Përmbledhja e plotë e mbledhjes së qeverive shqiptare në Elbasan (video)

Shqipëri-Kosovë, në tryezën e përbashkët për mbledhjen vjetore të qeverive

https://www.facebook.com/ediramaal/videos/536802018085201/

Mbledhja e përbashkët vjetore e dy qeverive Shqipëri-Kosovë u zhvillua sot në Elbasan, nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama dhe kryeministrit Albin Kurti, me pjesëmarrjen e anëtarëve të kabinetit të dy qeverive.

Në fjalën e mbajtur në nisje të kësaj mbledhje, e cila shënon edhe takimin e 7-të ndërqeveritar, Kryeministri Rama u shpreh:

Mirëseerdhët! Përshëndetje! Faleminderit! Do kishim t’iu prisnim me diell, por shpresoj që gjithë ky shi dhe gjithë këto pika që kemi mbi kokë të jenë ogur i mirë.

Është si gjithmonë kënaqësi që të jemi bashkë. Ky është takimi i shtatë ndërqeveritar i Shqipërisë dhe Kosovës mes dy qeverive dhe sot mblidhemi pas një viti sfidues për shkak të pandemisë, por edhe pasi kemi arritur, sidoqoftë, të kemi një numër të konsiderueshëm gjërash që janë diskutuar dhe janë vënë në vijë.

Kemi një numër të konsiderueshëm marrëveshjesh, siç e kemi thënë, dhe një pjesë janë në rrugën e zbatimit, një pjesë janë zbatuar, ndërkohë që sfida e përbashkët është që të rrisim zbatueshmërinë e marrëveshjeve dhe të realizojmë një sinergji të plotë mes dy shteteve në të gjitha fushat.

Sot e sjellim, besoj, bashkëpunimin e dy shteteve më pranë njerëzve, çojmë në një fazë tjetër lehtësimin e lëvizjes së lirë, lehtësimin e punësimit dhe ndërveprimin më të madh mes të dy bashkësive në dy anët e kufirit.

 

Më vjen mirë që sot, angazhohemi bashkërisht për heqjen e lejeve të qëndrimit të përkohshëm, për hapjen e pikës kufitare të përbashkët në Shishtavec të Kukësit dhe për rregullimin e regjimit të trafikut lokal të kufirit.

 

Po ashtu, marrëveshja që kemi sot përpara nesh për firmë lehtëson procedurat për marrjen e një leje qëndrimi automatike, gjë që është fare e natyrshme, por u desh të uleshim dhe ta materializonim në një dokument të përbashkët, pavarësisht arsyes së qëndrimit.

 

Nga ana tjetër, krijojmë kushte shumë më të favorshme për të dy anët e kufirit për aksesin në tregun e punës dhe për një tjetër hap për bashkimin gradual të dy tregjeve në një hapësirë të vetme, ku shqiptarët mund të punojnë, studiojnë, të krijojnë familje, të aksesojnë çdo shërbim dhe të dalin në pension, duke përfituar çdo kontribut dhe të drejtë sociale, pavarësisht vendndodhjes gjeografike, në Shqipëri apo në Kosovë.

 

Njohja e sigurimeve shoqërore është një marrëveshje që është pjesë e të njëjtën paketë, e cila në tërësi, e cila do të thoja, jep një mesazh kuptimplotë për garantimin e lirisë së zgjedhjes së çdo qytetari të Shqipërisë apo Kosovës për të jetuar dhe punuar në cilindo anë të kufirit, por njëkohësisht për të pasur një mobilitet të pakushtëzuar nga burokracia.

 

Përmes një marrëveshjeje tjetër të veçantë, të diplomuarit nga universitetet tona do kenë mundësinë të kenë njohje reciproke automatike të diplomave shumë shpejt. Verifikimi do kryhet në mënyrë elektronike, hiqet njëherë e mirë një procedurë e tërë e ngarkuar me shkresa burokratike, por e rëndësishme besoj, hiqet diskrecioni i përgjigjes sipas dëshirës apo mosdëshirës së burokracisë në të dyja anët.

 

Është një marrëveshje inovatore dhe patjetër që suksesi i saj mund të shërbejë si bazë dhe shembull për njohjen automatike të diplomave të arsimit të lartë në të gjitha vendet e rajonit, por edhe më gjerë.

 

Bashkëpunimi në fushën e arsimit, inovacionit, kërkimit shkencor është konsideruar prej të dyja qeverive, qysh në krye të herës, një prioritet dhe paraprirja e thellimit të këtij bashkëpunimi si nevojë urgjente për ta fuqizuar kapitalin tonë njerëzor është detyra jonë.

 

Zbatimi dhe jetësimi i planit të Bashkimit Europian për investime në Ballkanin Perëndimor, duke bashkuar forcat dhe mendjet së bashku për të hartuar dhe përgatitur në mënyrë të kualifikuar projekte me impakt për të dyja vendet, është një tjetër prioritet i rëndësishëm.

 

Pas nisjes së punës për hekurudhën Tiranë-Rinas-Durrës, nga ana jonë, ne nënshkruajmë një memorandum bashkëpunimi, siç patëm dakordësuar në takimin e mëparshëm, për të fillluar menjëherë studimin e fizibilitetit për hekurudhën Durrës- Prishtinë.

 

Është një ëndërr e kahershme dhe ambicie e shprehur nga të gjitha qeveritë këtej dhe andej kufirit, por sot besoj jemi me të drejtë të lehtësuar për faktin që hedhim një hap konkret dhe jemi të bindur që në varësi të cilësisë së këtij studimi dhe shpejtësisë të realizimit të tij, do mund, po bashkarisht, të prezantojmë këtë projekt për të aksesuar fonde nga plani europian i investimeve.

 

Nga ana tjetër, jemi shumë të qartë që në të dyja anët kemi nevojë për hapjen e tregjeve dhe për shtimin e ndërveprimit ekonomik dhe tregtar.

Jemi po ashtu të vetëdijshëm që një pjesë e rëndësishme e kësaj problematike lidhet me pengesa administrative, të cilat janë më shumë një inerci e lehtësisë burokratike për të thënë “jo”, sesa përbëjnë një arsye objektive për të mos vazhduar me zhbllokime të mëtejshme, në mënyrë që të integrojmë plotësisht tregjet tona dhe ta bëjmë të plotë ndërveprimin mes institucioneve tona, në funksion të një lirie të plotë të lëvizjes.

 

Ndaj, më vjen jashtëzakonisht mirë, më në fund, që sot e firmosim marrëveshjen për të zbatuar lehtësirat e ndërsjella në procedurat doganore dhe të kontrollit të mallrave, marrëveshje kjo që është paraprirë nga një nënshkrim i rëndësishëm dje i tre dokumenteve me vlerë praktike nga Drejtoritë e Përgjithshme të Doganave, që synojnë unifikimin e procedurave të kalimit doganor dhe zbatimin e procedurave të tranzitit, bazuar në profilet e riskut. 

 

Në vitet e fundit kemi bërë përçapje domethënëse për të linjëzuar politikat tona të jashtme të sigurisë dhe kemi tashme një kuadër ligjor solid, që ta forcojmë  bashkëpunimin tonë politiko-diplomatik dhe të rrisim numrin e përfaqësive të përbashkëta.

 

Kjo ka qenë një nga bisedat që, për të thënë të vërtetën, kemi gjetur një rezonim të plotë, së bashku me kryeministrin, dhe përtej rezonimit të plotë, që nuk ka qenë asnjëherë problem në të gjitha takimet e mëparshme me të gjitha qeveritë e mëparshme, tani jemi në kushtet ku realisht kemi mundësi të hapim më shumë hapësira që shërbimet konsullore të Shqipërisë dhe Kosovës të zhvillohen në godina të përbashkëta.

 

Kjo krijon një adresë unike për të gjithë qytetarët tanë që janë jashtë vendeve tona, shteteve tona, por nga ana tjetër, është racionalizimin dhe i shpenzimeve, sepse në këtë mënyrë bëjmë të mundur të paguajmë më pak për të pasur hapësirat dhe të mund të financojmë më shumë për të zhvilluar aktivitete në funksion të mbajtjes gjallë të të gjithë atyre nevojave që duhet adresuar në pjesën jashtë kufijve, me diasporat tona.

 

Koordinimi ngushtësisht mes nesh është themelor dhe unë besoj që këto marrëveshje që firmosim sot kanë një karakteristikë, që nuk janë marrëveshjet e radhës, që nuk rrezikojnë të mbeten në kalendat greke, kur i thonë, por janë marrëveshje të bazuara në arritjen e një përfundimi të përbashkët, se sot, më shumë se çdo gjë tjetër, është nevoja për të zbatuar me shpejtësi ato masa që janë të qarta se cilat janë, në mënyrë që nga gjithë dakordësitë në letër, të kalohet në një realitet tjetër në terren për njerëzit, mallrat, për shërbimet, për kapitalet dhe që hapësira e përbashkët të jetë realisht një hapësirë e përbashkët, kur vjen puna tek ndërveprimet në realitetin e jetës së përditshme ekonomike-sociale-kulturore, e me radhë.

 

Ajo që sot, ne e finalizojmë, por e dakordësuam qysh në Prishtinë me kryeministrin dhe e bëmë publike, është krijimi i Sekretariatit Koordinues Ndërqeveritar, i cili do jetë një ndjekës në detaje i zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara dhe do raportojë pranë zyrave të të dy kryeministrave për çdo problematikë që shfaqet rrugës, në mënyrë që të realizojmë atë që na ka munguar në të shkuarën, shpejtësinë e ndërveprimit për të arritur rezultate.

 

Nuk ka qenë asnjëherë problem vullneti politik, por gjithmonë është paraqitur si problem ekzekutimi burokratik i këtij vullneti, për t’i kthyer të gjitha marrëveshjet e nënshkruara me vullnet të mirë në rezultate konkrete dhe në realitete krejt të reja.

 

Së fundmi, edhe njëherë tjetër, dua të theksoj diçka që me Albinin e kemi gjetur si emërues të përbashkët në të gjitha bisedat tona dhe më vjen shumë mirë që çka kemi sot këtu në tryezë të përgatitur është një shprehje e parë e kësaj dhe uroj të pasohet në vijimësi në një zinxhir shprehjesh, të vullnetit për të ekzekutuar ato që vendosim.

Sot nuk jemi në një mbledhje që ka gjithmonë peshën e vet të rëndësishme simbolike, nuk jemi në një mbledhje që ka gjithmonë kënaqësinë reciproke, që është kënaqësia jonë dhe që gjithmonë përkthehet në kënaqësi edhe për ata që na kanë zgjedhur, por përtej këtyre dy elementëve shumë të rëndësishëm, sot më vjen shumë mirë të them që jemi në një mbledhje konkrete, punësh konkrete, të materializuara në marrëveshje konkrete.

Gjëja që kam si mesazh, për pjesën këtej të tavolinës, besoj që të njëjtin mesazh e ka dhe Albini për pjesën andej të tavolinës, është që është prioritet i prioriteteve që gjithçka që ne kemi vendosur, të jetë në krye të agjendës të punës së të gjithë ministrave përkatëse, për të mos lejuar që në rrugën teposhtë zbatimit, në drejtori, në agjenci e zyra, këto fjalë të nënshkruara me vullnet të plotë nga dy qeveritë, të mbeten fjalë.

 

Jam i bindur që nëse do të punojmë me këtë frymë që kemi punuar për të përgatitur këtë mbledhje, që ka qenë një frymë e drejtuar tek rezultati, në mbledhjen e ardhshme do kemi rezultate konkrete, që nuk do jenë thjeshtë statistika, por rezultate konkrete në ndërveprimin real mes njerëzve, mes sipërmarrjeve, mes grupeve të interesit, mes komuniteteve kulturore, e me radhë.

 

Duke kaluar fjalën kryeministrit, dëshiroj të ndaj një gjë që e di që do të të japë kënaqësi edhe ta dëgjosh, megjithëse me siguri e ke marrë vesh.

 

Ne kemi dakordësuar në mbledhjen e fundit të qeverisë që të punojmë që në vitin e ardhshëm, që është vit jubilar për pavarësinë e vendit tonë, të kemi gati abetaren e unifikuar.

Abetarja është një libër themelor për këdo që hyn në rrugën e arsimit dhe prej shumë vitesh tanimë, është një libër i cili, bazuar edhe në ligjin e arsimit që ne kemi, njësoj si librat e tjerë, është trajtuar si një tekst me shumë alternativa. Ajo që ne kemi dakordësuar është që të kemi vetëm një abetare dhe, me shumë kënaqësi, dua ta ndajmë së bashku këtë objektiv, në mënyrë që nëse biem dakord sot, të kemi një abetare të gjuhës shqipe në Shqipëri dhe Kosovë, dhe pastaj së bashku, këtë abetare unike të gjuhës shqipe ta kemi në të gjitha trojet apo në të gjithë hapësirat, ku fëmijët mësojnë të lexojnë dhe shkruajnë gjuhën shqipe.

Natyrisht, do na duhet një punë cilësore për të bërë një libër të shenjtë laik të gjithë shqiptarëve, që të mbetet dhe si objekt i çmuar në të gjitha bibliotekat e atyre që, fillimisht si fëmijë, e marrin Abetaren për të mësuar e pastaj e mbajnë aty si kujtim nga viti i  parë i shkollës. Do të thotë që të bëjmë një libër që të jetë edhe nga pikëpamja e objektit i veçantë dhe me një vlerë të caktuar.

 

Me këto fjalë për Abetaren, po iu kaloj fjalën kryeministrit.

 

Edhe njëherë tjetër, faleminderit për mundimin për të mbërritur deri këtu.

Elbasani është një tjetër zonë që i ka dhënë shumë historisë sonë të përbashkët, i ka dhënë shumë kulturës sonë kombëtare dhe, duke iu thënë edhe njëherë mirëserdhët të gjithëve, fjala është për kryeministrin e qeverisë së Republikës së Kosovës. 

 

Kryeministri Albin Kurti: I nderuar Kryeministër i Shqipërisë, zoti Edi Rama! I dashur Edi! Të nderuar ministra të kabinetit të qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe të qeverisë së Republikës së Kosovës,

Ne shqiptarët jemi njerëz optimistë dhe kur dita nuk është me diell e bie shi, themi do të jetë me bereqet. Fillimisht, dua të përkujtoj që sot janë mbushur dy vjet nga tërmeti i tmerrshëm që pati goditur Shqipërinë dhe familjarët e të afërmeve të 51 të vdekurve, sigurisht që në mënyrë të posaçme kanë pikëllim e mallëngjim sot. Ne bashkëndjejmë me ta, duke pohuar që dhimbja e tyre është edhe dhimbja jonë.

Kjo është mbledhja e shtatë e përbashkët e të dy qeverive, por është mbledhja e parë e imja në të cilën marr pjesë si Kryeministër i Republikës së Kosovës. Unë vitin e kaluar isha Kryeministër 4 muaj. Në këtë javë, në këtë vit janë bërë 8 muaj, kështu që jam duke përparuar dhe sa herë që vij në Shqipëri, jo vetëm si kryeministër, besoj sikurse dhe për shumë qytetarë të tjerë të Kosovës, kam një ndjesi të veçantë, e cila edhe nuk përshkruhet lehtë e as nuk shpjegohet kollaj.

Këngëtari ynë i mirënjohur, Nikollë Nikprelaj thoshte se “jemi si një lis me dy degë”, pra me pak fjalë jemi një, paçka se me dy dialekte, të cilat sa shkon e po njehsohen, falë ndërveprimit në shumë fusha, falë muzikës, artit, sportit e të tjera.

Tani çfarëdo që po them, po analizohet e studiohet mirë se ku desha të dal e çfarë mesazhi po dërgoj, por edhe sikur të mos them asgjë, prapë njëlloj do të ishte sepse do thonin se edhe ky është mesazh.

Ajo që ndjej sidomos në Kosovë, e cila e kaloi shekullin e fundit, duke valuar flamurin kombëtar, është se ka një lloj ndrydhje të dëshirave të ndjenjave kur flitet për Shqipërinë, një lloj i represionit të shkaktuar nga trauma e ndërrimit të befasishëm të simboleve, që ka rezultuar me një lloj tronditje kolektive. Pra, befas e gjithë shoqëria në Kosovë përjetoi një zëvendësim për të cilin nuk u pyet e nuk u lejua të debatohet. Kjo është dhe do të mbetet  një temë e dhimbshme e që e bën edhe më të dhimbshme fakti që nuk është politikisht korrekte të diskutohet për të, pra një kërkesë për të ndrydhur një dëshirë e një mendim.

Tani, të thuash se jemi të lumtur se jemi një komb i ndarë do të ishte marrëzi.

Të thuash që jemi të lumtur që kemi dy shtete sepse kështu jemi më të fortë, do të ishte sa tepri, po aq edhe shkurtpamësi.

Të thuash se angazhohesh për bashkim kombëtar, do të shquanin për nacionalist.

Të thuash që do të bashkohemi në Bashkimin Europian, të shquajnë për diplomat.

Kam përshtypjen se këta të fundit po tregohen më të suksesshëm, kështu që le të flasim si diplomatë, por le të punojmë si patriotë.

Si diplomat jemi të vetëdijshëm e të qartë që mbledhja e dy qeverive tona, është në horizontin e integrimeve. Sa më i mirë projektuar e i mirëndërtuar horizonti i marrëdhënieve tona, aq më i mundshëm është integrimi në BE, i cili është fati ynë. Integrimi ynë mes shteteve tona është edhe strategjik, por dhe më tepër qëllimor. Progresi në numër i marrëveshjeve duhet të shoqërohet siç e tha dhe kryeministri Rama, me cilësi në zbatimin e tyre sepse janë sa me rëndësi ekonomike, aq edhe historike e si patriot duhet t’i forcojmë të dy shtetet tona, sepse patriotizëm sot është të luftosh korrupsionin dhe krimin e organizuar, të luftosh për lirinë e mediave dhe lirinë e mendimit, të luftosh për gjyqësor të pavarur e për ekonomi gjithëpërfshirëse me drejtësi sociale e vetëm ky lloj patriotizmi do të forcojë shtetet tona e do të jetësojë ëndrrat e qytetarëve tanë për të jetuar krenarë në vendin e tyre.

Bashkëpunimin me njëri – tjetrin nuk e kemi  dëshirë e zgjedhje,  por obligim e detyrë, siç e kemi përgjegjësi lartësimin dhe mbrojtjen e njëri-tjetrit, kudo e ndaj kujtdo. Sa më të përafruar, më të njehsuar që jemi në qëndrime rreth të vërtetës tonë, aq më të fortë e të fuqishëm do të bëhemi sepse jemi më shumë se sa dy shtete, por të shpërqendruar.

Duhet ta gjejmë thirrjen tonë të përbashkët! Sa më të integruar që bëhemi, aq më e mirë do të bëhet jeta e qytetarëve tanë, aq më të bindur do të jenë për të ndërtuar jetët e tyre këtu e çdo e mirë e njërit shtet mund të përcillet tek tjetri dhe anasjelltas. Çdo krijimtari shoqërore në njërën anë mund të përcillet e të gjejë më tepër fuqi në anën tjetër.

Njerëzit tanë duhet të lëvizin e të punojnë, duhet t’u lehtësohet qarkullimi e qëndrimi, duan të prodhojnë prandaj dhe duhet t’u zgjerohet mundësia e biznesit dhe e tregtisë.

Kjo punë ka nisur të ecë, por tani duhet të vrapojmë si në shpejtësi, ashtu dhe në cilësi. Sëbashku mund të prodhojmë më mirë e të fitojmë më shumë.  Nuk ka humbje më të madhe se sa projektimi në qëndrimin brenda të ndërgjegjes së vogël e nuk ka përhumbje më të madhe se sa shpërndarja nëpër linja të paqëndrueshme veprimi.

Qartësia dhe orientimi i përbashkët na udhëzon vetë për lëvizjet më të duhura e më të mbara.

Ne e kuptojmë që linja hekurudhore Prishtinë – Durrës është cilësi dhe shpejtësi në qarkullim njerëzish e mallrash, është ekologji dhe fuqi e tokës në det, është rritje e rëndësisë së portit kryesor të shqiptarëve. Lidhja hekurudhore është sa e një rëndësi ekonomike, po aq edhe gjeopolitike, e cila e rrit dhe forcon shqiptarët, por edhe ndihmon rajonin sepse ne jetojmë në rajonin tonë e me fqinjët tanë, me të cilët kemi të kaluar të përbashkët, por dhe do të ndajmë të ardhmen.

Marrëveshjet që kemi përpara, do të lehtësojnë edhe më tej procedurat e marrjes së lejes së qëndrimit. Po hapim pikën e re kufitare në Krushevë të Dragashit e Shishtavec të Kukësit, për të lehtësuar qarkullimin e për të zhvilluar e lidhur komunitetet tona.

Po mbështesim bashkëpunimin kulturor në fushën e trashëgimisë kulturore dhe muzeve, por edhe në krijimtari e kalendar të përbashkët kulturor vjetor sepse siç thoshte Fishta, vërtetë ne kemi bajram e pashkë, por shqiptarinë e kemi bashkë, e shumë festa tonat janë të përbashkëta.

Po rrisim bashkëpunimin në fushën e drejtësisë me ndihmë të ndërsjellët juridike në fushën e doganës, duke lehtësuar kalimin e duke zvogëluar kohën e pritjes, si dhe po njehsojmë njohjen reciproke të diplomave, certifikatave e gradave shkencore me marrëveshje të tjera, të cilat na afrojnë e forcojnë më shumë e për t’u siguruar që marrëveshjet do të zbatohen, tashmë kemi dhe një koordinator të përbashkët, për çka falënderoj qeverinë e Republikës së Shqipërisë dhe kryeministrin Rama, për dakordim dhe mbështetjen e ofruar.

Le të përshpejtojmë hapat e veprimit, të rrisim cilësinë e zbatimit që të përshpejtojmë integrimin mes vendeve tona e në Bashkimin Europian. Ju faleminderit!