Përfundon takimi Biden – Putin, Presidenti rus e cilëson “konstuktiv”

Gjenevë, 16 qershor 2021 – Takimi midis presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, dhe presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, të mërkurën në Gjenevë të Zvicrës, përfundoi pas më shumë se tri orësh, raportojnë agjencitë botërore të lajmeve nga Gjeneva.

Dy presidentët fillimisht u takuan në një seancë më të vogël, ndërsa më vonë u përfshinë edhe zyrtarë të të dyja palëve.

Sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë, samiti u dha fund punimeve në orën 5.05 pasdite, sipas orës lokale, kur përfundoi takimi i zgjeruar P + 5 (Presidentët dhe pesë këshilltarë).

This image has an empty alt attribute; its file name is Joe-Biden-e-Vladimir-Putin_ne-Gjeneve-2.jpg

Siç ishte rënë dakort, i pari që do jepte konferencë shtypi ishte Presidenti Putin. Ai tha se nuk kishte armiqësi gjatë takimit dhe se bisedimet ishin “mjaft konstruktive”.

“Vlerësimi ynë për shumë çështje ndryshon, por, sipas mendimit tim, të dyja palët demonstruan dëshirën për të kuptuar njëra-tjetrën dhe për të kërkuar mënyra për t’u afruar me njëra-tjetrën”, tha ai.

Putin tha se me presidentin Biden janë pajtuar t’i kthejnë ambasadorët në kryeqytetet e tëdyja vendeve, në përpjekje për t’i ulur tensionet. 

This image has an empty alt attribute; its file name is Vladimir-Putin_ne-Gjeneve-1.jpg

Ambasadori i Rusisë në Uashington, Anatoly Antonov, u thirr nga Kremlini për konsultime rreth tre muaj më parë pasi Presidenti Biden e cilësoi Putinin si “vrasës”.

Ambasadori amerikan në Rusi, John Sullivan, u largua nga Moska gati dy muaj më pare, pasi Kremlini i sugjeroi që të kthehej në Uashington për konsultime.

Sipas ujdisë, Presidenti Biden do të mbajë konferencë shtypi pas presidentit Putin.

Presidentin Biden e shoqëroi Sekretari i Shtetit Antony Blinken ndërsa kryediplomati rus Sergey Lavrov ishte në krah të Presidentit Putin. Secila palë kishte përkthyesin e vet.

Përfundimi i samitit përmbyll turneun e parë jashtë vendit të Presidentit Biden, që prej marrjes së detyrës.

Javën që kaloi, Presidenti Biden mori pjesë në samitin G-7 dhe zhvilloi bisedime me udhëheqësit e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, në përpjekje për të thelluar marrëdhëniet me aleatët dhe konsultuar me ta në lidhje me bisedimet SHBA-Rusi.

(r.m.)

Comment

*