Pesë vite më të vështira mbaruan

Ruben Avxhiu

Ruben Avxhiu

Askush nuk tha se pavarësia do të ishte e lehtë. Po problemet në jetën e përditshme të Kosovës, procesi ende papërfunduar i njohjeve, korrupsioni dhe ekstremizmat fetare nuk e pakësojnë rëndësinë e 17 shkurtit 2008.
As nuk duhet të hutohen shqiptarët nga perspektiva e një bashkimi të mundshëm kombëtar e të lënë mbas dore detyrat kryesore që kanë në Kosovë. Krijimin e një shteti funksional, të të drejtës, domkratik, tolerant dhe mbrojtës të një ekonomie të lirë e të suksesshme.
Pesë vite më parë, parashikuan të gjitha të zezat për Kosovën. Që Serbinë do ta merrnin përsëri millosheviçistët dhe do të rifillonin luftën, se Maqedonia do të ndahej ngaqë do të shpallnin pavarësi aty, se Bosnja do të prishej se do të tërhiqej Republika Srpska, se grupe etnike në gjithë botën do të shpallnin pavarësinë se sistemi ndërkombëtar do të shëmbej nga precedenti që po cënonte sovranitetin.
Sot, pesë vite më vonë, është e qartë se të gjitha kishin qenë të kota. Ballkani nuk ka qenë ndonjëherë më shumë në paqe. Serbia mbetet e kapur me thonj pas integrimit europian e gatshme të bëjë lëshimet e nevojshme vetëm të mos e humbasë procesin. Bosnja e Maqedonia janë siç ishin, madje kjo e fundit e ka njohur Kosovën.
Të vetmet raste kur Kosovën u përpoqën ta përdornin si precedente ishin ato me krahinat filoruse në Gjeorgji. Rusia që dha më shumë alarmin e përdorimit të Kosovës si precedent ka qenë për ironi e vetmja që e ka bërë këtë punë.
E njohur nga gati 100 vende të botës, Kosova është tashmë një realitet i patjetërsueshëm në Ballkan dhe nuk mund të ketë më kthim nën pushtetin e Beogradit.
Po pesë vitet kanë qenë edhe të mbushur plot me zhgënjime e dyshime. Ka një lloj varësie të tepruar te faktori ndërkombëtar. Familja duket se është më e rëndëishme se ligji e drejtësia. Vendet e punës, kontratat fitimprurëse, mundësitë për biznes dhe karrierë janë të hapura për ata që kanë lidhjet e duhura. Kjo nuk është ndonjë gjë e re në Ballkan, por Kosova nuk ka luksin që të llastohet në një tranzicion të stërgjatë si Shqipëria. E refuzuar dhe e sabotuar nga Serbia në veri, me një pjesë të vendit jashtë kontrollit, me 5 vende në BE që nuk e njohin, me një fuqi si Rusia që e pengon e bllokon, me organizata ndërkombëtare të krimit që kalojnë nëpër të me lehtësi, me ekstremistë fanatikë fetarë që mezi presin që të shembet si një shtet i dështuar.
Këto mbeten vite prove për shoqërinë kosovare. Pas kaq vitesh provincë e detyruar e Serbisë dhe provincë e ëndërruar e Shqipërisë, Kosova është tashmë një shtet më vete dhe provinca e askujt. Është koha që Kosova të dëshmojë është në gjendje të vetëqeveriset me sukses.
Kjo sfidë është veçanërisht e rëndësishme për shqiptaro-amerikanët, të cilët që prej tri dekadash janë duke ndikuar drejtpërsëdrejti në fatin e Kosovës. Ashtu si shumica e shqiptarëve të Kosovës edhe ata në diasporën e Amerikës kanë sakrifikuar e punuar shumë që të njohej, ndihmohej, çlirohej dhe pavarësohej Kosova. Ata nuk do të lejojnë që kjo arritje e madhe të shkatërrohet nga klanet abuzuese të pushtetit, aventurierët politikë dhe ekstremistët e interesave të huaja.
Sot, ndërsa festohet për gjysmën e parë të dekadës në mëvetësi politike, Kosova duhet të shohë pas e të kujtohet se sa keq ishte vetëm pak kohë më parë e sesa më i tmerrshëm do të kishte qenë fati i saj pa ndërhyrjen perëndimore më në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sakrificat dhe vuajtjet e tmerrshme të të kaluarës duhet të mos harrohen e të ndikojnë që të mos abuzohet me lirinë dhe me këtë shans të rrallë politik.
Kombe shumë më të mëdhenj, me dhjetëra miliona njerëz nuk shohin asnjë dritë në fund të tunelit. Nuk do të pavarësohen në të ardhmen e afërt e mabse nuk do të pavarësohen kurrë.
Pesë vite janë mjaft për të kuptuar se pavarësia e Kosovës ishte vendimi i drejtë për të ardhmen e Ballkanit. Por ato janë pak dhe nuk mjaftojnë për të ndërtuar një shtet e shoqëri moderne. Kosova do të përpëlitet në dhimbjet e proceseve e do të vihet në dyshim e në provë në shumë forma. i takon klasës së saj politike, elitës intelektuale, njerëzit të të gjitha shtresave e prejardhjeve të dëshmojnë se gjaku i derdhur nuk do të shkojë kot.
Sot, ndërsa urojmë njëri-tjetrin për pesëvjetorin e pavarësisë, urojmë edhe Kosovën që të ketë fatin e urtinë të përballet me sfidat komplekse të kohës. E përkrahur kësaj here nga vendet më të forta, më të pasura e më demokratike të botës. Si kurrë ndonjëherë më në simbiozë e harmoni me shqiptarët e të gjitha trevave, Kosova nuk mund të mos triumfojë.