Përparim Rama i fitoi zgjedhjet për kryetar të Prishtinës

Prishtinë, 14 nëntor 2021 – Lidhja Demokratike e Kosovës shpalli fitoren e saj në raundin e dytë të zgjedhjeve në komunën e Prishtinës. Kur janë numëruar të gjitha votat e hedhura të dielën, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kandidati i kësaj partie, Përparim Rama, kryeson me mbi 51 për qind ndërsa kandidati i lëvizjes Vetëvendosje, Arben Vitia ka fituar 49 për qind të votave.

Zoti Rama tha në një konferencë me gazetarë se “do të jetë kryetar i të gjithë qytetarëve të Prishtinës”.

“Unë, Përparim Rama, kryetar i Komunës së Prishtinës, zotohem që do të jem kryetar i të gjithëve, ju që jetoni këtu, punoni këtu, që vini e që do të ktheheni”, tha ai.

Rama tha se do t’i realizojë të gjitha premtimet që i ka dhënë gjatë fushatës zgjedhore.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abixhiku, tha se fitorja e Ramës është arritje e jashtëzakonshme për partinë dhe për Prishtinën.

“Në Prishtinë do të kujdestarojmë me plot kujdes e përgjegjësi. Është një arritje e jashtëzakonshme për LDK-në dhe për kryeqytetin”, tha Abdixhiku.

Ai e shpalli fitoren edhe në balotazhin për kryetarë të komunave në Istog, Fushë Kosovë, Viti dhe Junik.

“Kjo natë feste e Prishtinës shoqërohet edhe me festa tjera nëpër Kosovë. Prandaj, më lejoni që në emër tuaj t’iu uroj fitore të gjitha komunave ku LDK-ja sot ka fituar e ka kryetarë të rinj. Dëgjuam, ecëm bashkë me ju, u ngritëm, u rikthyem. Kjo është Lidhja Demokratike e Kosovës”, tha ai.

Kundërkandidati i Ramës, Arben Vitia, e pranoi humbjen dhe e uroi zotin Rama. Ai tha se humbja e tij është pasojë e angazhimit të tij të vonshëm në fushatën zgjedhore.

“Prishtinës i dëshiroj sukses. Inkuadrimi jonë i vonshëm në fushatë dhe moselaborimi i programit mjaftueshëm ka ndikuar”, tha Vitia.

(r.m.)