Përzgjidhen 28 kandidatë për inspektorë të Byrosë Kombëtare të Hetimit

Tiranë, 2 prill 2021 – Njëzet e tetë kandidatë e kanë kaluar filtrin e sigurisë dhe janë përzgjedhur të vijojnë programin e trajtimit për inspektorë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, e cila do të veprojë në kuadër të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK).

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës i ka uruar kandidatët e përzgjedhur.

Në një postim në rrjetet sociale, Ambasada amerikane shkruan se SHBA do të vazhdojë ta mbështesë SPAK-un dhe të gjithë ata që luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar.

“Urime dhe fat të mbarë burrave dhe grave që përfunduan me sukses procesin rigoroz të aplikimit dhe tani do të fillojnë trajnimin për Byronë Kombëtare të Hetimit.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të mbështesin SPAK-un dhe ata që i përgjigjen thirrjes së detyrës për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në emër të popullit shqiptar. Presim së shpejti një thirrje tjetër për hetues të BKH-së, për të forcuar më tej këtë institucion të ri!”, thuhet në njoftim.

Përzgjedhja e kandidatëve është përshëndetur edhe nga Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, dhe nga Ambasadori i Bashkimit e Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca.

Dy diplomatët kanë thënë se SHBA dhe BE do të vazhdojnë mbështetjen për SPAK-un.

Ambasadorja Kim ka thënë se Reforma në Drejtësi po ecën përpara, ndonëse këtë nuk e duan “djemtë e këqinj“.

(r.m.)