Përmbytje të mëdha në Pakistan, goditen 30 milionë banorë

Islamabad, 28 gusht 2022 – Provinca Khyber Pakhtunkhwa në veriperëndim të Pakistanit përjetoi një tjetër ditë shkatërrimi të shtunën, pasi 15 persona të tjerë humbën jetën si pasojë e rrëshqitjeve të dheut dhe përmbytjeve të furishme. Autoritetet thanë se deri më tani numri i viktimave ka arritur në rreth 1 mijë ndërsa mbi 20 mijë shtëpi janë të dëmtuar vetëm në qytetin Nowshera. Rreth 30 milionë njerëz janë prekur nga përmbytjet në mbarë vendin.

Autoritetet vendore në qytetin pakistanez Nowshera, bënë sërish thirrje për evakuime mes një “përmbytjeje shumë të madhe” në lumin Kabul në vazhdën e shirave të paprecedentë që e kanë futur pjesën më të madhe të vendit në krizë.

Sipas statistikave të qeverisë, më shumë se gjysma e Pakistanit është prekur nga përmbytjet dhe miliona njerëz janë lënë të pastrehë si rezultat i përmbytjeve të papritura të krijuara nga reshjet e pazakonta sezonalë, që kanë hyrë në valën e tyre të tetë pa dhënë shenja pakësimi.

Numri i të vdekurve të shkaktuar nga reshjet dhe përmbytjet në të gjithë vendin është rritur në 982, krahas 1,456 të plagosurve të tjerë që nga e premtja, tha të shtunën Autoriteti Kombëtar i Menaxhimit të Fatkeqësive Natyrore (NDMA).

Ushqimet dhe ndihmat po dërgohen në zona të izoluara, ku njerëzit e bllokuar presin ndihmë. Megjithatë, situata vazhdon të përkeqësohet.

“Deri më tani janë prekur mbi 200 mijë hektarë. Mbi 20 mijë shtëpi janë dëmtuar. Katastrofa ka shkatërruar të korrat në mbi 600 mijë hektarë. Deri më tani kemi ngritur 15 fshatra me tenda dhe strehë të përkohshme për njerëzit e prekur nga përmbytjet. Tek kjo tendë këtu ndodhen momentalisht 320 persona”, thotë Muhammad Anwar Baryar, nënkomisioner i rajonit Dera Ghazi Khan.

Evakuimet vazhdojnë në Nowshera, ku niveli i ujit të lumit Kabul është rritur me 300 mijë metra kub në sekondë.

Njerëzit kanë humbur shtëpitë dhe mjetet e tyre të jetesës. 75-vjeçari Shamroz thotë se familjes së tij iu desh të ikte sapo qeveria bëri paralajmërimin për përmbytje.

“Uji filloi të ngrihej natën. E çova familjen time në një zonë më të lartë, por nuk pata kohë për të nxjerrë sendet shtëpiake. Frigoriferi ynë është ende brenda”, thotë ai.

Qeveria pakistaneze ka kërkuar ndihmë ndërkombëtare për të përballuar shkatërrimin dhe ndërsa shumë institucione ndërkombëtare dhe vende kanë premtuar fonde për ndihma, reagimi i tyre ndaj kërkesave për ndihmë ka qenë deri më tani i ngadaltë.

Përmasat e dëmit janë të paprecedenta dhe shumë thonë se shkalla e plotë e dëmeve do të kuptohet vetëm pasi uji të largohet. Agjensia meteorologjike ka parashikuar reshje të dendura shiu për javët në vazhdim.

Mbi 30 milionë njerëz në mbarë Pakistanin janë prekur nga përmbytjet gjatë javëve të fundit, tha ministri indian për klimën, duke e quajtur situatën “një katastrofë humanitare të përmasave epike të shkaktuar nga ndryshimi klimatik”.

Shkatërrimi i infrastrukturës dhe ndërprerja e komunikimeve i ka shtuar vështirësitë për autoritetet që po kryejnë operacione kërkim-shpëtimi.

(Zëri i Amerikës)