Peskov: Rusia mbështet pa kushte Serbinë dhe serbët e Kosovës

Moskë, 31 maj 2023 – Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Rusia e mbështet popullatën serbe në Kosovë dhe beson se të drejtat dhe interesat e saj duhet të mbrohen, raporton agjencia e lajmeve, Reuters.

“Ne e mbështesim pa kushte Serbinë dhe serbët… Ne besojmë se duhet të respektohen të gjitha të drejtat dhe interesat legjitime të serbëve të Kosovës”, tha Peskov në adresimin e përditshëm për media, duke shtuar se nuk duhet të ketë vend për “veprime provokuese”.

Rusia edhe përmes një reagimi të mëparshëm kërkoi nga Perëndimi që të ndalë “propagandën” e tij pasi 30 ushtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, u lënduan gjatë përleshjeve me protestuesit serbë në Zveçan.

“Ne i bëjmë thirrje Perëndimit që përfundimisht të ndalë propagandën e tij të rreme dhe të ndalë së fajësuari për incidentet në Kosovë serbët e dëshpëruar, të cilët po tentojnë të mbrojnë të drejtat e tyre legjitime dhe lirinë, përmes mjeteve paqësore dhe pa armë”, tha Ministria e Jashtme e Rusisë.

Rusia, që është aleate e Serbisë, nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

(REL)