Përgjithmonë mirënjohës: Si kujtuam Senatorin Dole, në përvjetorin e parë të vdekjes

Nga Harry Bajraktari

Ishte nder që mora pjesë, me komunitetin tonë dhe ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, në homazhet me rastin e përvjetorit të parë të ndarjes nga jeta të Senatorit Dole në Varrezat Arlington në Uashington D.C.

Dua të falënderoj Jim Xhemën dhe familjen e senatorit Dole për organizimin e aktivitetit.

Senatori Dole ishte një mik i madh i komunitetit tonë dhe i Kombit Shqiptar. Ai ishte një senator i madh dhe një amerikan i madh.

Kam pasur kënaqësinë ta takoj disa herë në vite, përfshirë edhe kur mori Medaljen Presidenciale nga Bujar Nishani, Presidenti i Shqipërisë.

Senatori Dole do të mbahet mend veçanërisht për vizitën e tij historike në Prishtinë, në gusht të vitit 1990, kur Kosova ishte ende praktikisht e panjohur në Uashington dhe ishte injoruar nga pjesa tjetër e bashkësisë ndërkombëtare.

Në krye të një delegacioni prej gjashtë senatorësh amerikanë, Dole u takua me Presidentin Ibrahim Rugova dhe udhëheqës të tjerë shqiptarë të rezistencës kundër pushtuesit serb. Me vizitën e tij ai e vendosi Kosovën në hartë dhe tërhoqi vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare për gjendjen e vështirë dhe çështjen e drejtë të popullit kosovar.

Gjatë gjithë jetës së tij ai mbeti përkrahës i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Ne patëm fatin ta njihnim dhe do të doja të falënderoja në veçanti mikun tim, Jim Xhema, i cili udhëhoqi punën tonë me Senatorin Dole.

Kombi shqiptar do të jetë gjithmonë mirënjohës ndaj Senatorit Dole për gjithshka që bëri për Kosovën dhe shqiptarët në rajonin. Për ne, ai do të jetë gjithmonë një hero.

Zoti e bekoftë shpirtin e tij!