Përfundoi shpërndarja e të gjithë materialeve zgjedhorë për votimet e së dielës

Zëdhënësja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Drilona Hoxhaj në konferencën e orës 19 të shtunën i bëri thirrje përfaqësuesve zgjedhorë për përkushtim dhe ndershmëri, pavarësisht përkatësisë partiake. Autoritetet e rendit morën në ruajtje në orën 18:00 të gjithë infrastruktrën zgjedhore. Sakaq, kompania “CEZ” garantoi furnizimin me rrymë të Qendrave të Votimit, Komisionet Zonalë të Administrimit të Zgjedhjeve dhe Vendet e Numërimit të Votave

Denion Ndrenika

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deklaroi se përfundoi me sukses shpërndarjen e materialeve zgjedhorë si dhe të gjitha fletët e votimit në të 89 Zonat e Administrimit Zgjedhor të njohura me shkurtesën “ZAZ”. Zëdhënësja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Drilona Hoxhaj theksoi se respektimi i afatit ishte rezultat i bashkëpunimit shumë të mirë me ministrinë e Mbrojtjes që garantoi mjetet e transportit dhe të Policisë së Shtetit për shoqërimin e materialeve zgjedhorë dhe fletëve të votimit. Zëdhënësja Drilona Hoxhaj garantoi gjithashtu nisjen e hapave të fundit për plotësimin e detyrave nga administruesit e procesit zgjedhor: “Çdo Komision Zonal i Administrimit të Zgjedhjeve dhe çdo Komision i Qendrës së Votimit ka në dipsozicion të gjithë dokumentacionin dhe materialet zgjedhorë të domosdoshme për zbatimin e procedurave dhe në përmbushje të detyrave që Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë u ngarkon këtyre komisionerëve”.
Zëdhënësja Hoxhaj tha se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i bën thirrje gjithashtu përfaqësuesve zgjedhorë për përkushtim dhe ndershmëri, pavarësisht përkatësisë partiake: “Përmbyshja e detyrës së rëndësishme e anëtarit të Komisionit të Qendrës së Votimit është vetëm respektimi me rigorozitet i kërkesave të kuadrit ligjor zgjedhor dhe kjo duhet të jetë busulla e vetme orientuese në çdo veprim, qëndrim apo procedurë që ata do të marrin ditën e nesërme”.
Në votime do të marrin pjesë tre milionë e dyqind e shtatëdhjetë e njëmijë e tetëqind e tetëdhjetë (3,271,885) shtetas për të zgjedhur 140 deputetë. Procesi i votimit hapet në orën 07:00 dhe mbyllet në orën 19:00.
Sakaq, Policia në Shqipëri kaloi në gatishmëri të plotë në shërbim 12-orësh si pjesë e masave për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme që do të zhvillohen të dielën, më 23 qershor. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj deklaroi se plani i masave është i plotë dhe i qartë dhe se autoritetet janë të vendosur të zbatojnë dhe respektojnë me përpikmëri ligjin. E gjithë infrastruktura zgjedhore u mor në ruajtje nga policia në orën 18:00.
Kurse kompania “CEZ” njoftoi se ka marrë të gjitha masat për të garantuar furnizimin me rrymë në të gjithë infrastrukturën zgjedhore. Administratori i Përgjithshëm, Sahit Dollapi tha se janë identifikuar të gjitha Qendrat e Votimit dhe Komisionet Zonalë të Administrimit të Zgjedhjeve, të njohur me shkurtesën “KZAZ”: “Ne do të donim të mos kishim asnjë defekt apo avari gjatë ditës së zgjedhjeve apo gjatë ditëve në vazhdim të  numërimit të votave. Megjithatë, kemi hartuar një pl;an efikas që garanton furnizimin me energji elektrike në të gjithë infrastrukturën zgjedhore. Ky plan përfshin ngritjen e gupeve të gatishmërisë në çdo qark të vendit për të riparuar sa më shpejt çdo defekt dhe avari që mund të ndodhë. Furnizimin me linja të dyta dhe të treta për të 89 KZAZ-të”.
Shpërndarja e materialeve po vazhdon në të gjithë territorin e vendit. Procesi i votimit hapet në orën 07:00 dhe mbyllet në orën 19:00.