Përfundojnë gërmimet në Kizhevak, zhvarrosen mbetjet mortore të së paku 9 personave

Prishtinë, 26 maj 2021 – Qeveria e Kosovës njoftonse në Kizhevak afër Rashkës, në Serbi, kanë përfunduar gërmimet vlerësuese dhe zhvarrosja e mbetjeve mortore të viktimave të luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë.

Në bazë të ekzaminimeve të para është konstatuar se nëkëtë lokacion janë zhvarrorus mbetjet e së paku  nëntë pëesonave, dy prej të cilëve janë identifikuar përmes ADN-së.

Procesi i gërmimit në Kizhevak është realizuar në dy faza, nga 30.11.2020 – 09.12.2020 (faza I) dhe nga 05.05.2021 – 26.05.2021 (faza II).

“Nga data 5 maj, kur kanë rifilluar gërmimet në këtë lokacion, është bërë vlerësimi i plotë i tërë lokacionit të shënjuar të varrezës masive dhe është bërë zhvarrosja e të gjithë eshtrave të viktimave të luftës që kanë qenë në këtë lokacion. Në bazë të ekzaminimit antropologjik është konstatuar se numri minimal i individëve të zhvarrosur është nëntë (9), prej të cilëve dy janë të identifikuar, përmes metodës së ADN-së, në fazën e I-rë të procesit të zhvarrimit”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Në procesin e gërmimeve kanë marrë pjesë ekspertët mjekoligjorë të Republikës së Kosovës, krahas ekspertëve të Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, ekspertëve të EULEX-it, të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe të  institucioneve të Serbisë.

Lokacioni është vizituar edhe nga familjarët e personave të zhdukur dhe nga një delegacion i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq nga Gjeneva, të shoqëruar nga përfaqësuesit e dy delegacioneve në kuadër të Grupit Punues për Persona të Zhdukur.

(r.m.)