Përfundojnë bisedimet ruso-ukrainase, në ditët në vijim pritet një takim tjetër

Kiev, 28 shkurt 2022 – Delegacionet e Rusisë dhe delegacioni i Ukrainës i kanë përfunduar bisedimet që synojnë ndërprerjen e luftës dhe vendosjen e paqes në Ukrainë.

Të dyja palët do të kthehen në kryeqytetet e tyre për konsultime, përpara një raundi tjetër të bisedimeve që pritet të zhvillohet gjatë ditëve në vijim.

Delegacioni ukrainas tha se donte një armëpushim të menjëhershëm dhe tërheqje të forcave ruse nga Ukraina, ndërsa delegacioni rus ka folur për “një marrëveshjeje që është në interes të të dyja palëve”.

Mykhailo Podoliyak, këshilltar i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyi ka thënë pas takimet se negociatat janë të vështira, por pa ndonjë ultimatum detyrues.

“Fatkeqësisht, pala ruse është ende tejet e njëanshme sa i përket procesit shkatërrues që ka nisur”.

Nga ky takim nuk është pritur të arrihet ndonjë marrëveshje për vendosje të shpejtë të paqe midis dy vendeve.

Ndërkohë, Presidenti rus ka shtruar tri kushte për ndërprerjen e agresionit ndaj Ukrainës. Në një bisedë telefonike me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, ai ka shtruar tri kushte: njohjen e sovranitetit rus në Krime, çmilitarizimin e Ukrainës dhe garanci se Ukraina do të ketë status neutral.

“Zgjidhja është e mundshme vetëm nëse merren parasysh interesat legjitime të Rusisë për sigurinë – duke përfshirë njohje dhe sovranitetin rus në Krime si dhe një zgjidhje për objektivat rreth çmilitarizimit dhe denazifikimit të shtetit ukrainas dhe garancisë se do të ketë status neutral”, citohet t’i ketë thënë Putin presidentit Macron.

(r.m.)

Comment

*