATO-s dhe aleatëve afganë.

Viktimat e perëndimit

Sulmet me drone dhe bastisjet brutale gjatë netëve shkaktuan rregullisht viktima civile në fshatrat afgane. Shumë familjarë të viktimave u bashkuan me talibanët, në një mënyrë apo tjetër. Ky ishte de facto edhe rasti para portave të Kabulit. Shumë kohë para zhvillimeve të fundit, mjaftonte një udhëtim 20-30 minutësh me automjet që të hyje në zona talibanësh.

Por, me realitete të tilla nuk donin të merreshin përgjegjësit dhe qeveritë e perëndimit. Në vend të kësaj ata iu dhanë vetadhurimit. Flitej për “vlera bindëse tonat” dhe fokusimi ishte tek ato që ishin arritur në Afganistan këto 20 vite. Flitej për demokraci, megjithëse në 20 vitet e fundit nuk u bë asnjë transferim demokratik i pushtetit në Afganistan.

Elita të korruptuara

Kjo nuk lidhej me ata afganë që rrezikuan jetën kur shkonin të votonin, por me elitat e korruptuara, që u sollën në Kabul nga SHBA. Njerëz si Hamid Karzai apo Ashraf Ghani e shfrytëzuan sistemin e ri për qëllimet e tyre dhe manipuluan rregullisht zgjedhjet për të qëndruar në pushtet. Po kështu vepruan edhe aktorë të brendshëm afganë, mes tyre një numër lordësh të luftës dhe baronë të drogës, që u bënë aleatët më të ngushtë të perëndimit në Hindukush. Ata u pasuruan personalisht falë fondeve të huaja, e çuan jashtë miliarda dollarë. Ata u bënë përfituesit e mëdhenj të luftës, me krijimin e sipërmarrjeve private të sigurisë, për të penguar gjoja sulmet që do të kryheshin ndaj NATO-s. Në emër të rrezikut terrorist u nënshkruan marrëveshje fitimprurëse.

Më së voni që nga viti 2019 është e njohur, që Uashingtoni e të tjerë kishin dijeni për këto devijime. Atë vit u botuan “Afghanistan Papers” nga “Washington Post”, ku më shumë se 400 zyrtarë të lartë amerikanë pranonin pak a shumë dështimin në Afganistan. Detajet përkatëse për këtë u mbajtën sekret.

Por, edhe për këtë nuk do të flasë askush sot. Në vend të kësaj theksohet se talibanët i zunë në befasi Afganistanin dhe perëndimin. Me gjasë u përpoqëm për të mirën në bazë të asaj që dinim, por kjo nuk ndihmoi. Pas një ndërhyrjeje të dështuar 20 vjeçare, që u kushtoi me jetë qindra mijëra afganëve dhe miliona të tjerë i ktheu në refugjatë, perëndimi nuk ka humbur vetëm interesimin për Afganistanin: Ai as nuk ndjehet bashkëpërgjegjës për mjerimin e atjeshëm.

“Ata janë kështu. Ky nuk është faji ynë”, dëgjohet tenori relativizues kulturor. Këto ditë ai jehon fort.

 

Emran Feroz është austriak me rrënjë afgane dhe shkruan prej vitesh për situatën në Hindukush në mediat gjermane si “Die Zeit”, “taz”, “tageszeitung”, “WOZ”, por edhe për media amerikane si “New York Times” dhe CNN. Analiza e tij “Lufta më e gjatë – 20 vite luftë kundër terrorit” do të publikohet në gusht.

(Marrë nga DW)

Comment

*