PËRKUJTOHET DHE FESTOHET: 109 VJET USHTRI SHQIPTARE

VERI TALUSHLLARI

Ushtarakët Shqiptarë të liruar ose në pension, me banim në SHBA, përkujtojnë dhe festojnë Ditën kur 109 vjet më parë, më 4 Dhjetor 1912, pak ditë pas Ditës së shenjtë të Shpalljes së Pavarësisë, Kryetari i Qeverisë së Përkohshme, Ismail Qemal Vlora, urdhëroi krijimin e Ministrisë së Luftës. Kjo datë tashmë është Dita e Ushtrisë dhe Forumi i Ushtarakëve, pjesë e Shoqatës Atdhetare “Bijtë e Shqipes” në Philadelphia, organizoi një festë familjare në Cherry Hill, NJ. Atyre ju bashkuan një grup kolegësh të ardhur nga New Yorku, anëtarë të Shoqatës së Ushtarakëve “SKËNDERBEJ USA”, NY-NJ. Ishte një ceremoni e bukur, një festë e mirëorganizuar në një mjedis të ngrohtë familjar e shoqëror, mes ushtarakësh që vite me radhë kanë punuar e sakrifikuar së bashku në Atdheun mëmë dhe prapë janë bashkë edhe në Atdheun e adoptuar.

Tingujt e Hymnit të Flamurit dhe Hymnit Amerikan mbushin mjediset e Restorant” Amiçi”, dhe të gjithë në këmbë e me dorë në zemër, i përcjellin me emocion.

Kryetari i Forumit, Eqerem Murataj përshëndet pjesmarësit dhe bën një përshkrim të rrugës së Ushtrisë Shqiptare në këto109 vite, duke u ndalur në momentet më të ndritshme të kësaj rruge, si Luftën e Vlorës, organizimin strukturor në vitet e Mbretërisë, organizimin e UNÇl dhe fitoren mbi nazifashizmin si pjesë krenare e Aleancës Anglo-Sovjeto-Amerikane, modernizimin në vitet e Luftës së Ftohtë dhe ristrukturimin e saj si pjesë e Aleancës së NATO s. Ai përshëndeti djemtë e vajzat shqiptare sot nën uniformë, pjestarë të denjë në misionet luftarake e paqeruajtëse në botë, dhe po aq të paepur në detyra në raste emergjencash e fatkeqsish natyrore brenda vendit.

Dhe pastaj muzikë, valle e vallzim, përplasje gotash e biseda shokësh e kolegësh, kujtime që shtrihen edhe përtej 50 vjetësh, kur ishin djem e vajza të reja, skënderbegas e studente e studentë ushtarakë, oficere e oficerë të rinj kudo në Shqipëri.

Nga artopolanti buçet kënga labe “Çobanët mbi Gjeneralë” dhe ajo per trimat e Drenicës dhe krahinava të tjera, ngrihen shëndete për shokë e miq, ndahen Çertifikata Mirënjohje për anëtarë aktivë të Forumit dhe Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, jepen libra me autograf nga autorë të pranishëm, bëhen foto… Një mjedis vërtet i gëzuar dhe festiv, plot gjallëri e humor.

Dhe ja një moment emocionues: drejtuesi i festës Lutfi Brami fton Petrit Zanin tu japë një Çertifikatë Mirënjohje Dhurata dhe Haki Çollakut në nderim të vajzës së tyre, Hatixhes, e sapodiplomuar për të shërbyer në radhët e USA Army! Jo vetëm sytë e Dhuratës, por edhe të të pranishmëve mbushen me lotë, lotë krenarie e nderimi. Të dy prindërit krenarë i përqafon edhe Nadire Xhakolli, ushtarake në pension edhe ajo, por edhe djali i saj, Tani dhe bashkëshortja e tij, gjithashtu shërbejnë në FA të SHBA. Ja pra, edhe brezi i ri i emigrantëve shqiptarë, po ecën në shtigjet që hapën brezat e mëparshëm duke u bërë pjesë e FA të SHBA.

Ja kështu u vazhdoi dhe u mbyll kjo ditë e bukur gëzimi, nderimi e feste, ku shokë, miq e mikesha, Tajari, Përparimi, Dritani, Jakupi, Luiza, Bujari, Hysa, Mihali e të gjithë të tjerët ndanë disa orë të këndshme dhe jetuan me kujtime dhe rininë e tyre.

Comment

*