Petar Petkoviqit s’i lejohet vizita në Kosovë

Prishtinë, 16 prill 2021 – Autoritetet e Kosovës e kanë refuzuar Drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, kërkesën që ta vizitojë Kosovën.

Petkoviq ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të lejojnë një vizitë dy-ditëshe të tij në Kosovë. Ai kishte planifikuar që të premten dhe të shtunën të realizonte takime me qytetarë serbë në disa komuna të Kosovës.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, të cilën e udhëheq Petkoviqi, ka reaguar keq ndaj refuzimit të kërkesës së tij për të vizituar Kosovën. Në një komunikatë për publikun, kjo zyrë e akuzon Qeverinë e re të Kosovës se po përdor mjustifikime të ndryshme, përfshirë edhe pandeminë e koronavirusit, siç thuhet, “për të imponuar politikën  antiserbe, barriera dhe ndalesa”.

Kjo nuk është hera e parë që një zyrtari të lartë të Serbisë i ndalohet hyrja në Kosovë. Ndër ndalesat tjera ka qenë edhe ajo për realizimin e vizitave në zonat e populluara me shumicë serbe në kohën e fushatës për zgjedhjet parlamemtare nëKosovë që u mbajtën më 14 shkurt.

(r.m.)