Përshpejtimi i takimeve për vizë

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Për shkak të pandemisë së Covid-19-ës, udhëtimet ndërkombëtare janë bërë të paparishikueshme. Gjendja në vende të ndryshme është e ndryshme dhe nuk paraqet qëndrueshmëri gjë që e bën më të ndërlikuar takimin për marrje vize. Ambasadat dhe konsullatat duhet të arrijnë të barazpeshojnë zgjerimin e shërbimeve për dhënie vizash me numrin e kufizuar të burimeve, përgjegjësitë e tjera që kanë si dhe gjendjen në vendin përkatës. Si rrjedhojë, nuk egziston gjithnjë mundësia që takimet për viza të caktohen në kohën e duhur dhe rregullat që kanë të bëjnë me takimet e përshpejtuara për vizë ndryshojnë nga një konsullatë në tjetrën. Koha mesatare e pritjes derisa të caktohet takimi për vizë në një konsullatë apo ambasadë të caktuar mund të ndryshojë nga java në javë dhe varet nga ngarkesa e punës dhe personeli që ka në dispozicion aktualisht ambasada apo konsullata. Këto janë thjesht llogaritje të përafërta që nuk garantojnë se ka hapësira për të caktuar takim për vizë.

Seksionet konsullore nëpër botë mund ta caktojnë shpejt datën e intervistës kur ka situata urgjente të paparishikuara si funerale, probleme mjekësore apo data të fillimit të shkollës. Proçesi për të kërkuar afrimin e datës së intërvistës për vizë ndryshon në varësi të vendit. Nevojitet të paraqisni prova që vërtetojnë që keni arsye pse kërkoni t’jua caktojnë sa më shpejt intervistën për vizë. Në të gjitha rastet: duhet që së pari të paraqisni formularin e aplikimit për vizë në internet (DS-160), të paguani tarifën e aplikimit si dhe të caktoni takimin e parë të disponueshëm për intervistë. Vetëm pasi të keni kryer këto hapa, seksioni konsullor do të marrë në konsideratë kërkesën për ta caktuar sa më shpejt takimin. Udhëtimi që ka si qëllim pjesëmarrjen në një ceremoni martese apo diplomimi, pjesëmarrjen në një konferencë biznesi/akademike/profesionale, apo udhëtimi që bëhet për t’i ardhur në ndihmë një të afërmeje që është shtatzënë apo për të marrë pjesë në një event turistik të çastit të fundit nuk përbën arsye për ta përshpejtuar intervistën. Për udhëtime të tilla, ju këshillojmë ta caktoni që herët takimin e rregullt të intervistës për vizë. 

Si të kërkosh një takim të përshpejtuar për vizë

Ju këshillojmë të ndiqni udhëzimet e mëposhtme për të kërkuar takim të përshpejtuar për vizë:

Mbajeni pritshmërinë brenda kufijve të së mundshmes

Së pari kontrolloni faqen e internetit https://travel.state.gov/content/travel/en/us-visas.html për të parë sa është koha mesatare e pritjes për të marrë vizë në konsullatën ku keni ndërmend të dërgoni aplikimin. Kontrolloni sa është koha e pritjes menjëherë sapo të keni vendosur që ju duhet të udhëtoni. Në rastin më të mirë, mund të mos  keni nevojë të kërkoni përshpejtim të proçesit. Në rastin më të keq, do të krijonit një ide se sa janë vonesat dhe kështu mund të maksimizoni përpjekjet për të përgatitur kërkesën në kohë. Përpara se të bëni kërkesë për takim të përshpejtuar, nevojitet të paraqisni aplikimin për vizë joemigruese si dhe të paguani të gjitha tarifat përkatëse. Nëse konsullata nuk ka as personelin dhe as burimet e tjera të nevojshme, kërkesa për takim të përshpejtuar mund t’ju hidhet poshtë gjithsesi, edhe atëherë kur kërkesa është urgjente dhe bindëse.  Edhe kur kërkesa për përshpejtim merr aprovim, ajo nuk nënkupton gjithnjë takim të menjëhershëm. Për shëmbull, nëse për takimet e zakonshme duhet pritur gjashtë muaj, për takimin e përshpejtuar mund të pritet tre ose katër muaj. 

Përgatituni që të jepni prova dhe të shpjegoni sa më mirë pse e keni me urgjencë udhëtimin 

Udhëtimet urgjente të paparashikuara për arsye humanitare si p.sh. kriza familjare apo probleme urgjente shëndetësore, janë ato që ka më shumë gjasa të kualifikohen për takime të përshpejtuara. Planifikoni që më parë çfarë keni për të thënë dhe siguroni të gjithë dokumentacionin e mundshëm për të mbështetur kërkesën që do të paraqisni. Kini parasysh se secila konsullatë ka rregulloret dhe udhëzimet e saj të veçanta për proçedurat e përshpejtuara për takim ndaj dhe duhet të përgatiteni duke mbajtur parasysh udhëzimet që ka konsullata përkatëse. Për të parë cilat janë kërkesat e konsullatës ku do të aplikoni, kontrolloni faqen e saj në internet. Faqen në internet të konsullatës mund ta gjeni në adresën https://www.travel.state.gov duke klikuar tek “Find U.S. Embassies and Consulates.

Punoni me avokatin tuaj që t’i përmbushni sa më mirë kërkesat e konsullatës 

Avokatin e keni aleatin tuaj. Avokati zakonisht ka përvojë në kërkesat për takime të përshpejtuara që kanë bërë klientë të tjerë si dhe familjaritet me çështjen dhe nga përvojat që kanë patur kolegë të tjerë të tij. Kur punon me një avokat ke mundësinë të përfitosh nga kjo përvojë dhe të rrisësh gjasat për të patur sukses. Avokati mund t’ju ndihmojë jo vetëm të përgatisni kërkesën për takim të përshpejtuar, por dhe të diskutoni alternativat ligjore që keni në dispozicion në rast se kërkesa ju hidhet poshtë apo takimi ju caktohet pas datës që keni kërkuar. 

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]

Ky është shkrimi i 800-ë i kësaj rubrike që u ideua dhe u mbajt për 14 vjet nga Albana M Lifschin